Deklaratat e shkodranit/ Dedja Cungu eshte delirant

Deklaratat e shkodranit/ Dedja: Cungu është delirant

Ish-trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Hysen Dedja, i kontaktuar dje nga "Panorama Sport", ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra nga ish-futbollisti i tij, aktualisht teknik i Vllaznisë, Armando Cungu.

Untitled-6Ky i fundit është shprehur se në vitin 1998 Dedja i kishte thënë se ishte ftuar nga trajneri i Kombëtares, që në atë kohë ishte Astrit Hafizi, për të luajtur në një ndeshje ndaj Gjermanisë. Por, sipas Cungut, atij i janë kërkuar para nga trajneri në këmbim të këtij grumbullimit.

"Nuk e kam lexuar intervistën në fjalë, por më kanë thënë në lidhje me përmbajtjen e saj. Të them të drejtën më vjen çudi, pasi në dijeninë time, Cungu nuk është thirrur ndonjëherë në ekipin Kombëtar dhe ky më duket një pretendim i habitshëm nga ana e tij", ka thënë Dedja, i cili vazhdon duke treguar mbi pozitën që trajneri aktual i shkodranëve kishte në atë periudhë.

"Në vitet 1996- 1997, kur unë kam marrë drejtimin e skuadrës së Vllaznisë, ai ka qenë rezervë. Por, me largimin e lojtarëve si Veseli, Martini, Kotri etj., në vitin 1997, ai ka arritur të zërë një vend në formacionin bazë të skuadrës", ka sqaruar Dedja.

Biseda - Gjatë prononcimit të tij, Dedja ka mohuar kategorikisht që të ketë patur një bisedë me Cungun në lidhje me këtë çështje. Ndërsa, vetë Cungu, u pat shprehur se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në prani të doktorit të ekipit Zyhdi Çoba. "Nuk kam bërë asnjë bisedë të tillë me të.

Ndoshta ai është në një dëlir të tillë, por nuk e kuptoj. Unë, pasi jam larguar nga skuadra në vitin 1998, e kam marrë me vete te Luftëtari dhe te Teuta.

Jam habitur kur të dielën në darkë me ka thënë Hafizi për këto deklarata. Madje ka përfshirë edhe doktorin e ekipit. Ky është një dëlir dhe nuk e di, por këto janë problemet e veta, pasi ai nuk është njoftuar asnjëherë për ekipin Kombëtar", këmbëngul Dedja. Ish-trajneri i kuqebluve shprehet se do të flasë me trajnerin kur ta ketë përballë në lidhje me këtë çështje.

"Nuk kam kontaktuar me Cungun dhe nuk kam në plan ta bëj një gjë të tillë, por do të flas me të kur ta takoj. Mund të flisni edhe me lojtarët e tjerë që kanë qenë pjesë e skuadrës në atë kohë, se ndoshta ata mund ta dinë më shumë për të", ka mbyllur Dedja, prononcimin e tij.

ARMAND HALILI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama