Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, ka vlerësuar paraqitjen e treguar një natë më parë nga Italia, paçka se "axurrët" u eliminua nga Gjermania me 11-metërsha.
De Biazi shprehet se Italia krijoi më shumë raste dhe ishte më pranë fitores, ndërsa thumboi edhe lojtarët që humbën penalltitë.
"Italia vuajti pak, përkundrazi nëse e sheh mirë krijoi më shumë raste se sa Gjermania. U mbrojt mirë dhe nuk i la hapësira për t'i sulmuar. Penalltitë? Dreqi e mori, Zaza kishte hyrë enkas për të gjuajtur një penallti... Dhe në fakt...
Megjithatë është një humbje më dinjitet, më vjen keq sigurisht, sepse patëm edhe avantazhin e një penalltie, por e shpërdoruam me Pelen. Të përqeshësh Nojerin? Nuk e di se çfarë ka menduar, ndoshta ishte i lodhur, tregoi cektësi",-ka thënë De Biazi për gazetën më të madhe sportive në Itali "La Gazzetta dello Sport".