Refren i përsëritur. Media të ndryshme i bëjnë propozim dhe trajneri i Shqipërisë deklaron: "Mund ta prish kontratën që kam me Shqipërinë. Kam një klauzolë që ma lejon këtë gjë". Xhani De Biazi është intervistuar nga media rumune këtë herë. Pasi u mundën nga Shqipëria dhe u eliminuan nga Europiani, rumunët janë pa trajner për shkak se Jordanesku dha dorëheqjen. Zëvendësuesi? Xhani De Biazi.
Lajmi
Është "calciomercato.it" që ka bërë me dije rreth ofertave më të fundit që ka marrë trajneri i Shqipërisë. "Pasi ra si alternativë për të marrë drejtimin e Italisë, emri i tij doli në skenë edhe për të pasuar Hoxhsonin. Mirëpo, mëngjesin e sotëm (dje), Xhani De Biazi ka në tryezën e tij dy oferta konkrete dhe tri interesime. Pas Ukrainës, edhe Rumania ka bërë ofertë për trajnerin e Shqipërisë. Sipas këtij sajti, edhe Turqia e ka si alternativë trajnerin italian, por për momentin ende nuk ka nisur asnjë komunikim zyrtar.
Trajneri
Në mediat më të mëdha rumune, "Prosport.ro" dhe "Digi Sport" është publikuar intervista me trajnerin e Shqipërisë rreth këtij interesimi. "Deri tani nuk kemi marrë asnjë ofertë zyrtare nga federata rumune, por asnjëherë s'i dihet. Rumania ka një skuadër të mirë dhe njoh disa prej lojtarëve që luajnë në Itali. Unë kam një kontratë dyvjeçare me Shqipërinë, por nuk më pengon.
Kam një klauzolë për ta zgjidhur atë nëse më vjen ofertë më e mirë. Rumania ka mundësinë që të kualifikohet për në 'Rusi 2018', pasi është ekip me kualitete. Grupi në të cilin është Shqipëria është shumë i vështirë, ndërsa ai i Rumanisë nuk më tremb aspak. A do të isha i interesuar për të marrë pankinën e Rumanisë? Pse jo... Jam i interesuar për sfida të reja në jetë. Dua një tjetër sfidë edhe në karrierë. Për Federatën Angleze të Futbollit nuk jam një trajner i shtrenjtë, për të tjerat mbase po", ka deklaruar Xhani De Biazi.
Olsi Tujani
GRUPI E
RUMANI
DANIMARKË
POLONI
MALI I ZI
ARMENI
KAZAKISTAN