Dekriminalizimi komisioni arrin konsensus per draftin

TIRANË, 20 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.-Komision i posaçëm parlamentar për zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit arriti te premten konsensus për projektligjin që 'ndalon zgjedhjen dhe ushtrimin e funksioneve nga persona me rekorde kriminale', i quajtur ndryshe drafti i 'dekriminalizimit'.
Pas mbledhjes, nënkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla tha se palët kanë arritur konsensus për këtë proces, 'i keqpërdorur për arsye politike".
"Më në fund është mbyllur një proces i keqpërdorur për arsye politike. Nga sot asnjë aktor politik shqiptar nuk mund të bëjë politikë në Europë duke sharë Shqipërinë si një shpellë kriminelësh, ku gjoja institucionet janë në xhepat e krimit", tha Balla.
Ai bëri të ditur gjithashtu se çështja e 'testit të drogës', një pikë e draftit e kërkuar me forcë nga opozita, nuk do të përfshihet në projektligj.
"Dua të nënvizoj për publikun, se nuk ka dhe nuk kishte asnjë shans që ne të miratonim nenin qesharak të testit të drogës. Nuk ka asnjë vend në botë që ka një nen të ngjashëm në legjislacion për këtë çështje. Kjo është bërë për të damkosur Shqipërinë në sytë e botës. Këtë nen të turpshëm le ta miratojnë në statutin e partisë së tyre dhe atje po deshën le të bëjnë dhe testin e drogës, të alkoolit apo të diabetit", tha Balla.
Ndërsa, kryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi theksoi se ndryshimet kushtetuese do të jenë një mur i fortë për të gjithë ata që pretendojnë ta përdorin ligjin për interesa politike.
"Ligji është miratuar dhe do të jetë i hapur për debat në komision dhe më pas në parlament. Po ashtu do të punohet me shpejtësi nga komisioni për të mbyllur paketën e ndryshimeve kushtetuese që do reflektojnë në këtë ligj, i cili synon të vendosë standarde shumë të larta e rigoroze për gjithë kriminelët që kanë tentuar dhe kanë marrë ofiqe publike në marrëveshje me maxhorancën e sotme", u shpreh Bylykbashi.
Edhe përfaqësuesi i LSI-së në komision, deputeti Spartak Braho, konfirmoi konsensusin për ligjin e dekriminalizmit, ndërsa tha se shpreson që ky konsensus të ofrohet nga opozita dhe për ndryshimet kushtetuese./a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama