Debati per armet frika se asgje nuk do te ndryshoje

Debati per armet, frika se asgje nuk do te ndryshoje
Michael Moore për të mbështetur fushatën politike kundër posedimit të ligjshëm të armëve në SHBA.Michael Moore për të mbështetur fushatën politike kundër posedimit të ligjshëm të armëve në SHBA.Vrasjet në shkollën fillore në Konektikat tmerruan Amerikën. Por çfarë ndikimi mund të ketë kjo ngjarje në ligjet e këtij vendi për posedimin e armëve? Edhe për një vend që ka shumë kujtime nga masakra të tilla, vrasjet në shkollën fillore Sandy Hook qenë shumë më tronditëse.

Njëzet fëmijë dhe gjashtë të rritur kanë mbetur të vrarë. Vrasësi vrau veten në fund të aktit. Tragjedia rihapi debatin mbi ligjet për posedimin e armëve dhe mbështetësit e reformës kanë ritheksuar nevojën për kontrolle më të ashpra. Pas vrasjeve, Presidenti Barack Obama me lot në sy premtoi “veprime kuptimplota”, duke shtuar: “Si komb, ne kemi kaluar shumë e tepër herë diçka të tillë”. Sipas një studimi të publikuar këtë vit, mes 62 ngjarjeve të tilla të ndodhura që nga viti 1982, tri të katërtat e 139 armëve të përdorura qenë nën posedim të ligjshëm të dikujt. Nga këto, më shumë se 60 qenë armë dore gjysmautomatike dhe 30 qenë armë lufte.

Por në një vend që ka rreth 300 milionë armë në qarkullim dhe ku e drejta për të mbajtur armë është e caktuar në Kushtetutë, avokatët për shtimin e kontrollit të armëve kanë frikë se asgjë nuk do të ndryshojë edhe në këtë rast. Mbështetja publike për ligje më kufizuese për posedimin e armëve ka qenë në rënie gjatë viteve të fundit, së bashku me nivelin e përgjithshëm të krimeve të dhunshme.

SHBA-ja është një vend ku Shoqata Kombëtare e Armëve, një organizatë që mbron të drejtën për posedim të ligjshëm të armëve, ka më shumë se 4 milionë anëtarë. Pothuajse gjysma e amerikanëve jetojnë në një shtëpi ku ka armë zjarri.Si pasojë e rënies së zemërimit të publikut ndaj armëve, edhe politikanët janë larguar nga aksionet në mbështetje të kufizimit, thotë James Jacobs, drejtor i Qendrës Kërkimore për Krim dhe Drejtësi në Universitetin e Nju Jorkut.

“Politika ka pasur tendencë të mbështesë më shumë pronarët e armëve gjatë njëzet viteve të fundit”, shotë ai. Gjykata Kushtetuese vendosi në vitin 2008 se Kushtetuta në amendamentin e dytë u jep amerikanëve të drejtë për të pasur nën pronësi armë për përdorim personal, por jo për mbrojtje kolektive dhe nuk u jep të drejtë shteteve të mbajnë milici.

Kongresi i SHBA-së aktualisht kontrollohet nga republikanët, të cilët kanë lidhje me Shoqatën Kombëtare të Pronarëve të Armëve. Ish-presidenti George w. Bush lejoi që në vitin 2004, një ndalesë federale për posedimin e armëve të sulmit, të skadojë. Ndërkohë, zemërimi ndaj demokratëve që miratuan ligje kufizuese në vitet 1993 dhe 1994, i ka frikësuar politikanët e tjerë të ndërmarrin hapa të tillë, thotë Kristin Goss nga Universiteti Duke.

“Demokratët kanë besimin se kjo nuk është një çështje që mund të fitohet”, shton ajo.

Për rrjedhojë, posedimi i armëve nuk ka qenë as një temë e rëndësishme debati gjatë zgjedhjeve të vitit 2012, me përjashtim të deklaratës së Obamës në mbështetje të ndalimit të armëve të sulmit.

Vende të tjera kanë reaguar përballë ngjarjeve të tilla, duke kufizuar të drejtën e posedimit të armëve. Blerja e armëve është kufizuar në Britaninë e Madhe pas një masakre në vitin 1987, ndërsa armët e dorës u ndaluan pas një ngjarjeje të ngjashme më 1996-n. Australia vendosi ligje kontrolli pasi 35 vetë mbetën të vrarë në Portin Arthur në Tasmania më 1996-n. Finlanda, e cila ka disa nga ligjet më liberale në Europë për posedimin e armëve, vendosi kufizime mbi lejet e armëve të dorës pas vrasjes së 11 vetëve në një kolegj në vitin 2008.

Por jo të gjitha ngjarjet e tilla kanë pasur përgjigje. Norvegjia, ku kufizimet e armëve të zjarrit kanë qenë sakaq të konsiderueshme, nuk i kufizoi ato më tej, pasi Anders Behring Breivik kreu masakrën në ishull. Natyrisht që në SHBA, një vend ku vetëm gjatë vitit të fundit ka pasur 13 sulme të çmendura me armë, nuk kanë ndodhur ndryshime. Por shkalla dhe natyra e masakrës në Konektikat i ka kthyer diskutimet për kufizimin e armëve në axhendë, në një mënyrë që tragjeditë e tjera nuk e kanë bërë.

Mbështetësit e kufizimeve besojnë se mandati i ri i Presidentit do t’i lejojë këtij të fundit të ecë përpara në këtë drejtim. Megjithëse nuk është e pamundur, një ligj i ri për armët mbetet ende shumë larg miratimit, thotë Robert Spitzer, një profesor në Nju Jork. “Njerëzit janë tronditur sinqerisht nga kjo gjë”, shton ai. “Obama është në pozicion të duhur për të ushtruar vullnetin e tij. Por është shumë e vështirë gjithsesi të arrihet deri te miratimi i një ligji”,

Sistemi amerikan është i tillë që shumica e ligjeve për armët vendosen nga shtetet. Konektikati ka një ligj relativisht të fortë në krahasim me standardet amerikane. Shumë vrima ligjore duhet të identifikohen dhe mbyllen. Akti Brady i nënshkruar nga Bill Clinton më 1993, kërkon kontrolle federale për të shkuarën e blerësve të armëve, duke ndaluar ata me të shkuar kriminale apo me probleme të shëndetit mendor. Por 40 për qind e shitjes së armëve nuk janë prekur nga ky ligj, pasi ato kryhen mes individëve privatë, përfshirë armët e shitura në internet. Edhe nëse vendosen kontrolle më të ashpra, nuk mund të jesh i sigurt.

Jared Loughner, i cili plagosi anëtaren e kongresit Gabrielle Giffords dhe vrau gjashtë të tjerë më 2011-n, pati blerë një pistoletë, pavarësisht se kishte probleme me policinë. Por ai nuk ishte dënuar kurrë për ndonjë krim dhe as nuk ishte regjistruar në spital për probleme mendore. Aktivistët që kërkojnë kontrollin e armëve të zjarrit këmbëngulin se SHBA-ja ka 3.2 vrasje me armë zjarri për 100 mijë banorë nga 1.6 që ka Kanadaja, 1 Australia dhe 0.1 Anglia. Por edhe ata e kanë të qartë se mund të jetë e pamundur një ndalim i plotë i armëve të zjarrit, për shkak të sasisë së madhe që sakaq qarkullon lirshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama