Dekretet Nishani Turp! Kuvendi nisi punen me sharje dhe fyerje ndaj Presidentit

Dekretet, Nishani: Turp! Kuvendi nisi punen me sharje dhe fyerje ndaj Presidentit

Akuzat në distancë për sulme ndaj institucioneve të Presidencës dhe ekzekutivit në vend duket se nuk do të shuhen për sa kohë që kreu i shtetit, Bujar Nishani, i konsideron si sulme personale ndaj tij çdo zmbrapsje të dekreteve nga ana e mazhorancës në Kuvend. Replikat e Nishanit ndaj Kryeministrit Rama, kanë vijuar edhe dje, ku Presidenti i vendit në një intervistë dhënë për ABC News, thotë se fakti i kthimit të dekreteve nuk është tregues i forcës së Ramës, por fyerje ndaj Presidentit. “Nuk është tregues as i zotësisë të shash e të fyesh Presidentin e Republikës. Tregues i zotësisë është të zgjidhësh hallet dhe problemet e qytetarëve shqiptarë. Pjesa që ka të bëjë me artikulimet verbale: për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar ndodh që një Kryeministër e shfrytëzon nisjen e sesionit parlamentar për të bërë një gjyq publik ndaj Presidentit të Republikës. Shqiptarët panë se si Kryeministri i vendit të tyre, i cili presupozohet që duhet të punojë nga mëngjesi deri në darkë për të zgjidhur hallet dhe problemet e shumta të qytetarëve shqiptarë, e shndërroi foltoren e Kuvendit në një llogore personale për të adresuar sharje dhe fyerje ndaj Presidentit”, thotë Nishani. Duke theksuar se në këto dekrete ai ka mbrojtur Kushtetutën, kreu i shtetit i konsideroi projektligjet si projekte të qeverisë, të cilat nuk kanë asnjë prioritet për reformat e ndërmarra nga ekzekutivi. “Nuk kam bërë asgjë tjetër edhe në rastin e këtyre dekreteve, përpos ushtrimit të detyrës sime kushtetuese. Dhe në rastin konkret nuk ka asnjë goditje ndaj ndonjë prioriteti apo ndonjë reforme, për arsyen e thjeshtë se nuk kemi ende një reformë, nuk kemi të bëjmë me asnjë projekt konkret të reformave të cilat diskutojmë. Por përmes atyre akteve, Presidenti ka denoncuar mosrespektin nga ana e Kryeministrit të vendit ndaj Kushtetutës. Kam denoncuar mosrespektin e Kryeministrit të vendit ndaj gjithë atyre standardeve demokratike që janë arritur me shumë mund e sakrifica gjatë njëzetepesë viteve të fundit në Shqipëri”, thotë Nishani.

Opozita

Duke u ndalur në vendimet politike të partive politike në lidhje me sesionin e ri parlamentar, kryesisht tek ai i opozitës për të vijuar me bojkotin ndaj Kuvendit, Presidenti Nishani e konsideron të paarsyeshme ndërhyrjen në vendimmarrje të tilla. Madje, ai shkon dhe më tej teksa i kërkon mazhorancës gjithëpërfshirje në reforma dhe jo përjashtime të partive në opozitë. “Si President i Republikës nuk do të ishte e arsyetuar ndërhyrja në vendimet politike të partive politike, kushdo qofshin ato; qoftë e partive politike të mazhorancës dhe qoftë të partive politike të opozitës. Por në aspektin e gjykimit të përgjegjësive, pa diskutim që jam i qartë dhe i prerë që përgjegjësitë janë të mëdha si nga ana e partive politike në mazhorancë, ashtu dhe të atyre në opozitë. Bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi; kontributi me akte dhe veprime konkrete për të injektuar mirëbesimin janë elementet e domosdoshme dhe të nevojshme për të jetësuar një proces, i cili shkon i kontrolluar, i udhëhequr nga Kushtetuta, nga ligjet dhe natyrisht, i ndikuar nga interesat kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë”, shprehet Nishani.

Siguria Kombëtare

Edhe pse për një prej ligjeve të miratuara në seancën e fundit plenare të sesionit të kaluar, atë të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, kreu i shtetit nuk është shprehur për ta dekretuar, ai e konsideron atë si një dokument që s’ka qenë në përputhje të plotë me interesin publik të qytetarëve. “Ligji që ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kombëtare nuk ka pasur çështje që binin ndesh me Kushtetutën e vendit, por në gjykimin tim, nuk ka qenë në përputhje të plotë me interesin publik të qytetarëve shqiptarë”, thotë kreu i shtetit. Ndër të tjera, ai sqaron se qëndrimi më konkret i Presidentit në lidhje me këtë strategji do të bëhet në kohën që vjen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama