Ashtu si një numër gjithnjë e në rritje grash myslimane që banojnë në Evropë, vajza kreu një himenoplastinë, operacioni falë të cilit rivendoset himeni, membrana vaginale, që çahet gjatë marrëdhënies së parë seksuale në jetën e një femre.
"Në kulturën time, të mos jesh e virgjër është diçka e papranueshme", thotë studentja, e shtrirë në shtratin e klinikës, teksa priste t‘i kryenin operacionin të enjten e kësaj jave. "Në këtë moment për mua virgjëria është më e shtrenjtë se edhe vetë jeta".
Teksa popullsia myslimane e Evropës rritet me ritme të shpejta, shumë vajza të reja, që i përkasin këtij besimi, e gjejnë veten në kurthin e lirive që ofron shoqëria perëndimore, përballë të cilave gjenden traditat e vjetra, që ndjekin brezat e prindërve e gjyshërve të tyre.
Gjinekologët thonë se numri i vajzave myslimane që kërkojnë certifikata mjekësore për të vërtetuar virgjërinë rritet nga viti në vit. Kjo është shoqëruar edhe me rritjen e kërkesës për ndërhyrje kirurgjikale për rivendosjen e virgjërisë, gjë që, në rast se kryhet ashtu siç duhet, nuk mund të vihet re dhe krijon atë efektin aq të përfolur të përgjakjes gjatë natës së parë të martesës. Këtij shërbimi i bëhet gjerësisht publicitet në internet; ofrohen paketa turistike-shëndetësore për në vende si Tunizia, ku kjo ndërhyrje kushton më pak.
"Nëse je vajzë myslimane, por të qëllon të rritesh në shoqëri më të hapura, siç janë ato evropiane, mund të të ndodhë shumë lehtë të kesh marrëdhënie seksuale përpara martesës", thotë mjeku Hiçman Muallem, studioja e të cilit gjendet në Londër dhe e ka përfshirë këtë ndërhyrje te shërbimet që ofron. "Kështu, nëse ke ndër mend të martohesh me ndonjë mysliman, por nuk do të kesh probleme, gjëja e parë që të leverdis të bësh është rikthimi i virgjërisë".
Nuk ekzistojnë të dhëna të besueshme, pasi në shumicën e rasteve ndërhyrja bëhet në klinika private dhe ndodh tepër rrallë që pagesa të mbulohet nga sigurimet shëndetësore.
Për rivendosjen e cipës së virgjërisë është folur aq gjatë, saqë tema është bërë edhe subjekti i një filmi që do të shfaqet për herë të parë gjatë javës së ardhshme në Itali. Në film, titulli i të cilit është "Zemrat e grave", rrëfehet historia e një vajze të lindur në Marok me banim në Itali, e cila shkon në Kazablanka për të kryer operacionin.
Një nga karakteret e filmit bën edhe një batutë shumë të goditur lidhur me ndërhyrjen, duke i thënë se do "ta kthejë kilometrazhin në zero".
"Kuptuam pak nga pak se ajo që e mendonim si diçka që praktikohej rrallë ishte shumë e zakonshme", thotë Davide Skordela, regjisori i filmit. "Këto vajza e gra mund të jetojnë në Itali, të adoptojnë mentalitetin dhe stilin tonë të jetesës e të veshin xhinse. Por, në këtë çast të rëndësishëm nuk e gjejnë gjithë atë forcën që duhet për të shkuar kundër kulturës së vendeve të origjinës".
Problemi ka ndezur debate të nxehta, veçanërisht në Francë, ku mendohej se paragjykimet lidhur me virgjërinë ishin groposur njëherë e mirë që para 40 vjetësh, ku të qenit e virgjër apo jo për një vajzë nuk përbënte kurrfarë rëndësie.
Debati u nxeh edhe më tej përpara dy javësh, kur një trup gjykues i Lilës, qytet në veri të Francës, kishte anuluar martesën e një çifti mysliman, e kurorëzuar në vitin 2006, pasi dhëndri mësoi se e shoqja nuk ishte ajo virgjëresha që dinte ai.
Drama familjare përfshiu në debat gjithë Francën. Dhëndri, një inxhinier 30-vjeçar, emri i të cilit është mbajtur i rezervuar, e la shtratin martesor dhe u tregoi njerëzve të nuses, të cilët ende festonin, se vajza e kishte gënjyer. Vajza iu dorëzua po atë natë prindërve në pragun e shtëpisë.
Të nesërmen, inxhinieri kontaktoi me një avokat për ta bërë të pavlefshme ligjërisht martesën. Nusja, atëherë studente infermierie në të njëzetat, pranoi fajin, ashtu si edhe shfuqizimin e martesës.
Në sallën e gjyqit nuk u zu në gojë besimi fetar. Në vend të tij u fol për prishje kontrate dhe u arrit në përfundimin se inxhinieri ishte martuar me vajzën, pasi ajo i "ishte paraqitur si e pamartuar dhe e virgjër". Në Francën sekulare dhe republikane, çështja prek njëherësh disa subjekte mjaft delikate: ndërhyrja e besimit fetar në jetën e përditshme, kushtet për prishjen e një martese dhe barazinë gjinore.
Në Parlamentin francez u dëgjuan kësaj jave zëra për dorëheqjen e Rashida Datit, ministren e Drejtësisë, duke qenë se ajo fillimisht e përligji vendimin e gjykatës. Më pas, ministrja, e cila është edhe vetë myslimane, u tërhoq dhe kërkoi apelimin e çështjes së çiftit të ri.
Disa feministë, juristë dhe mjekë paralajmërojnë se në çastin që gjykata vendos të pranojë rëndësinë e virgjërisë në institucionin e martesës, do të shtyjë edhe më shumë franceze me origjinë nga vendet myslimane të kryejnë ndërhyrjen e shumëpërfolur kirurgjikale. Por, debati bëhet i fortë edhe në çastin kur diskutohet nëse procedura në vetvete është një akt çlirimi apo shtypjeje.
"Vendimi i gjyqit është një tradhti ndaj myslimaneve të Francës", tha Elisabet Badinder, shkrimtare feministe. "U dërgon femrave një mesazh pabarazie, duke u thënë se virgjëria është e rëndësishme në sytë e ligjit. Më shumë gra do i thonë vetes: ‘Zot, nuk kam ndër mend të rrezikoj. Do ia rikthej vetes virgjërinë‘".
Rasti i nuses së përzënë e bindi studenten e mësipërme ta kryente operacionin. Ajo këmbëngul se nuk ka kryer kurrë marrëdhënie seksuale dhe se membrana i është çarë aksidentalisht në çastin kur është vizituar për të marrë një certifikatë vërtetimi, të cilën do ua paraqiste burrit të ardhshëm dhe familjes së tij. Kujton se në moshën dhjetëvjeçare kishte vërejtur shenja gjaku pas një aksidenti me kalë.
Vajza tregon se trauma e shkaktuar nga fakti se nuk do të mund të vërtetonte se ishte e virgjër qe aq e fortë, sa në heshtje mori hua para për të mundur të kryente ndërhyrjen kirurgjikale.
"Pa një e pa dy, virgjëria është kthyer në faktor të rëndësishëm në Francë", thotë. "Kuptova se mund të shihesha nga të tjerët si ajo vajza për të cilën flasin nëpër televizione".
Ata specialistë që e kryejnë këtë procedurë thonë se u bëjnë veç mirë pacienteve, duke u garantuar një të ardhme të sigurt dhe duke parandaluar abuzimet e mundshme të baballarëve apo vëllezërve karshi tyre - ndonjëherë gjërat mund të përfundojnë edhe me vrasje.
"Cili jam unë për të gjykuar?" - thotë doktor Mark Abekas, i cili i riktheu virgjërinë studentes. "Kolegët e mi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëjnë këtë, pasi gratë e kërkojnë për t‘ua bërë dhuratë bashkëshortëve ditën e Shën Valentinit. Ajo që bëj unë është e ndryshme. Këtu nuk e bëjmë për qejf. Pacientet e mia nuk kanë rrugë tjetër nëse duan të gjejnë qetësinë - dhe burra".
Doktor Abekas, specialist i këtyre lloj ndërhyrjesh, që ai vetë i quan kirurgji "intime", tregon se kryen nga dy, në katër operacione në javë.
Kolegji Francez i Gjinekologëve dhe Obstetërve i kundërvihet procedurës, duke u bazuar te faktorë si morali, kultura e shëndeti.
"Për ta rritur barazinë realizuam një revolucion në Francë; i hymë një revolucioni në vitin 1968, ku gratë luftuan për pranimin e abortit dhe të masave kontraceptive", thotë doktor Zhak Lansak, lideri i grupit. "T‘i veshësh kaq shumë rëndësi cipës së virgjërisë është regres, nënshtrim ndaj intolerancës së të shkuarës".
Paris, vizitë në klinikën që rikthen virgjërinë
Gjendet dy hapa larg nga Shamp Elizeja. Është e njëjtë me të tjerat në këtë zonë të bukur: pallat i tetëqindës dhe mjaft hijerëndë, por pa teprime. Ka një klientelë kryesisht femërore, nën ankthin e bukurisë fizike: gjinjtë, celuliti, rrudhat. Por, këtu herë pas here paraqiten edhe shumë vajza myslimane, që nuk janë në kërkim të vitheve të bukura, apo gjinjve të përsosur. Vijnë të rigjejnë virgjërinë e humbur.
