TIRANË, 26 Tetor/ATSH/- Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj deklaroi sot se maxhoranca dhe opozita janë pranë arritjes së marrëveshjes për dekriminalizimin e Parlamentit.
Duke folur për mediat në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Felaj pohoi se praktikisht nuk ka ndonjë pengesë për arritjen e marrëveshjes.
Megjithatë, këmbënguljen e opozitës për përfshirjen e kriterit të kryerjes së testit të drogës nga ligjvënësit, ajo e cilësoi "si kërkesë që e bën ligjin qesharak dhe të pamundur për t'u zbatuar".
Ministrja përsëriti kërkesën drejtuar opozitës për t'u tërhequr nga kjo kërkesë, që siç duket përbën të vetmin hendek deri në finalizimin e marrëveshjes së shumëpritur. /b.k//m.m/