Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, ka udhëtuar dje drejt Vlorës për të nderuar figurat që vunë themelet e pavarësisë. Në teatrin “Petro Marko”, në shenjë vlerësimi të veçantë për kontributin e tij, Presidenti Topi dekoroi Ismail Qemalin (Pas vdekjes) me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar me motivacionin: “Për meritat e jashtëzakonshme historike dhe rolin vendimtar në të gjitha fazat e përgatitjes dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të krijimit dhe të drejtimit të shtetit të ri shqiptar; për cilësitë dhe aftësitë e rralla si ideolog kombëtar dhe udhëheqës i urtë, dijetar dhe diplomat i shquar, burrë shteti dhe politikan vizionar”.
Në këtë 100-vjetor të pavarësisë, nderimi ka shkuar edhe për të gjithë grupin e atdhetarëve firmëtarë të dokumentit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, të cilët u shpallën (pas vdekjes) “Nder i Kombit”. “Asnjë qytet tjetër në Shqipëri nuk i shpalos më mirë e më thekshëm se Vlora jonë të gjitha vlerat, përpjekjet, lëngimet shpirtërore e politike, humbjet dhe fitoret historike të kombit tonë përgjatë këtij shekulli.
Prandaj, në kuadër të këtij viti jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë sonë të merituar, kam nderin dhe privilegjin ta shpall Vlorën dhe njëkohësisht edhe qytetarët e vjetër e të rinj të saj: “Nder i Kombit”!”, ka thënë Presidenti Topi. Në emër të qytetarë të Vlorës, titullin e lartë “Nderi Kombit” e mori kryetari i bashkisë, zoti Shpëtim Gjika, i cili e falënderoi Presidentin Topi duke e cilësuar këtë “si gjestin më fisnik bërë nga kryetari i shtetit shqiptar ndaj Vlorës dhe vlonjatëve”.
I shoqëruar nga drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Skelë të Vlorës, zoti Skënder Spahiu, Presidenti Topi u ndal në godinën simbol të shpalljes së mëvetësisë, ku pa nga afër dhe u njoh me portretet e firmëtarëve, të punuara nga piktori Arben Morina, të ekspozuara me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.