Ligjvënësit demokratë nëse nuk hyjnë në Kuvend deri me datën 18 dhjetor rrezikojnë të djegin mandatet, pasi në këtë datë pritet të mbyllet sesion parlamentar për këtë vit. Kuvendi fillon punimet pas 15 janarit, ndërkohë që me 10 janar deputetët demokratë bëjnë gjashtë muaj nga fillimi i bojkotit. Skadimi i mandatit të deputetit parashikohet vetëm në Kushtetutë. Për ta qartësuar mandatin e deputetit pas bojkotit të Kuvendit për gjashtë muaj gazeta “Shekulli” kontaktoi me ish-kryetar e KQZ-së Kristaq Kume, i cili tha se neni 71 i Kushtetutës së Republikës parashikon qartë se kur ndërpritet mandati i deputetit. Sipas tij nëse do të ishte një pikë që do t’i kapte demokratët, në rast të mosmarrjes pjesë në Kuvend deri në 10 janar është pika d). “Në pikën e katërt të këtij neni, thuhet se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, "kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”, shprehet Kume.
Zëvendësimi
Në rastet kur deputetit i digjet mandati për shkak të mos pjesëmarrjes në Kuvend për gjashtë muaj rresht atëherë sipas Kodit Zgjedhor atij i ndalet mandati dhe ai zëvendësohet me tjetrin që vjen poshtë listës. “Neni 164 i Kodit Zgjedhor përcakton se “mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës”, tha Kume. Ai shtoi se këtë rast, jo më vonë se 30 ditë, Kuvendi njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. “Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse”, thotë pika 1 e nenit 164. Ishkryetari i KQZ-së ka prekur edhe rastin e deputetëve që kanë marrë pjesë në veprimtari parlamentare. Ai thotë se angazhimi i deputetëve në veprimtari parlamentare mund të hajë debat dhe është në të drejtën e tyre për të pretenduar. Përballë situatës së krijuar deputetët demokratë kanë qëndrime të dyzuara.
Debatet për mandatet
Ndërkohë në kampin blu vazhdon presioni i demokratëve të cilët kanë vendosur të "rrezikojnë" deri në fund mandatet e tyre. Një presion ky që jo vetëm ka mbajtur deputetët demokratë jashtë sallës së Parlamentit por edhe jashtë vendimmarrjeve të rëndësishme dhe debateve thelbësorë siç ishte ai për reformën territoriale, në drejtësi, dhe buxhetin e 2015-ës. Dhe nëse “greva” e deputetëve demokratë e nisur me 10 korrik, vijon deri me datën 18 dhjetor, kur është dhe dita fundit e sesionit parlamentar për këtë vit ligjvënësve të djathtë iu ndërpritet mandati. Djegia e mandateve të deputetëve të PD-së tashmë në selinë blu është kthyer në çështje dite, dhe zëra brenda saj bënë me dije se opozita është duke thurur planin se si të rikthehet në Kuvend para datës 18 dhjetor. Burime brenda sekretariatit të PD-së sqaruan për gazetën “Shekullin” se grupi i PD-së është në kërkim të kauzës që mund të përdorin për të shkuar në Kuvend, në mënyrë që t'i privojnë vetes ndërprerjen e mandatit. Por në një prononcim kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka përmbysi planin që po gatuhet nën zë në “selinë blu”.
Paloka rikonfirmoi qëndrimin e tij të mëparshëm se opozita do të qëndrojë stoike deri në fund, duke mos kursyer edhe djegien e mandatit, nëse ky është i nevojshëm. Në një prononcim për gazetën “Shekulli” deputeti i PD-së Eduard Halimi, tha se deklarata e zotit Paloka është në harmoni të plotë me qëndrimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. “Edi Paloka përfaqëson PD-në dhe ajo që ka thënë ai është dhe qëndrimi i Partisë Demokratike. Ne nuk do të lëshojmë pe për asnjë arsye”, tha ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi. Ky vendim i marrë dhe i bërë i padiskutueshëm nga kryetari Basha, i cili duket se ka krijuar jo pak përçarje, duket se do të vazhdojë deri me datën 18 kur është dhe seanca e fundit për këtë sesion. Por bilanci i kësaj mungese në Parlament deri me 18 dhjetor, sipas Kodit Zgjedhor mund të sjellë rokadë të deputetëve të djathtë. Disa prej deputetëve të Partisë Demokratike shprehen të shqetësuar për qëndrimin kaq afatgjatë jashtë dyerve të institucionit të Kuvendit. Pavarësisht se deri tani kanë qëndruar të heshtur nën urdhrin e kryetarit të tyre, mesa duket afatet e skadimit të mandateve i kanë vënë ata në lëvizje për gjithë këtë absurditet që po i shoqëron prej kohësh. Mësohet se një grup deputetësh demokratë dy ditët e fundit janë takuar me Bashën për ta bindur atë që t’i japë urdhër grupit parlamentar të PD-së të kthehen në sallën e parlamentit për të shpëtuar mandatet.
