Dedin Suli Ju rrefej historine e koreografise shqiptare

Dedin Suli: Ju rrefej historine e koreografise shqiptare

Shqiptaro-italiani Dedin Suli është koreograf dhe studiues i artit koreografik. Ai ka shkruar librat:”Artistë të shquar të interpretimit koreografik shqiptar1950-2012”, “Besim Zekthi, korife i vallëzimit shqiptar”, ”Agron Aliaj, artisti që thuri legjendë”, si dhe ka në shtyp një libër për Rexhep Çelikun. Dedin Suli prej vitesh banon në Itali, por ai kurrë nuk e harron ardhjen në Shqipëri si dhe lidhjen e kahershme me TOB-in,ndonëse ka kohë që është larguar. Ai është autor i dhjetëra shkrimeve të tjera ku promovon vlera të artistëve dhe të artit koreografik të botuar në shtypin shqiptar dhe atë italian. Libri i tij për Agron Aliajn është shoqëruar me një parathënie të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ndërsa për studimet e tij nuk janë kursyer të bëjnë vlerësime edhe kritikë të tjerë me zë, ndër ta Adriatik Kallulli, Josif Papagjoni, etj.

Ju e keni filluar jetën artistike që herët. Si mund ta përcillni sot atë kohë?

Siç mund të përcillet një kohë e fillimit, atëherë mjaft gjëra nuk i dinim ,por mjaftonte pasioni dhe dëshira. Ishte viti 1951 kur u krijua Filarmonia dhe fillova punën si koreograf. Me krijimin e TOB-it, 1957, filarmonia u nda. Ishin shfaqjet e para ”Shatërvani i Bahçisrajt”, pastaj “Romeo e Zhuljeta”, “Halili dhe Hajria’, etj, ku debutova si kërcimtar. Krijimtarinë e kam filluar në Shkodër-një tablo muzikore emetuese nga Tonin Hrapi, pastaj në vitet 1960-61 fillon një krijimtari më e zgjeruar me tablo koreografike të Çesk Zadesë. Duhet thënë se unë kam lindur në Shkodër, në një qytet ku m`u dha rasti të dëgjoj muzikë të Verdit, Bahut, Moxarit, Shubertit, dalë nga ca pllaka gramafoni në shkollë, prej Peng Jakovës.Në jetë për çdo talent të ri është e nevojshme një përkrahje,dhe mua mu gjendën përkrahësit të cilëve  jam mirënjohësi Faruk Koka dhe Ylli Bebeziqi.

Lëvizja kulturore artistike koreografike nga ajo periudhë e sot, si duket ka njohur një ngjitje të pandërprerë, pavarësisht ideoligjizimit dhe luhatjeve të ndryshme të cilat vijnë natyrshëm në rrugën e artit. Cili është vlerësimi juaj për këtë?

Pas Luftës së Dytë Botërore, në vendin tonë filloi një interesim i madh për artin koreografik. Duhet thënë se arti koreografik kaloi në vlerësimin institucion ,në vëmendjen e drejtpërdrejtë të shtetit. Ne jemi një vend shumë i pasur me valle dhe vallet tona janë të larmishme. Ishte shumë e rëndësishme që ato të viheshin në vëmendje të përpunimit dhe lartësimit të tyre artistik. U krijua filarmonia, TOB, Ansambli i këngëve dhe valleve, Shkolla e Baletit,p a përmendur këtu gjithë veprimtaritë e tjera të organizuara në nivel lokal dhe kombëtar. U vunë në skenë vepra të vështira si Halili dhe Hajria, Delina, Shota dhe Azem Galica, Joniada, etj. Duhet thënë se krijimtaria koreografike njohu përveç përkrahjes së shtetit edhe daljen në skenë të disa mjeshtërve të vërtetë, krijuesve dhe studiuesve me vlera si Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Agron Aliaj, Ramazan Bogdani etj, etj, të cilët i dhanë tonusin emblematik artit më cilësor të kërcimit. Dua të shtoj këtu emrin e Albert Jankut, artist i merituar, interpretues i shumë roleve në baletin kombëtar, por edhe në balete të huaja.Ai është korepertitor pranë baletit në TOB. Ka botuar librin: ”Kështu e njoha unë Panajot Kanaçin”. Albert Janku shkëlqen si artist që nga viti 1964.

