Luftëtari duket se ka gjetur heroin e ri në gjysmën e dytë të kampionatit. Talenti vlonjat Dejvi Bregu edhe një herë tjetër është treguar vendimtar për gjirokastritët, pasi i ka dhënë skuadrës së tij një trepikësh me shumë vlera ndaj Shkumbinit.
Me pesë golat e shënuar deri më tani bluzinjtë i kanë dhënë ekipit të drejtuar nga Gerd Haxhiu po kaq fitore, por edhe kryesimin e grupit. Nuk duhet të harrojmë se diferenca e Luftë- tarit me vendin e dytë është vetëm dy pikë dhe një hap fals mund t'u kushtojë shumë gjirokastritëve.
Deklarata - Në një prononcim për "Panorama Sport", 21-vjeçari i Luftëtarit, që tanimë po fiton edhe zemrat e tifozëve, ka folur në lidhje me paraqitjet e tij, por edhe golin e shënuar ndaj Shkumbinit.
"Edhe pse nuk kam arritur të shënoj sipas stilit tim, jam i kënaqur që i kam dhënë skuadrës tri pikë shumë të domosdoshme për ecurinë dhe objektivin kryesor që kemi në këtë kampionat. Megjithatë, pak rëndësi ka se kush arrin të shënojë në fund, pasi mjafton që ekipi të marrë fitoren në fund.
Ndeshjen ndaj peqinasve e kishim vlerësuar maksimalisht, siç bëjmë me çdo përballje, pasi për ne nuk lejohet asnjë hap i gabuar", u shprehur lojtari për "Panorama Sport". Bregu nuk ka preferuar që të komentojë ecurinë e rivalëve.
"Ne jemi të fokusuar te kampionati ynë, në mënyrë që deri në fund të mos gabojmë dhe të jemi pjesë e Kategorisë Superiore", ka përfunduar Bregu, i cili ka siguruar një vend në formacionin bazë të ekipit.
Stërvitja - Nga dita e djeshme, Luftëtari ka nisur përgatitjet për takimin e radhës që do të luajë ndaj Sopotit në transfertë. Librazhdasit janë një skuadër e fortë dhe për këtë arsye, trajneri Haxhiu ka kërkuar nga lojtarët e tij që të mundohen t'i eliminojnë sa më shumë të jetë e mundur gabimet.
Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, ekipi mund të arrijë trepikëshin e kërkuar. Në stërvitjen e parë forma e lojtarëve paraqitej e mirë dhe optimizmi ishte i madh për të marrë një tjetër fitore, e cila bën që skuadra të hedhë një hap drejt realizimit të objektivit final.