Demtohen shenjtoret e Onufrit

Demtohen 'shenjtoret' e Onufrit
Vidhet e dëmtohen rëndë pjesë nga afresku në Kishën e Shën Premtes në Vlash të Elbasanit

KultAfresku i pikturuar nga Onufri në kishën e Shën Premtes në Elbasan është vjedhur dhe dëmtuar. Kjo kishë, edhe pse e vogël në pamje, është unike për vlerat që mbart. Afresku i pikturuar nga vetë Onufri në vitin 1554 ka qenë gjithmonë pjesë e studimeve të ndryshme. Janë të shumta referencat dhe botimet ku preken vlerat dhe teknikat e përdorura nga Onufri në këtë kishë. Ndërhyrja e parë ka ndodhur më 30 dhjetor dhe është konstatuar vonë nga banorët e fshatit, të cilët kanë njoftuar policinë dhe Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës dhe Kishën Ortodokse Autoqefale.

Dëmtimet dhe grabitjet e konstatuara ishin tepër të rënda. Keqbërësit, duke mos qenë profesionistë të çmontimeve të afreskeve, kanë dëmtuar afreskun me mjete primitive duke tentuar ta shkëpusin atë nga muri. Pjesë të mëdha afresku të thërrmuara gjendeshin në tokë dhe pjesë të tjera mungonin fare. Duket se qëllimi i kësaj ndërhyrjeje ka qenë të çmontohen kokat e shenjtorëve duke numëruar rreth pesë dhe përfshirë këtu edhe shenjtoren e kishës, Shën e Premte, ikona e së cilës nuk ekziston më. Është e rëndësishme të theksojmë se objekt i kësaj grabitjeje është bërë edhe pjesa e mbishkrimit në zonën e sipërme të ikonostasit prej guri, e cila ishte jo vetëm pjesë e artit të kësaj kishe, por edhe burim informacioni.

Pas këtyre konstatimeve kisha u mbyll përsëri me çelësa të rinj. Por duket që reagimi i vakët dhe pothuajse i papërfillshëm nga organet kompetente bëri të krijohej një situatë e sigurt për keqbërësit, të cilët jo më shumë se gjashtë ditë më vonë, rreth datës 4 janar, realizuan një ndërhyrje të re dhe këtë radhë të suksesshme, duke marrë tashmë edhe pjesë të tjera afresku. Pavarësisht se duket e pabesueshme, afresku i Onufrit vazhdon të vidhet ritmikisht dhe keqbërësit, që nuk shqetësohen nga organet e rendit, të cilët ose janë të paaftë ose na bën të mendojmë se janë bashkëpunëtore të tyre, vazhdojnë punën e tyre të re tashme të grabitjeve të afreskeve në monumentet ortodokse të Shqipërisë.

Arkitekt restaurues

Gentian Stratobërdha

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama