Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit Xhani De Biazi ka sërish pakënaqësi me repartin e mbrojtjes. Pas humbjes me rezultatin 1-3 sonte në mbrëmje ndaj Ukrainës në miqësoren e luajtur në Bergamo, tekniku italian tha se ekipi ka vështirësi në kontrollin e topit në mbrojtje.
"Ata me dy gjuajtje na bënë dy gola. Ne pësojmë gol në budallallëkun minimal. Kjo më mërzit, gjatë gjithë javës punojmë shumë mbi mbrojtjen. Pastaj nuk e di, kemi frikë kur topi është në zonë, ne jemi shumë të frikësuar nuk luajmë topin me qetësi",-tha De Biazi.
Trajneri u shpreh se futbollistët e Kombëtares luajtën më mirë në pjesën e parë, duke barazuar rezultatin pas pësimit të golit në minutën e 8'.
"Është makth të pësosh tre gola me këtë lehtësi, është diçka që më lë një shije të keqe në gojë, Mendoja se ndeshja mund të shkonte ndryshe. Mendoj se në pesën e parë, sipas meje, kemi luajtur më mirë se ata, kishim më shumë raste",-tha ai për mikrofonin e "Supersport".
Duke folur për dëmtimin e Canës, trajneri tha se ai nuk ishte në formën e tij më të mirë në këtë takim dhe pritet të rikuperohet për finalet e Europianit.
Cana i shtrirë në fushë
"Nuk është në 100% të kondicionit fizik, kjo është paksa shqetësuese. Por mungojnë disa ditë nga ndeshja e parë dhe kemi mundësi të rikuperojmë për një gjendje më të pranueshme. Ka një problem në qafë që e kishte qe para ndeshjes dhe ajo goditje ia përkeqësoi më shumë",-tha ai.
Vijon...