De Biazi me biciklete ne hene

De Biazi, me biçikletë në hënë

SAIMIR DEMI

saimir demiReforma në drejtësi? Shqiptarët janë të zgjuar dhe e kanë kuptuar prej kohësh që nuk duhet të preokupohen shumë për gjëra që varen vetëm nga ata që i drejtojnë.

Çështje taksash dhe çmimesh, uji apo dritash? Shqiptarët e dinë që vetëm duhet të paguajnë në fund të muajit, madje edhe duhet të shtyhen në radhë për të shqyer portofolin e tyre të hollë, pasi nuk kanë asnjë mundësi për të ndryshuar diçka në favor të tyre.

A do të jetë sërish De Biazi në krye të Kombëtares sonë? Kjo po që është çështje shqiptarësh, pasi ka lidhje me dashurinë që kemi për të huajt, aq më shumë për ata që na i stimulojnë ndjenjat patriotike. Me në krye trajnerin De Biazi patëm mundësinë të prezantohemi në një eveniment të madh, siç janë finalet e EURO 2016-ës.

Për këtë arsye, drejtuesit e këtij shteti, që ende nuk ka porta të konsoliduara, i dhanë në një kohë rekord pasaportë shqiptare dhe në fakt ai na e shpërbleu të gjithëve këtë mirësi.

Ka kënduar himnin tonë me të gjithë forcën e zërit, aq sa ne që jemi me të njëjtën pasaportë prej vitesh e vitesh na erdhi turp që nuk kemi shpërndarë të njëjtin patriotizëm, megjithëse e kemi pasur të gjithë kohën në dispozicion për ta bërë shumë më parë të njëjtën gjë.

Më pas, "Honoris Causa", pasaportë diplomatike, si tapet i kuq në të gjitha hyrjet e institucioneve të shtetit. Kryeministri i vendit e thërret "xhan" sa herë që të dy janë në të njëjtën kohë përpara publikut... dhe në fund një lajm tjetër i mirë: "Xhani do të qëndrojë në krye të Kombëtares sonë".

Por, për dreq, nuk është e thënë që të vazhdojmë të ëndërrojmë pa pasur telashe. Pasi u nis për t'u bërë trajneri i Italisë dhe në pankinën e vendit të origjinës nuk mbërriti për çështje milimetrash, ne bashkëkombësit e rinj na duhet të vazhdojmë të qëndrojmë në ankth, pasi është larguar Roi Hoxhson nga stoli i Anglisë dhe ku mund të kërkohet tjetër vend ideal për të gjetur teknikun adapt për "Tre Luanët"?

De Biazi ka thënë për "Corriere Dello Sport" se ekziston një mundësi për të qenë në të ardhmen trajneri i Anglisë, nuk e ka idenë se sa kjo është bindëse, por e uron një gjë të tillë. Ndërsa dy paragrafe më poshtë ka deklaruar se ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë dhe zgjedhja do të jetë e vështirë.

U lumturuam që projekti fitues nga Veneto do të vazhdojë edhe në eliminatoret e Botërorit të Rusisë. Na erdhi mirë që mori aq shumë medalje dhe ndere në një kohë të shkurtër, sa Dritëro Agolli në një jetë të tërë.

Nuk e vramë shumë mendjen që golin e Sadikut e shitëm për më me vlerë se "Dimrin e Madh" të Ismail Kadaresë, por përsëri na rrezikohen shërbimet e strategut të futbollit të 10 milionë shqiptarëve. E keqja tjetër e madhe është se po largohet edhe Del Boske dhe tashmë është e sigurt që zëvendësuesi po sorollatet diku midis Bllokut dhe deri te stacioni i autobusëve që nisen për Sauk.

Ka shumë mundësi që edhe Gerardo Martino ta lërë Argjentinën, kështu që ne jemi fare të pashpresë për vazhdimësinë. Një gjë është e sigurt: De Biazi ka filluar të delirojë, madje ka kohë që e bën një gjë të tillë.

Dhe e ka të gjithë të drejtën, pasi po të isha në koment, ambientin ku po jeton ditët e delirit do ta cilësoja në mënyrë të natyrshme: Super të përshtatshëm.

Tashmë më vjen në mendje të pyes se çfarë duhet t'i japin islandezët Lars Lagerbak, i cili eliminoi Anglinë me një Kombëtare që përfaqëson vetëm 330 mijë banorë? Dhe trajneri nga Suedia nuk tha asnjëherë që këta peshkatarët duan të shkojnë në hënë me biçikletë, ashtu si dikur De Biazi për të treguar naivitetin e shqiptarëve.

Por, në të kundërtën, u tregua modest, i hipi biçikletës së bashku me ata që drejton dhe tani ndodhet dy-tre stacione përpara hënës. Por nuk ishim vetëm ne dhe Islanda debutues në këtë eveniment, por plot katër, ndërkohë që vetëm Shqipëria e De Biazit shkoi në shtëpi e para.

Është edhe Uellsi në garë dhe popullohet nga 3 milionë banorë, por ashtu si Islanda shënon vazhdimisht, ndërsa ne vazhdojmë të "mallkojmë" Gashin për një rast të humbur.

Tashmë le të shpresojmë që presidenti i FSHF-së do të vendosë shpejt për trajnerin definitiv të së ardhmes, pasi deri në fund të Europianit do të ketë edhe pankina të tjera të boshatisura që mund të presin profesorin tonë.

Nëse vazhdohet kështu, më mirë një falënderim i fundit, sesa ky lloj "masturbimi" kolektiv nëpër tapete të kuqe.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama