Burim Kukeli shndër rohet në fiksimin e De Biazit. Mesfushori i Zyrihut rikonfirmohet edhe një herë si pika kyçe e formacionit që dërgoi kuqezinjtë në Europian.
Në orët e fundit para debutimit historik, trajneri ka vendosur të ndryshojë mesfushën. Pasi shoi disa nga dilemat që kishte në miqësoren ndaj Ukrainës dhe më pas provoi rreshtime pa fund në stërvitje, De Biazi duket se u bind që në rolin e mesfushorit para mbrojtjes duhet të luajë Kukeli dhe jo Ergys Kaçe.
Ky i fundit është rikthyer në stol, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e njëjtë me atë që luajti kundër ukrainasve. Edhe pse italiani i pankinës kuqezi shpesh ka surprizuar në momentet e fundit me formacionin, pritet që në sulm ta nisë Armando Sadiku që ka fituar duelin me Sokol Cikalleshin, falë formës së shkëlqyer që po kalon.
Titullarët - Me skemën 4-5-1, por që në fazën sulmuese kthehet edhe në 4-3-3, De Biazi kërkon të ketë së pari një mesfushë solide për t'u lënë pak hapësira kundërshtarëve. Me Etrit Berishën të sigurt në portë, në qendër të mbrojtjes do të jenë dyshja e zakonshme: Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj.
Nga krahët e mbrojtjes do të luajnë Elseid Hysaj në të djathtë, ndërsa Ansi Agolli në të majtë. Në rolin e një kontrollori përpara mbrojtjes do të jetë Kukeli, ndërsa disi më të zhvendosur Amir Abrashi dhe Taulant Xhaka.
Këta të fundit do të bëjnë rolin e shkatërruesit dhe të ndërtuesit të aksioneve njëkohësisht, duke mbajtur edhe peshën më të madhe. Si për ironi të fatit, Taulant Xhaka, nisur nga pozicioni që ka në mesfushë, me shumë mundësi do të ketë duel një për një me vëllain e tij Granitin, që bën rolin e organizatorit të Zvicrës.
Edhe këtë herë De Biazi i ka besuar Odise Roshit nga e djathta dhe Ermir Lenjanit nga e majta në mesfushë, të cilët jo vetëm do të kenë për detyrë të dalin shpejt në kundërsulm, por t'i vinë në ndihmë skuadrës edhe në fazën defensive. Në majë do të jetë Sadiku, si i vetmi sulmues i mirëfilltë i Kombëtares.
Ulet ngarkesa - Kombëtarja zhvilloi dje pasdite seancën e fundit stërvitore në Perros Guirec. Stafi teknik u përqendrua më shumë te goditjet standarde. Në ndryshim nga seancat e mëparshme, këtë herë De Biazi ka menduar të ulë ngarkesën fizike. Më shumë pati ushtrime relaksuese dhe taktikë, duke vënë në zbatim skemat anti-Zvicër.
JORGIS MEMO