Dekontaminimi kulturor

Dekontaminimi kulturor
Në Beograd ekziston Qendra për Dekontaminim Kulturor, por dekontaminimi kulturor i nevojitet edhe më tepër Prishtinës e Tiranës. Në Serbi asnjëherë nuk ka qenë e ndaluar feja, por në Beograd, një pjesë e elitës kulturore e ka parë të arsyeshme qe të largojë ndikimet e epokës komuniste në kulturën serbe.

Shqipëria, përveç komunizmit më të egër, ka përjetuar edhe ndalimin total të fesë dhe persekutimin e tmerrshëm të klerit. Edhe pse në Kosovë feja nuk ishte e ndaluar, shqiptarët e Kosovës, duke bërë jetën e një minoriteti etnik në Jugosllavi, importuan nga Tirana letërsinë, muzikën, historinë dhe shumë gjëra tjera.

Ndotja nga Tirana e ambientit kulturor në Kosovë

Ambienti kulturor në Kosovë, edhe pse në dukje të parë ishte në pozitë më të mirë se ai në Shqipëri, në fakt ishte shumë me i sfiduar sepse alternativë e asimilimit në vorbullën jugosllave ishte kultura e kontaminuar që ofrohej nga Tirana, dhe për të qenë ironia në kulm vinte nën maskën e patriotizmit.
Derisa në Shqipëri njerëzit mbyllnin gojën e hundët, ndotja kulturore u futej nga veshët dhe nga çdo vrimë tjetër e mundshme, në Kosovë njerëzit bënin sakrifica mbinjerëzore për ta thithur këtë ndotje.

Çfarë është, në fakt, ajo që duhet të dekontaminohet?

Në këtë shkrim po përmend vetëm dy aspekte të ambientit tonë kulturor sa për të nxitur lexuesin të mendojë për gjërat tjera në këtë vazhdë.
E kontaminuar: Feja na u imponua nga armiqtë! O je me kombin, o je me fenë!

Kreatorët e edukimit tonë kulturor harrojnë se fetë monoteiste janë civilizuese në krahasim me paganizmin e të parëve tanë, të cilin nuk e dimë se nga cilët “armiq” do ta kenë marrë. Kështu, për “imponimin” e feve të parëve tanë ne duhet t’u jemi mirënjohës perandorive përkatëse dhe jo të shfryjmë kundër tyre.

Feja e shqiptarit është shqiptaria!

Në një shkrim paraprak e kam shpjeguar se pse pionierët, jo vetëm të lëvizjes kombëtare shqiptare, po edhe çdo lëvizjeje tjetër kombëtare në botë, ishin sekularë e ndonjëherë edhe antifetarë, por në vazhdim ishin njerëzit të fesë që në të shumtën e rasteve e përvijuan procesin e kombformimit.

Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Papa Kristo Negovani, Fan Noli e shumë të tjerë mos nuk ishin njerëz të fesë?!

E dekontaminuar: Fetë janë pasuria jonë!

Kombi shqiptar, e rrjedhimisht, si vazhdimësi e degëzuar e tij, edhe kombi kosovar (periudha 1878-1912 është trung i përbashkët i këtyre dy kombeve) është krijuar mbi bazën e rezultantes historike të shekullit XIX. Kultura islame në dy faqe të saj (synite dhe bektashiane) dhe kultura e krishterë në dy faqet e saj (katolike e ortodokse), u kompozuan në një kulturë kombëtare.

Me gjuhën e biznesit, kultura islame dhe e krishterë u bënë aksionerë të kombit shqiptar  50:50, përkatësisht 25:25:25:25, d.m.th. absolutisht të barabartë dhe jo në bazë të përqindjeve të madhësisë së komunitetit përkatës.

Kjo formulë ka bërë kohezionin e kombit shqiptar dhe ka qenë çelësi i suksesit të ngritjes së këtij kombi.

Në aspektin politik, gjetja e kësaj formule është meritë e diplomacisë austro-hungareze, por merita për aplikimin e saj u takon të gjitha komuniteteve fetare.

Çfarëdo teze që prek formulën 50:50, përkatësisht 25:25:25:25, është sulm direkt në themelet e kombit ekzistues. E teza të tilla janë: “Jemi europianë s’jemi aziatikë!”; “Myslimanët nuk i do Perëndimi!”; “Jemi popull 90% myslimanë!” etj.

E kontaminuar: Shqiptarët kanë shumë armiq!.

Shqiptarët kanë shumë armiq! Okupatorët romakë, okupatorët turq, okupatorët gjermanë, okupatorët italianë, shovinistët sllavo–grekë etj.

Versioni ekstrem është qëndrimi izolacionist i shokut Enver Hoxha ndaj gjithë botës. Mbeturinat e këtij qëndrimi ende janë në tekstet tona shkollore. Historianët tanë nuk e kuptojnë se është tjetër gjë të bësh artikuj shkencorë dhe tjetër gjë se si ia prezanton historinë publikut.

Kur Vaso Çubrilloviqi argumenton pse u duhet marrë shqiptarëve Kosova, ai përmend arsyet ekonomike e gjeostrategjike dhe nuk i intereson fare se e kujt ka qenë Kosova në të kaluarën, derisa tekstet shkollore në Serbi nuk i përmbajnë arsyet që jep Çubrilloviqi, por aty thuhet që Kosova është djep i serbizmit etj., etj.

Niveli shkencor i historianëve tanë është problem në vete, por këtu po flas për atë se çfarë u serviret nxënësve tanë.

Produkti i edukatës që nxënësit marrin në shkollat tona është nënvetëdija për mosbrejtje të ndërgjegjes për të gjitha të këqijat që shqiptarët i bëjnë nëpër botë.

Kur shqiptarë shkojnë në Europë, thonë Europa na ka bërë padrejtësi, kur shkojnë në Azi e Afrikë  sillen si racistë. Ky është produkti i shkollës sonë.
E dekontaminuar: Shqiptarët kanë më së shumti miq në botë!

Kur shqiptarët u vonuan me zgjimin kombëtar, miqtë tanë: austro-hungarezët, gjermanët, anglezët, holandezet etj., erdhën e na i larguan ushtritë e vendeve fqinje dhe na ndihmuan ta krijojmë Shqipërinë.

Kur shqiptarët e Kosovës rrezikuan të zhdukeshin nga faqja e dheu, bota erdhi dhe e çliroi Kosovën dhe për më shumë se një dekadë na mësoi dhe na ndihmoi me ngritë shtetin.

Kjo qasje krijon ndërgjegjen për kthim borxhi në nënvetëdijen e shqiptarëve. I bënë ata më komunikativë në planetin tonë gjithnjë e më të prirë drejt globalizmit. Kjo qasje është çelës për sukses në përmasa globale.

Nëna Tereza nuk do të kishte sukses planetar sikur të ishte edukuar në shkollat e Shqipërisë e të Kosovës të shekullit 21. Suksesi i saj i dedikohet traditës sonë dhe shkollës kroate (në fakt gjermane) dhe kuptohet, kulturës katolike.

Fakti që Kosova e Shqipëria janë të vogla nuk është pengesë që të shndërrohen në kombe të zhvilluara dhe me ndikim në botë. Nëse miqtë i konsiderojmë armiq, mbesim këtu ku jemi, por nëse ndryshojmë qasjen, edhe armiqtë do t’i shndërrojmë në miq.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama