Trajneri Xhani De Biazi i ka idetë e qarta se cilat janë variantet më të mundshme për kualifikimin e mëtejshëm. Gjatë një interviste radiofonike për "Radio 24", trajneri zbuloi të gjitha llogaritë e tij për vazhdimin e mëtejshëm në turne.
"Sytë i kam pikërisht te grupi i Italisë, duke shpresuar që edhe te grupi i Austrisë të ketë rezultate që na ndihmojnë. Një ndihmë mund të vijë edhe nga takimi mes Turqisë dhe Republikës Çeke. A kam folur me Konten për ndihmë? Jo, jo, ende...", tha me të qeshur trajneri i përfaqësueses shqiptare. "Ne nuk kemi çfarë të bëjmë tani, vetëm do të rrimë të shohim çfarë bëjnë të tjerët".
Megjithatë, trajneri duket i kënaqur, sido që të shkojnë gjërat në ditët në vijim. "Sido që të shkojë, kemi bërë një Europian të madh, tre paraqitje shumë të mira. Por për ironi të fatit, nuk morëm pikë në ndeshjet e para ku krijuam më shumë raste sesa mbrëmë që fituam.
Kemi vuajtur pak trysninë rreth nesh në ndeshjet e para. Mbrëmë u liruam nga kjo peshë që na kushtëzoi. Nuk kemi konkretizuar dhe ne e kemi paguar këtë gjë në ndeshjet e para. Po këto tre pikë mund të na mjaftojnë për të kaluar në fazën e dytë", tha ai, duke shtuar se koncepti i skuadrave të vogla nuk duhet të ekzistojë më.
"Sot në futboll ekziston një nivelim i përgjithshëm, ka pak diferenca mes skuadrave, i bëjnë lojtarët e mëdhenj apo episodet e skuadrave të kolauduara. Të vegjlit përdorin faktorin surprizë, entuziazmin, aspekte mbi të cilat duhet të punojmë ne trajnerët, për t'i dhënë diçka më shumë që na mungon nga ana teknike.
Ekipi ka mundësi rritjeje dhe jam i bindur se nëse do të vazhdojmë, për të luajtur ndaj Anglisë apo Gjermanisë, mund të themi fjalën tonë. Nuk do ta nisim ndeshjen si viktima, ashtu siç na shohin në teori. Fusha mund të thotë gjëra të ndryshme, jemi të ndërgjegjshëm mbi aftësitë tona. Forca jonë mund të jetë ajo që njohim limitet tona", theksoi De Biazi.