Përpos humbjes, situata te Flamurtari duket se nuk është shumë e qetë, pasi mes Kushtrim Lushtakut dhe Hektor Idrizajt ka pasur një debat. Gjithçka mësohet se ka ndodhur në dhomat e zhveshjes të fushës sportive "Reshit Rusi" në Shkodër në pushim të ndeshjes mes Vllaznisë dhe Flamurtarit.Edhe pse është folur për një sherr fizik mes tyre, një gjë e tillë me sa duket nuk ka ndodhur. Burime pranë klubit vlonjat kanë bërë me dije për "Panorama Sport" se në Shkodër ka pasur realisht një debat mes Kushtrim Lushtakut dhe Hektor Idrizajt.
Ka qenë Lushtaku ai që i ka kërkuar Idrizajt llogari se përse në fushë nuk i jep topa. "Nuk e kuptoj pse nuk më jep topin në fushë. Jam bosh dhe kërkoj të furnizohem me topa, ti nuk më shërben", mësohet se i ka thënë Lushtaku Idrizajt.
Por i kontaktuar nga gazeta, vlonjati Hektor Idrizaj e ka mohuar faktin se mes tij dhe Lushtakut ka pasur sherr dhe grushte. "Jo, nuk është e vërtetë aspak. Janë vetëm llafe", tha Idrizaj. Gazeta ka tentuar të kontaktojë lojtarin, në lidhje me një çështje të tillë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Thuhet se për çështjen në fjalë administratori Idrizi është njoftuar menjëherë sapo ajo ka ndodhur. Ndërkohë që trajneri Ramadani ka zëvendësuar Lushtakun në minutën 46 dhe flitet se shkak për një gjë të tillë mund të ketë qenë debati që ai ka pasur me Idrizajn.