Për herë të parë, një futbollist i rëndësishëm i kampionatit shqiptar merr një ndëshkim shembullor për thirrje dhe fyerje kundrejt skuadrës rivale. I tillë është rasti i Gentjan Muçës, për të cilin pati shumë komente më pas. Mbrojtësi i Tiranës u pezullua një vit për thirrje kundër Partizanit dhe gazeta u përpoq të merrte mendimin e disa prej specialistëve të futbollit. Thuajse të gjithë e dënojnë sjelljen e Muçës, por pjesa dërrmuese gjithashtu është e mendimit se dënimi 1-vjeçar ishte shumë i rëndë.
Astrit Hafizi: Dënim unikal për një gjest momental
"Nuk e di se çfarë përmban konkretisht neni 52 ku Disiplina është bazuar për të dënuar Gentjan Muçën. Aty thuhet 'nxitje dhune dhe urrejtjeje', por kam idenë që duke njohur karakterin e atij futbollisti, ka kryer një veprim momental. Kurrë nuk kemi parë në derbi të tilla gjëra, paçka se sharjet në kor kanë qenë gjithnjë prezente. Ky është rast unikal, që një futbollist të pezullohet me një vit për këtë vepër. Madje, në intervistën e Muçës, pashë shenja pendese. Është e drejtë apo jo, këtë nuk di ta them, por mendoj se për një lojtar si ai dhe në atë moshë është shumë e rëndë që për një vit të qëndrojë larg fushave. Por kam bindjen se Komisioni i Apelit do ta rishikojë vendimin dhe ndoshta mund të kemi ndonjë ulje të dënimit", tha Astrit Hafizi, trajneri aktual i Tirana U-19.
Shpëtim Duro: Muça t'ua shpërblejë tifozëve në fushë, jo me mikrofon
"Së pari, më duhet të them se kam një raport të veçantë me Muçën, sepse shtëpitë i kemi pasur në një lagje. Kam lidhje miqësie të afërta me familjen e tij dhe e di që është një djalë i mirë dhe i edukuar. Por ama ajo që ka bërë nuk i falet. Nuk dua të komentoj dënimin, sepse nuk më takon ta bëj këtë, por Muça nuk kish pse e bënte atë. Lojtarët nuk mund të bëhen palë me tifozët. Nëse ai dhe të tjerët i duan kaq shumë tifozët, duhet që t'ua shpërblejnë në fushë dhe jo me megafon. Kanë dy vite që nuk fitojnë një derbi dhe kjo nuk shkon hiç. Lojtarët duhet të bëjnë punën e tyre në fushë. Nëse e bëjnë mirë atë, ua kanë shpërblyer tifozëve. Por të mos fitosh një derbi prej dy vitesh dhe të bashkohesh me megafon te tifozët, kjo për mua nuk shkon fare", deklaroi ish-trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro
Agim Canaj: Vendim shumë i rëndë
"Futbolli është edhe emocion. Ne e dimë që në momente të caktuara të rrëmben euforia dhe mund të bësh ndonjë gjest të papjekur. Personalisht, e njoh Muçën dhe e di që është lojtar me edukatë dhe një djalë i mirë, ndaj më vjen keq që e kanë dënuar aq shumë. Dakord, ndonjë nen i rregullores edhe mund ta 'kapë' me atë që ka bërë, por mua më duket shumë i rëndë dënimi për 1 vit. Është sjellë si tifoz dhe duhet ndëshkuar, por dënimi është realisht shumë i rëndë për mendimin tim", tha Canaj.
Faruk Sejdini: Muça gaboi, dënimet këtu i japin me valë...
"Mendoj se ishte e ekzagjeruar ajo që bëri Gentjan Muça. Ai është futbollist dhe nuk i shkon për staturën që ka, por as për skuadrën që përfaqëson. Lojtarët duhet të jenë edhe shembuj në fushë. Sot ai luan me Tiranën, por nesër mund të ishte edhe me Partizanin. Në Shqipëri kështu e kanë këto punë. Gaboi, edhe pse është djalë i mirë. Ndërsa sa i përket dënimit, ne këtu dënimet i kemi me 'valë'. Kur bëhen çështje të mëdha mediatike, atëherë edhe instancat përpiqen të japin dënime po kaq mediatike për të kënaqur turmën. Mendoj se dënimi është disi i rëndë, duke pasur gjithnjë parasysh se çfarë është Muça në jetën reale. Të gjithë e dimë që nuk është një djalë problematik dhe nuk ka qenë i tillë asnjëherë. Mund të kishte pasur një dënim më të lehtë dhe më të pranueshëm. Por, e thashë edhe një herë, këtu dënimet i japin si t'i zërë vapa... Shpeshherë bëjnë politikë me to, nuk i japin vendimet për të vënë drejtësi reale. Gjithsesi, shpresoj që Apeli të jetë më i arsyeshëm", deklaroi ish-trajneri kampion i Dinamos.
Luan Pinari: Veprim i ndëshkueshëm, por dënimi shumë i rëndë
"Veprimet janë të dënueshme pa diskutim. Kudo në botë ka sanksione për gjeste të tilla. Ndërsa sa për masën e dënimit, personalisht më duket e rëndë. 1 vit është shumë. Do të doja që në të ardhmen të veprohet me këtë standard edhe në raste të ngjashme. Të dënohen shkelësit nëpërmjet pamjeve që vijnë edhe nga rrjetet sociale. Do të ishte mëkat që të mbetej te Muça, sepse kështu i bie ta kenë bërë 'kokë turku'", tha Pinari, i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e të tri skuadrave të kryeqytetit.
Agustin Kola: Nuk është politikan, vepra e dënueshme
"Mua më erdhi keq me thënë të drejtën, se Gentin thuajse e kemi rritur vetë. Është djalë flori, ndër më të mirët që ka ai ekip, por kam idenë që ka rënë viktimë. Thirrjet ishin të tepërta, pasi Muça nuk është politikan që t'i bëjë. Unë as dua të mbroj federatën dhe as nuk janë 'pro' sistemit, por që vepra ishte e dënueshme, ndaj mendoj se është e drejtë. Madje kam qenë dhe do të mbeten kundër, por në kohën tonë, përtej të gjithave, ne luanim vetëm në fushë, nuk merreshim me të tilla gjëra. Ata e bënë detyrën në derbi, iu hoqën kampionatin. Por gjithç- ka duhet të mbetej aty. Dhe kur them që nuk e dua atë sistem e bazoj te fakti që rreth viteve '80 unë jam dënuar me një vit nga komunistët, pasi ishte arratisur çuni i xhajës. Por u bëra më i fortë, e kalova. Dhe madje kur u riktheva, isha edhe golashënuesi më i mirë", u shpreh ish-lojtari dhe trajneri i bardhebluve.
Përgatiti: Adela Merko