Decoupage clirimi i fantazise!

Decoupage, clirimi i fantazise!
A keni menduar ndonjëherë se ajo karrikja e vjetër e gjyshes nuk duhet hedhur tutje por mund të kthehet në një vepër arti? Apo që kutitë e kartonit mund të bëhen natyrshëm mbajtëse luksoze bizhuterish, me dekore floreale dhe dedikime të personalizuara. Çdo gjë që mund tju duket e vjetër, të cilën mendoni ta hidhni në plehra, mendojeni dhe njëherë. Fantazia nuk njeh kufi në artin e decoupage-it. E është pikërisht ky art që prezantohet për herë të parë edhe në Tiranë

Një botë plot fantazi të befason në dyqanin e vogël të decoupage në hyrje të rrugës Vaso Pasha, pranë farmacisë Greke në zonën e ish bllokut. Kuti të përmasave të ndryshme të dekoruara me imazhe ëngjëjsh e lulesh plot ngjyra, topa plastikë me dekore të arta, zemra të kuqe të stampuara në kuti kartoni, tjegulla të vjetra të pikturuara me pejsazhe impresioniste, kuti druri të gdhendura në ngjyrë të purpurt. Të gjitha këto të bëjnë të ndihesh si Liza në botën e çudirave. Sepse filozofia e këtij arti individual është shumë e thjeshtë, prij dhe ngjit, me gjithçka që mund të të shkojë në mendje.

E zonja e këtij dyqani, ose artistja e parë që solli artin e decoupage në Shqipëri quhet Flora Zhaka, një zonjë e cila si shumë shqiptarë të tjerë në fillim të viteve 90 u largua nga Shqipëria drejt Italisë. Gjatë viteve të emigracionit në shtetin fqinj për herë të parë ajo u përball me këtë art, në shtëpinë e një prej mikeshave të saj italiane. Ndaj vendosi që ta mësonte medoemos atë e ta sillte edhe në Shqipëri.

- Ishte një habi shumë e madhe për mua, kur mësova se zonja e shtëpisë që po vizitoja kishte realizuar gjithë objektet e mrekullueshme të dekorit të ambjenteve të brendshme të apartamentit të saj krejtësisht vetë,- thotë Flora. Atëhere unë menjëherë kuptova se çfarë doja të bëja në të ardhmen, doja të krijoja e tu jepja jetë objekteve nëpërmjet fantazisë time. Kështu nisa të ndiqja kurse, të mësoja mbi këtë art. E bukura e tij është si ti kurrë nuk mund të thuash i mësova të gjitha, fantasia nuk ka fund në decoupage.
Fjala “Decoupage” vjen nga frëngjishtja dhe do të thotë prerje, pasi thelbi i këtij arti është të presësh e ngjisësh çdo gjë që mund të mbivendoset nga një objekt në një tjetër. Për të kuptuar diçka më shumë, se cfarë do të thotë decoupage e për ta qartësuar për ata që nuk e njohin, Flora na rrëfen se bëhet fjalë për një teknikë dekorative e cila bazohet në prerjen dhe ngjitjen e imazheve, letrave me ngjyra mbi objekte të ndryshme. Nuk ka kufij në llojin e këtyre objekteve, ato mund jenë druri, qelqi, qeramike, kartoni, hekuri. Mjafton të jetë diçka mbi të cilën mund të presësh, ngjitësh, ngjyrosësh e çdo gjë që të vjen në mend e të përcon shije të këndshme. Kështu bëhet i mundur rinovimi i shumë objekteve të vjetra ose mobilieve që kemi në shtëpitë tona, riciklimi i shumë sendeve që në një shikim të parë do të dukeshi thjesht mbeturina, duke i kthyer në objekte te personalizuara e duke i përshtatur më së miri me stilin e jetesës apo dekorimit të shtëpive tona. Kjo gjë mund të bëhet prej secilit prej nesh, por në pamundësi për të patur kurse decoupage, vjen në ndihmë ky dyqan i vogël mjafton të kesh idenë fillestare, pasi realizimi i saj do tju befasojë dhe ju vetë.

Kutitë e thjeshta të drurit mund të kenë dedikime të personalizuara, topat e qelqit do të kenë brënda fotografitë e njerëzve të dashur, mbi koshin e çadrave në korridorin tuaj do të lodrojnë ëngjëjt, pikturat e Botticellit do të përjetësohen në tabakatë e ëmbëlsirave, ndërsa në tavolinën tuaj të gjitha pjatat, pecetat, gotat e gjithçka do të kenë logon e familjes.

-Gjithçka që do të dëshironit, unë mund ta realizoj- thotë Flora duke qeshur kur e pyet se a ka fund fantazia. Sigurisht për këtë gjë duhet edhe kohë në dispozicion dhe materiale të veçanta, të cilat për fat të keq unë mund ti gjej vetëm në Itali, pasi këtu është thuajse e pamundur të gjesh ato të duhurat. Shpesh herë objektet sidomos ato të qelqit duhet të kalojnë në proçesin e pjekjes në furrë, për të patur një rezultat natyral e të jenë rezistente në kohë. Por padyshim, çdokush që dëshiron të impresionojë veten dhe të tjerët nëpërmjet objekteve këtu mund gjejë atë që kërkon.

 Për shembull, më ka ndodhur të realizoj një dasëm të tërë sipas ideve të çiftit që martohej. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Asgjë nuk ju la rastësisë, që nga ftesat tek konfetat që u ndane në kishë, tek dekorimi i tavolinave në restorant, menuja e gjithçka tjetër. Gjithçka ishte e personalizuar dhe përcillte shijet e dy të rinjve që po martoheshin, përfshirë edhe albumin e fotografive në fund. Kjo është ajo çka unë e quaj shije personale. Dhe që mund të bëhet realitet fare lehtë.

Ideja është e qartë, festat në këtë periudhë nuk mungojnë. Le ta fillojmë me një të afërt, 8 marsin. Për nënat, motrat apo bashkëshortet mund të ketë një mënyrë të veçantë për ti uruar, e do të jemi të sigurtë që do të mbetet një kujtim i pashlyer. Mjafton një ide origjinale, për të tjerat mendon Flora.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama