Debatet ne Kuvend; Berisha Ke keshtjelle ne Qeparo Kokedhima Koha jote ka mbaruar

Debatet ne Kuvend; Berisha: Ke keshtjelle ne Qeparo, Kokedhima: Koha jote ka mbaruar

Ndryshimet në ligjin që bën të mundur kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe parandalimin e konfliktit të interesit kanë shkaktuar debate të forta në parlament, ku çështja më e diskutuar ka qenë ajo që përcakton se kreu i ILDKP-së nuk do të zgjidhet më me propozim të Presidentit, por do të zgjidhet direkt nga Kuvendi. Opozita tha se kjo përbën një rast të pastër të marrjes së kompetencës së Presidentit, në shkelje të Kushtetutës. Ndërsa mazhoranca argumentoi se Kushtetuta është miratuar pothuaj 5 vjet më parë se ILDKP të krijohej, ndaj ajo nuk ia njeh kreut të shtetit të drejtën e propozimit të emrit të kreut të ILDKP-së.

 

“Kjo kompetencë është në frymën e Kushtetutës, në frymën e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, në frymën e pavarësisë së tyre relative. Ai është parimi themelor i Kushtetutës dhe doni ta hiqni? Hiqeni, po ku do të përfundoni? Do ta shohim!” – tha Berisha. “Nuk shkelet, nuk hiqet asnjë kompetencë e Presidentit që ia ka dhënë Kushtetuta”, – tha kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Por për opozitën ky ndryshim vjen për një arsye të thjeshtë, mundësia për të zgjedhur kreun e ILDKP-së sipas dëshirës së mazhorancës me qëllim mbrojtjen e pasurive të tyre.

 

“Mos përdorni këtë platformë për t’u hedhur hi syve qytetarëve. Doni ta merrni noterin e pasurive tuaja që zgjodhi njerëz, jo me pupla, por me flatra kartëmonedhash. Keni 60 milionë euro nën dyshek dhe nën jastëk. Nuk kisha dëgjuar kurrë. Unë u thosha disa eksponentëve të mazhorancës suaj sepse bëjnë banjo në vaska floriri, kjo e tejkalon 10 herë vaskën e floririt”, – tha Berisha. Por sipas mazhorancës, qëndrimi i opozitës ndaj këtyre ndryshimeve tregon se ajo vetë ka frikë nga kontrolli i ILDKP-së. “Meqë i drejtohesh mazhorancës që fle në dyshek me para, atëherë shtrohet pyetja se ku fle lepuri? Lepuri fle, se ti ke frikë, bashkë me përfaqësuesit e tu, që ky institucion, i cili ka filluar të lëvizë nga vendi që në muajin e parë, kur ky institucion ka dy vjet që nuk ka kryer asnjë veprim”, – tha Ruçi.

 

Ndërkohë që relatori socialist i këtyre ndryshimeve, Armando Subashi nuk ka ngurruar që të bëjë përgjegjës vetë kreun e shtetit për situatën e korrupsionit në vend, kur ka theksuar se gjyqtari Gjin Gjoni, i denoncuar dy ditë më parë nga ILDKP-ja se ka fshehur pasurinë, është një nga bashkëpunëtorët e tij në KLD. “Rasti i denoncimit të djeshëm, i denoncimit të atij gjyqtarit të lartë që është bashkëpunëtor i Presidentit në KLD, presidentin duhet ta bëjë me turp, ashtu siç duhet ta bëjë me turp momenti kur na propozoi që në krye të këtij Inspektorati të ishte një zonjë, e cila mbajti në sirtar të fshehur dosjen për këtë gjyqtar, të cilin e nxori më së miri në sytë e publikut kryetari i ri, të cilin e përgëzoi për fytyrën e re që po i jep këtij institucioni”, – theksoi Subashi. Diskutimi i këtyre nismave ligjore ka sjellë në seancë dhe akuza të drejtpërdrejta për korrupsion dhe tentativë fshehjeje të pasurisë nga politikanët.

 

Debati Berisha- Kokedhima

 

Pas vitesh të tëra debati në distancë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti socialist, Koço Kokëdhima janë përballur dje në mënyrë direkte njëri me tjetrin në sallën e Parlamentit. Ka qenë Berisha ai që në vazhdën e akuzave të tij ndaj përfaqësuesve të mazhorancës, ka akuzuar dje sërish Kokëdhimën se në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama po zaptojnë pasuritë e shqiptarëve, duke filluar që nga bregdeti e nafta. Kjo ka sjellë reagimin e deputetit Kokëdhima, i cili teksa ka mohuar akuzat e Berishës, e ka konsideruar atë një shpifës. Berisha në fjalën e vet ka akuzuar kryeministrin Rama se nëpërmjet një mashtrimi, duke fshehur pasurinë e tij ka blerë një truall në periferi të Tiranës, ndërsa po ndërton në të vilën e tij.

 

Berisha: A e dini ju se ai para dy netësh ka patur një takim prej 150 minutash me kreun aktual të ILDKP-së? A e dini ju axhendën e këtij takimi?! Axhenda e këtij takimi ka qenë, së pari ndryshimi i të gjitha deklaratave të Edi Ramës. Po ja ku jam këtu, ti them se një gërmë po lëvize, do shkosh në prokurori si falsifikator, sepse ne kemi çdo të dhënë për të. A e dini ju që Edi Rama bën përpjekje për tokën që ka blerë, që ka thënë se e bleva tek vjehrri i Bushatit, nuk e di i ministrit apo Ervinit, se e bleva me 1.3 euro metrin? Tani përpiqet ta nxjerrë në gazeta se e ka blerë me 40 dollarë tek një Isuf që nuk ekziston fare. A e dini ju që ai po bën gjithçka për të falsifikuar origjinën e pasurive të tij? A e dini ju se ai dha një listë të tërë, në të cilën përfshihen gjykatësit e Gjykatës së Lartë, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, gjykatësit e Gjykatës Administrative, anëtarët e KLD-së dhe një seri gjykatësish të tjerë? A e dini se i dha një listë me politikanë në dy orë e gjysmë debat zotit Ganaj, në mënyrë që ai të fillojë gjuetinë e shtrigave?  Ju zotërinj që dolët dhe cituat këtu pasuritë e deklaruara të një familjeje para 2005, e cila është e vërtetë që nuk ka marrë një rrogë në Shqipëri, por është e vërtetë nga ana tjetër se ka qenë shqiptari më i paguar në hierarkinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe e shoqja e tij ka qenë fort mirë e paguar në misione të përbashkëta në NDI në Holandë dhe organizata të tjera amerikane. Ai i fshehu të gjitha pasuritë me Koçon. 11 vjet ministër dhe kryetar bashkie, 80% të lejeve ua dha Eftimit, shefit të tij për të ndarë pasuritë.

 

Koço Kokëdhima kërkon fjalën për replikë. (Dule që drejtonte seancën refuzon t’ia japë, duke i treguar Rregulloren, e cila sipas tij nuk lejon replikë mbi replikën. Deputetët socialistë reagojnë ashpër ndaj Dules)

 

