Deputeti i Permetit Vladimir Kosta Vepra e usta Laverit eshte kolona zanore e jetes se permetareve

Deputeti i Permetit, Vladimir Kosta: Vepra e usta Laverit eshte kolona zanore e jetes se permetareve

Deputeti i Përmetit Vladimir Kosta ka vlerësuar figurën e artistit Laver Bariu në një postim të tij në Facebook, duke e quajtur atë, pemën më hijerënd të qytetit dhe veprën e tij,  ”kolonë zanore” të përmetarëve. Kosta shkruan:

“Përmeti sot (dje) ndjehet i gjymtuar, pasi nga trungu i tij, është shkëputur një degë hijerëndë. Usta Laveri,  të cilin deri më sot e kishim para syve, e preknim, e takonim, sot e tutje vetëm do ta dëgjojmë. Atë do ta kemi vetëm në ajër, në tingujt e kabave të tij të pavdekshme, që do të vazhdojnë ti japin emër Përmetit në shekuj. Vepra e tij është kolona zanore e jetës së këtij qyteti dhe himni i shpirtit të përmetarëve. Sot është një nga ato ditë kur historia e një qyteti ndahet në dy pjesë, para dhe pas tij. Sot Përmeti fillon epokën pas Usta Laverit. Zoti ja ruajt këtij qyteti, emrin që i dha Usta Laveri. Prehu i qetë, Ati ynë, Miku ynë, Heroi ynë.”

Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj 1929, ndërsa është njohur në shumë vende të botës si krijuesi i “Sazeve të Përmetit”. Ai mund të cilësohet si i fundit prej ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1990. Në mars të 2001, për meritat e tij dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtër i madh i punës”. Në vitin 2001, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Laver Bariu u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama