Toka që ikën nën këmbë
Vetëm dje në Xibrakë të Elbasanit dy familje njoftuan se shtëpia ishte në prag të shkatërrimit pas rrëshqitjes së tokës. Një javë më parë në fshatin Kuturman, e më herët në Babje po ashtu u denoncuan shtëpi të cila po shemben. 22 banesa rrezikojnë shembjen në lagjen “10 korriku” në Vlorë. Dhjetëra shtëpi në Zonën e Currilave në Durrës janë në rrezik prej kohësh, por Bashkia thotë se, megjithëse ka një projekt, nuk ka fonde që të rehabilitojë kodrën. Rasti më i rëndë u regjistrua në Gracie të Mallakastrës ku 12 shtëpi u shembën totalisht, ndërsa një fshat i tërë u zgjua në panik pasi një masiv i madh toke rrëshqiti vetëm në pak orë gjatë natës. Shembje të tjera ka thuajse në çdo qark të vendit ku situata rëndohet sa herë që bie shi, ndërsa numri i banesave të rrezikuara shtohet çdo ditë, duke e bërë të pamundur përballimin e situatës nga buxhetet në krizë të komunave dhe bashkive.
Në raportin e fundit për mjedisin të publikuar në faqen online në vitin 2010, Ministria e Mjedisit raporton një numër në rritje të shkarjes së tokës me rreth 100-150 hektarë të rrezikuara, ndërsa thekson se listës së rrezikuar i ishin shtuar edhe zona të reja, kryesisht në periferi të qyteteve të mëdha. Arsyet, veç atyre të pakontrollueshme prej njeriut, sipas të njëjtit raport kanë të bëjnë me prerjen e pyjeve, largimin e banorëve, mungesën e administrimit të ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore dhe sigurisht ndërtimet pa kritere në periferitë e qyteteve të mëdha apo gërmimet dhe zhvendosje dherash po ashtu për efekt ndërtimi në mjaft zona. Ndërkohë situata nuk pritet të përmirësohet, përkujdesja për kullimin e ujërave sipërfaqësore dhe mbajtja nën kontroll e atyre nëntokësore apo prerja pa kriter e pemëve nuk duket se kanë ndaluar, çka duket se do ta bëjë edhe më keq situatën në vend.
Përmbytjet
Rreth 5 mijë hektarë tokë e mbi 300 shtëpi në Shkodër kanë më shumë se një javë që janë të përmbytura apo të rrethuara nga uji dhe askush nuk duket se mund të bëjë ndonjë gjë për këtë. Është përmbytja e disatë në më pak se 5 vjet, dhe njerëzit kanë humbur edhe numrin, ndërsa dëmet janë tashmë më të rënda sesa në të parat, gjë që ka sjellë thuajse rrënimin e fermerëve të cilët, siç thonë, presin ende dëmshpërblimet për përmbytjet e mëhershme. Xhevat Mollca, kryetar në komunën Ana e Malit, thotë se “njerëzit janë të shqetësuar pasi nuk kanë shpresë se do marrin as dëmshpërblimin e 2010-ës, ndërsa dëmi i shkaktuar këtë herë në bujqësi është më i madh. Ushqimi për blegtorinë përbën më shumë problem se ai për njerëzit, ndërsa deri tani nuk ka patur asnjë ndihmë”. Gjendjaështë e rëndë edhe në Fier po ashtu. Lagjet e qytetit janë mbytur më shumë se dy herë në pak muaj nga dalja e Gjanicës.
Semani dhe Vjosa po ashtu kanë shkaktuar përmbytje në fshatra të Fierit dhe Vlorës, ndërkohë që lagje të Durrësit dhe Shijakut e disa fshatra janë mbuluar më shumë se një herë nga uji vetëm brenda 3 muajve të fundit. Për dhjetëra shtëpi evakuimet u kthyen në sport, kjo më shumë për shkak të ndërtimeve në zona të rrezikuara, por edhe prej degradimit të shtretërve të lumenjve. Në Fier, daljet e Gjanicës sa herë që ka reshje janë kryesisht për shkak të mbushjes me inerte të lumit dhe pamundësisë për ta pastruar atë. Ndërkohë përmbytja me inerte e grykëderdhjeve të Ishmit e Erzenit ka shkaktuar gjithashtu përmbytje në disa raste në pak muaj.
A e ndjek njeri parashikimin e motit?!
Shkaqet e tjera janë mungesa apo mosvënia në punë e hidrovorëve, bllokimi i kanaleve kulluese dhe një sërë defektesh në rrjetin që duhet të mirëmbajë lumenjtë apo rezervuarët. Shkodra dhe zona për rreth saj sidoqoftë mbetet unike në gjithë këtë katrahurë dhe mungesë kontrolli mbi mjedisin. Zona përmbytet gjithmonë kur hapen portat e hidrocentraleve në Drin, por pavarësisht se ky “fenomen” duhej të ishte i kontrolluar dhe duhej të zbutej duke bërë shkarkim të ngadalshëm por më të hershëm, një gjë e tillë nuk ndodh e duket se vuhet nga mungesa e informacionit për motin dhe parashikimin e tij, që njëkohësisht do të mund të përllogariste edhe prurjet e Drinit në liqene. Mbetet ende “mister” nëse ka apo jo një parashikim të motit dhe sasisë së reshjeve në zonën ujëmbledhëse të Drinit dhe liqeneve të krijuara mbi të, që në mos do të shmangte rrezikun, do të ndihmonte banorët të ishin të paralajmëruar një javë apo qoftë dy ditë para se portat të hapeshin dhe uji t’u vërshonte në shtëpi.