Kërkojnë qepjen e cipës së virgjërisë për t‘u dhënë bashkëshortëve iluzionin e dëlirësisë, për të respektuar traditat e vendeve nga vijnë dhe për të mos e gjetur veten të etiketuara me termin "të përdala".
Rasti i martesës së anuluar në Lilë ka nxjerrë në dritë një fenomen, që gjinekologët e njohin shumë mirë: "Na kërkojnë t‘u lëshojmë certifikata, që vërtetojnë se janë të virgjëra, si edhe rivendosjen e himenit. Nuk është fenomen me shtrirje shumë të madhe, por, gjithsesi, nuk ishte vënë re kurrë më parë: integralizmi po avancon", thotë profesori Zhak Lansak.
Dhe nuk vijnë vajza, apo gra të mbuluara nga koka te këmbët, por vajza që e kanë jetuar jetën si bashkëmoshataret e tyre me origjinë evropiane. Vajza, të cilat me afrimin e martesës kuptojnë se duhet t‘i përmbahen traditës, kërcënimeve të familjarëve, si edhe konceptit absurd të "burrit të vetëm". Disa prej tyre u drejtohen metodave të dikurshme, siç është vendosja e një cope mëlçie viçi në thellësi të vaginës, të tjerat zgjedhin himenoplastikën. Dhe janë të gatshme të paguajnë 2 mijë e ca dollarët e kërkuara për këtë ndërhyrje. "Virgjëria nuk ka çmim", thotë një vajzë, që sapo e ka kryer operacionin. Të tjera kërkojnë çmime më të arsyeshme, apo kirurgë që e shënojnë për ndërhyrje të tjera, të cilat rimbursohen nga sigurimet shëndetësore, ose shkojnë ta kryejnë gjetkë.
Nëpër site të shumta në internet, mjaft vajza rrëfejnë se sa e papërballueshme është pesha e familjeve në këtë pikë dhe sa e pamundur është çlirimi prej saj: "Ime më gjithnjë më ka përsëritur, nëse nuk shkon mirë me mësime, nuk është ndonjë tragjedi e madhe, diçka do të bëhet. Por po të humbasësh atë (virgjërinë), nuk ka shpëtim. Nuk ta merr askush një vajzë të papastër".
Në klinikën e Shamp Elizesë, Mark Abekas e kryen këtë operacion dy-tri herë në javë. Në vitin 2002 ishte ndër të parët që u hodh në kirurgjinë e penisit, por që prej një dhjetëvjeçari punon edhe me femrat: "Në fillim kërkesat për rivendosjen e cipës së virgjërisë qenë të rralla. Që prej dy tre vjetësh janë bërë të rregullta, mbi të gjitha, pasi sot ekziston shumë më tepër informacion lidhur me këtë procedurë". Pacientet e tij u përkasin moshave nga 18 në 35 vjeçe, e vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore: studente, shtëpiake, profesoresha, studiuese shkencore. "Kur mbërrijnë tek unë kanë reflektuar dhe janë menduar gjatë. Me ne flasin, mund ta bëjnë këtë hapur. Nuk më pëlqen ta bëj këtë lloj ndërhyrjeje, por nuk paragjykoj askënd: këto gra janë të dëshpëruara dhe unë dua t‘ua lehtësoj sa të mundem vuajtjet".
Pas portave të katit të katërt, ku gjendet klinika, takohen për disa orë botë që gjenden mijëra kilometra larg njëra-tjetrës. Në njërën bëjnë pjesë gra që jetojnë në botën aksidentale, ku bukuria është kthyer në obsesion. Gjenden aty, sepse nuk hezitojnë të bëjnë gjithçka të mundshme për t‘u bërë të bukura e sa më joshëse. Në botën tjetër bëjnë pjesë vajza që duhet të rikthejnë virgjërinë për t‘u hequr sikur u janë dhënë një mashkulli të vetëm në jetë. Dy botë jo dhe aq të ndryshme, sipas një gjinekologu që punon në një zonë periferike të Parisit: "Pranojmë t‘u zbukurojmë gjinjtë grave që të duken si ato kukullat që shfaqen nëpër kopertinat e revistave: përse të mos u qepim edhe cipën e virgjërisë? Në të dyja rastet bëhet fjalë për nënshtrim ndaj një ideologjie të caktuar, aksidentale për të parat, myslimane për të dytat". Qëndrim që miratohet nga shumë pak prej kolegëve të tij.
Nga : Gazeta Shqip