Kërcënon Paloka: Të zbatohet marrëveshja, ose lëmë mandatet
Më 18 dhjetor Parlamenti do të mblidhet për herë të fundit në seancë plenare. Çka do të thotë se ky është momenti i fundit brenda rrjedhës normale parlamentare që Partia Demokratike të mos djegë mandatet e deputetëve të saj. “Ne nuk bëjmë llogari aritmetike. Vendimi ynë për të dalë nga Parlamenti është vendim politik dhe ne nuk mund të rrimë e të shohim datën se kur do skadojë mandati. Ato llogari le t’i bëjë Rama me Metën. Kemi marrë një vendim politik dhe do t’i qëndrojmë deri në fund“, tha kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka. Kreu i grupit të PD-së tha se është shume i qartë edhe se çfarë do të thotë “deri në fund”. “Nëse nuk zbatohet ajo që ne kërkojmë, pra një marrëveshje nën monitorim ndërkombëtar që kjo Qeveri, kjo mazhorancë të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën, atëherë ne me atë të ashtuquajtur Parlament s’kemi asnjë lidhje”, u shpreh Paloka.
Ai është përgjigjur edhe në lidhje thyerjen e mundshme të vendimin politik të opozitë nga disa deputetë të saj. “Unë flas për vendime politike dhe opozita, Partisë Demokratike, funksionon në bazë të këtyre vendimeve. Gjithsecili pastaj le të bëjë zgjedhjet e tij personale. Nëse mendon se atë mandat nuk ia ka dhënë PD, por e ka marrë për meritë të vet, atëherë le të shkojë në Parlament. Kjo është ende për t’u verifikuar dhe ende e paqartë, por tani për tani, për Partine Demokratike jo parlamenti, por protestat janë zgjidhja. “Mandatet na i kanë dhënë njerëzit jo për t’u bërë farsë në një vend ku mblidhen gjoja deputetë dhe një gjoja qeveri. Ne do të merremi me njerëzit dhe sigurisht që përgjigja do të jetë vetëm protesta. Protestë ndaj një qeverie dhe ndaj një Kryeministri, që nuk ka fjalë tjetër veç burg. Burg për gjithçka. Ky është Rama, kështu që me një njeri të tillë unë mendoj që vetëm me protesta dhe forma të tjera mund të merresh vesh”, tha Paloka.
PE dënon bojkotin e opozitës në Shqipëri
Gjashtë ministrat e Jashtëm të Ballkanit ballafaquan qëndrimet e tyre përpara eurodeputetëve, si dhe ndaj homologëve të tyre të ftuar nga parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Shqipëria dhe Mali i Zi u paraqitën më mirë gjatë debatit mbi integrimin europian të rajonit, që zgjati për më shumë se tre orë në Komitetin e Jashtëm të PE-së. Statusi i vendit kandidat, vullneti politik për kryerjen e reformave dhe përputhja e diplomacisë vendase me atë europiane, i mundësuan Ministrit Bushati të kërkonte nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, si dhe më shumë substancë e projekte konkrete ekonomike nga procesi i Berlinit. “Sigurisht që ne e shohim statusin kandidat si një hap të përkohshëm drejt anëtarësimit dhe nisjes së bisedimeve për këtë anëtarësim. Ne shpresojmë shumë për një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm, meqenëse e konsiderojmë nisjen e negociatave si një mundësi për t'u fokusuar më mirë në atë çfarë mbetet për t'u bërë, sidomos për shtetin e së drejtës, përmes hapjes së kapitujve 23 dhe 24. Procesi integrues nevojitet të jetë dinamik dhe efiçent”, u shpreh Bushati.
Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor për mandatin e deputetit
Neni 71 i Kushtetutës së Republikës e parashikon qartë se kur ndërpritet mandati i deputetit. Sipas pikës së parë të këtij neni. Ndër të tjera, mandati mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”. Nëse do të ishte një pikë që do t’i kapte demokratët është pika “d”. Ndërkohë neni 164 i Kodit Zgjedhor përcakton se “mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës”. “Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse”, thotë pika 1 e nenit 164.