Të vijmë në ditët e sotme. Kohrat vetiu e krijojnë një raport me njëra tjetrën dhe kjo është e vetëkuptueshme. Arti i madh gjithmonë është krijuar në kohra të vështira, shtrëngicash të mëdha dhe regjimesh të egra, pa paragjykuar ecurinë e tij në kohrat më të qeta. Sot, pra, si e shikoni ecurinë e artit koreografik.

Sot është liri veprimi dhe njeriu ka mundësi të bëjë zgjedhjen e tij.Po liria nganjëherë bëhet një sugjestion dehës. Janë larguar artistë shumë të mirë nga skena e kërcimit shqiptar si Angjelin Perlocaj, Klejdi Kadiu, Ilir Shaqiri, etj. Pse largohen këta artistë kjo është e vetëkuptueshme, po më duhet të shtoj se arti ,sidomos ai koreografik është dashur ta ketë një përkrahje më të madhe të shtetit, si në tërheqjen e vëmendjes ndaj problemeve të organizimit dhe nxitjes së talenteve ashtu edhe në mbështetjen financiare. Unë mendoj se kjo ndihmë do vijë duke u pjekur elementët kulturorë të shoqërisë sonë, gjithashtu duke kuptuar se një traditë e mirë në këtë lëmë gjithmonë e shtron një lehtësi dhe jep një pikëmbështetje për të ecur më mirë drejt krijimit të vlerave artistike.

Sipas jush, si studiues, çfarë larmie paraqet vallja shqiptare,cilat janë karakteristikat që e dallojnë të në rrafshin krahasues me vende të tjera?

Vallet, folklori koreografik shqiptar është i veçantë. Ka një dallim nga vallet ballkanike dhe larmi ngjyrash në kostumografi. Me një densitet dhe harmoni të pakundshoqe të strukturave të lëvizjeve. Gjithnjë duhet të mendohet se popujt kanë marrë dhe kanë dhënë me njëri tjetrin, megjithatë, populli shqiptar ka ditur të ruajë origjinalitetin dhe freskinë e vet në art. Pushtimet e huaja kanë lënë ndonjë shenjë imitacion të vogël në vallet e Shqipnisë së Mesme, por pa rëndësi të dukshme. Në përgjegjësi folklori shqiptar është konservativ në shekuj, ka rigjeneruar veten duke pasur një forcë vitale të burueshme prej fantazisë dhe shpirtit të vet. Çdo zonë ka vallet e veta karakteristike të cilat nganjëherë emërtohen me emrin e një krahine të caktuar ,ose të një zone më të gjërë. Diversiteti i vlerave nuk i ikën përbashkësisë së etnisë, forcës jetësore dhe morale të një populli të lidhur me truallin e vet, historinë, luftrat, përpjekjeve për ndërtimin e jetës. Kjo larmi duhet njohur, dhe pikërisht kjo më ka imponuar gjithnjë një kërshëri të madhe për të ndjekur me kujdes gjithë këtë laryshi të valles shqiptare e të krijimit muzikor,si koreograf por edhe studiues, duke mos haruar se vërtetë folklorin e bën populli, po midis popullit ka mjeshtër të vërtetë, ashtu siç kanë dalë edhe njerëz të talentuar që vunë bazt e baletit shqiptar. Trofeu i vitit 1970 në Dizhon të Francës: ”Gjerdan i Artë”, ishte një kulminacion, një meritë e veçantë e asaj valleje të bukur dhe e këngës shqiptare..

Në librin tuaj  ju jeni treguar i kujdesshëm  duke dhënë në mënyrë të detajuar jo vetëm emrat e artistëve-duket se nuk u ka shpëtuar gjë- një biografi jetësore dhe formimi shkollor, po edhe veprat e tyre. Është kjo një homazh e nderim apo përbën edhe një shkollë, përvoje për artin në tërësi..

Natyrisht kam dashur dhe besoj ia kam arritur të bëj diçka edhe si homazh, po më shumë për të treguar se gjërat kanë kujtesë dhe kjo kujtesë ia vlen të gdhendet, sepse sado koha të bëjë punën e saj, ajo ka nevojë të ripërtërihet dhe të flasë. Kam dashur të flas me gjuhën e fateve jashtë çdo amplifikimi të panevojshëm, të sjell në vëmendje gjithë atë larmi të teatrit muzikor dhe të baletit dhe koreografisë në tërësi. Çdo histori është jo vetëm një krenari-veçmas kjo krenari bëhet e fortë sa më tepër kalon koha-por edhe një përvojë për të kthyer kokën pas e për të riparë disa gjëra, për të pasur iniciativat në vënien në skenë të gjinive muzikore të vështira, sidomos krijime origjinale të muzikës dhe baletit shqiptar. Për të përkrahur talentet e reja e për t`u dhënë mundësi e për të krijuar hapësira për ta.

Ju vini dhe rrini me muaj në Shqipëri. Çfarë u shtyn për këtë? Natyrisht kjo pyetje u duket disi e zakonshme ose si një farë inercie për bisedë, por ndërsa shumë artistë ikin dhe s`vijnë më ose vijnë rrallë si vizitorë të zakonshëm, përkundrazi ju vazhdoni projektet e botimit të librave dhe kontaktet me njerëz të artit ,megjithëse një pjesë e shokëve s`janë më.

Në justifikimin që i bëni pyetjes suaj sqaroni atë që edhe unë kam ndërmend të them. Më pëlqen të gërmoj, të lë diçka, siç më pëlqen të takoj njerëz dhe të bisedoj. Sot njeriu mund të jetojë ku të dojë dhe nuk pse paragjykohet për këtë, por rikthimi në kohë është një farë jetese e dyfishtë, jo vetëm për nostalgji, por për të dhënë diçka. Zamir Këlliçi ka ruajtur gjithë arkivin muzikor në TOB, e ka sistemuar në letër. Akoma nuk është dixhitalizuar. Është një e metë e madhe që në kohra të caktuara shumë shfaqje të bukura nuk janë filmuar. Sa  mirë do qe që shfaqjet e para të ishin të filmuara. E them këtë se ne krenohemi me të. Por nuk e quaj të arsyeshme që të mos përshkruhen dhe sistemohen nëpër libra, çka më ka sjellë krahas pasionit edhe një detyrim moral.

Si e shikon perspektivën e artit koreografik?

Nuk jam skeptik, por dua të them se një përpjekje më e madhe do të qe e udhës. Kur është dhënë Liqeni i Mjellmave, kostumet dhe skenat, janë marrë në Romë. Nayrisht sot ka bashkëpunime, por të mos harrojmë se një investim më i madh do e gjallëronte më shumë koreografinë shqiptare. Gjithnjë duhet të memorizojmë se ‘abc’ e koreografisë është Panajot Kanaçi, se emrat e mëdhenj të Agron Aliajt, Besim Zekthit, Ramazan Bogdanit që është një etnokorolog i shkëlqyer me 18 vëllime punë studimore, për të vijuar me Lili Cingun, Rexhep Çelikun e me radhë…Përmendja e emrave has vështirësi, por lexuesi mund të lexojë në libër emra dhe dëshmi të arritjeve të mëdha koreografike nëpër kohë. Perspektivën e artit koreografik shqiptar sot, me hapjen e Shqipërisë, e shoh si një mundësi për të dalë talente, por më vjen keq që talentet më të mira i merr bota,

Dhe e fundit…

Tani jam në mbarim të librit “Valltari fluturues”për Rexhep Çelikun,një valltar dhe artist që njihet nga të gjithë. Për një studiues është e rëndësishme të hulumtojë dhe të sjellë gjithnjë në fokus gjëra që ai mendon se duhen trajtuar. Më tej fjalën e ka lexuesi dhe koha…

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama