Pas kallëzimit penal në prokurori stafi i i Inspektoratit të Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKP) ka akuzuar sërish inspektoren e përgjithshme Zana Xhuka, por këtë radhë se i ka kërcënuar me largim nga puna. Në një deklaratë drejtuar mediave, stafi i ILDKP-së thekson se Xhuka u ka kërkuar të tërheqin padinë që kanë depozituar në Prokurori.
Ja deklararata e stafit të ILDKP-së:
Sot më datë 22.10.2013 , ora 09:00 Inspektorja e Përgjithshme e ILDKP-së Zana Xhuka thirri në takim gjithë stafin e ILDKPKI-se për tju kërkuar, nën kërcënimin e largimit nga puna, nënshkrimin e kërkesës për heqje dore nga kallëzimi i bërë ndaj saj nga 34 punonjës në organin e prokurorisë. E ndodhur përpara refuzimit të prerë të gjithë kolektivit, Inspektorja e Pergjithshme Zonja Zana Xhuka ka filluar manipulimin e deklaratave të interesave private dhe dosjeve objekt hetimi administrativ.
Në institucion kanë hyrë persona të jashtëm që kanë filluar ndërhyrjet dhe manipulimin e të dhënave në serverin qëndror të të dhënave gjithashtu po sot në zyrën e protokollit është emëruar shefja e re e zyrës e cila ka filluar ndërhyrjet për manipulimin e të dhënave në sektorin e protokoll arkivës.
Në këto kushte: Kërkojmë ndërhyrjen e menjëhershme të organit të Prokurorisë dhe Kuvendit të Shqipërisë me qëllim, marrjen në ruajtje dhe sigurimin e zyrave, dokumentacionit zyrtar dhe serverit qëndror të të dhënave. Kërkojmë gjithashtu pezullimin nga detyra të Inspektores së Përgjithshme Zonjës Zana Xhuka deri në përfundim të hetimeve.