Anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe në UEFA dhe pjesëmarrja në eliminatoret e Botërorit "Rusi 2018" hapi një tjetër mundësi reale për futbollistët kosovarë të Kombëtares shqiptare. Për të shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme në ditët e ardhshme dhe për të mësuar nëse do të ketë largime të tilla ka menduar Xhani De Biazi.
Burime për "Panorama Sport" bëjnë me dije se trajneri i Kombëtares shqiptare ka komunikuar me të gjithë futbollistët kosovarë të Shqipërisë dhe i ka pyetur çfarë do të vendosin mbi të ardhmen e tyre. Italiani kërkon të jetë sa më i qartë për projektin që do të nisë me Shqipërinë në kuadër të eliminatoreve të Botërorit. Ai kërkon të mësojë nga futbollistët nëse kanë ndonjë plan për t'u larguar drejt Kosovës, apo do të vazhdojnë të jenë ende pjesë e këtij grupi që arriti të bënte historinë duke u kualifikuar për herë të parë në Europian.
Xhani De Biazi i ka telefonuar të gjithë lojtarët, me të cilët u planifikua pjesëmarrja në Europian për të marrë një mendim rreth kësaj çështjeje. Burimet pranë gazetës bënë me dije se njëri prej futbollistëve ka thënë se dëshiron të luajë me Kosovën. Nuk është bërë i ditur emri i lojtarit, edhe pse ka një shpresë që ai të ndryshojë mendje dhe të vazhdojë të jetë pjesë e kuqezinjve.
Megjithatë, për të qenë sa më korrekt dhe profesionist edhe në këtë pikë, tekniku italian u ka lënë një afat kohor për t'u menduar dhe për t'i kthyer përgjigje përfundimtare lidhur me këtë çështje. Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë lajme se disa futbollistë të lindur në Kosovë, por që luajnë për Shqipërinë, mund të zgjedhin të luajnë me përfaqësuesen më të re të Europës.
Olsi Tujani
Lojtarët me origjinë nga Kosova
Lorik Cana, Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Frederik Veseli, Amir Rrahmani, Migjen Basha, Burim Kukeli, Taulant Xhaka, Amir Abrashi, Ermir Lenjani, Milot Rashica, Herolind Shala