Kokëdhima: Më vjen shumë keq që duhet të flas për herë të parë në këtë foltore pikërisht sot, pas shpifjeve të radhës të këtij zotërisë që ka manifestuar aktet më të qarta të shthurjes së vet mendore dhe morale. E boton zotëria një ndërtim në bregdet dhe shkruan: “Kjo është kështjella e Koços”. E boton pastaj tek RD-ja e tij dhe del këtu dhe na i lexon po shpifjen që sajoi vetë në mëngjes dhe na e nxjerr sikur është një burim jashtë vetes. Vite me radhë, zotëria e ka përdorur këtë foltore për të hedhur baltë mbi të gjithë ata njerëz që ka pasur përballë. Sa qindra fjalime ka bërë ky zotëria për mua? Por unë nuk e kam harxhuar kohën time. Qindra shpifje dhe qindra përgojime ka bërë ky zotëria 70-vjeçar këtu për mua, për punën time, për punën e kompanive të mia dhe për çështjet që nuk kanë qenë fare objekt i detyrës së tij. Edhe sot përmend gjëra me të cilat unë nuk kam asnjë lidhje. Në bregdet jetojnë njerëzit e mi, kushërinjtë, vëllezërit, njerëzit e mbiemrit tim, ashtu si të tjerët. Nuk them as që më dëgjojnë, as që nuk më dëgjojnë, por ata bëjnë jetën e tyre ashtu siç është ajo jetë dhe kanë bërë punët e tyre në këtë botë. Unë mund të deklaroj qartësisht se kurrë nuk kam këshilluar jo njerëzit e mi, por askënd tjetër të rrezikojë që të ekspozohet në shkelje të ligjit me biznesin e vet. Këtë gjë e dinë shumë njerëz, edhe në radhët tuaja që kanë pasur në jetën e tyre periudha që kanë punuar me mua. Deri në qershor t’u them të drejtën, kjo histori më shqetësonte, më shqetësonte vetë për një arsye, se nëna ime është në moshë të thyer, tani ajo është 76 vjeçe dhe sa herë shihte televizorin, trembej nga Saliu, se ajo kishte idenë se Saliu ishte si Enveri dhe të bën gjëmën. Nuk e dinte se çfarë ishin fjalimet e zotërisë këtu. Mirëpo dhe sot besoj më ndjek nëna ime dhe dua t’i them të njëjtën gjë që i kam thënë gjithmonë, mos u shqetëso nga shpifjet e Saliut, jeto ditët e tua e qetë se populli është çliruar nga ky rrezik. Nuk bie asgjë nga hetimi i korrupsionit të administratës dhe i gjykatësve. Ju zotëri përfituat gjithë këto vite nga përçarja e së majtës, po nga kjo përfitove, por nuk do të përfitosh më, ka ikur njëherë e përgjithmonë koha jote, ka perënduar koha jote; do ta shikosh se përballë së majtës së bashkuar do të jesh gjithmonë një hiç dhe të ngelet vetëm të shpifësh këtu.

 

Berisha: Gjatë 9 muajve, parafolësi ka folur vetëm një herë dhe kësaj here për kështjellën e tij dhe të Edi Ramës që po ndërtojnë në Qeparo. Tani kjo kështjellë, ose është e Ramës dhe e atij, ose është e Gramozit dhe e Cacit, por nuk kam asnjë fakt t’i akuzoj këta të dy. Është e Ramës dhe e Kokëdhimës. Shkresë në doganë ka çuar vetëm Kokëdhima, i cili është i çmenduar pas naftës. Pasi shtriu kthetrat me Endri Pukën, tani do të shtrihet në det, se atje luhet kontrabanda. Shkoni e shikoni kullat binjake që ka ngritur himarjoti në Himarë, që nuk e lidh asgjë me atë zonë. Shkoni në Himarë dhe shikoni si ia ka lidhur sytë me shami Himarës, me dy kulla ka bllokuar zonën. Ky zhvillimori i madh! E di si këndojnë ata? “Himarës kush ia lidhi sytë, ia lidhi Koçoja”. Çdo prishje ne breg ka vetëm inate primitive të Edvin Ramës dhe Koço Kokëdhimës. Ju doni të kapni bregun. Një qime floku po i preke kujt, ti dhe Rama do mbani përgjegjësi. Ja ku po ta them në këtë sallë.

 

Kokëdhima: Zotëria këtu i mori pasuritë e naftës popullit shqiptar dhe asnjë të ardhur nuk përfitoi buxheti i shtetit dhe populli shqiptar nga pasuritë e veta nëntokësore. Ia dha zotëria të gjithë atyre me të cilët ndante interesat. Mua mos më trego gishtin, se nga urtia mos më merr për frikacak. Mos më drejto gishtin mua dhe mos më bëj shantazhe!

 

Berisha: Do të përgjigjesh për gjithçka.

 

Kokëdhima: Ti do përgjigjesh, ti ke luajtur me pasuritë e shqiptarëve, ti je përgjegjës për gjithë këto krime këtu.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama