A ka çmim një ndeshje derbi? Mund të shitet, apo të blihet ndeshja më e harbuar e vitit? Këto pyetje sikur të bëheshin vite më parë, do të "ngjalleshin" të vdekurit dhe do të turpëronin të gjallët.
Në kohën e futbollit biznes, ku paraja i hedh topin dhe futbollistët përpjetë, edhe derbi, për fatkeqësinë tonë, paska një çmim. Shembulli më kuptimplotë na vjen nga përplasja e fundit midis Tiranës dhe Partizanit.
Kishim të drejtën e madhe për të bërë festë për golat e vitrinës, për vërtetësinë e lojës, për zemërimin e ndezur futbollistik, por peshorja, në fund të derbit, anon nga dhuna dhe.. amoraliteti. Dhe, kur dhuna e drejtuesve bëhet model për tifozëritë, derbi e ka humbur misionin dhe futbolli nuk ka fitues, por një humbës të madh.
Tirana dhe Partizani i sotëm, nëse do të kthenin kokën pas në vite, do të kuptonin më mirë se derbi është një identitet vlerash dhe jo sebep për të gjakosur njëritjetrin. Si për tersin tonë, sado që mundohemi ta përdorim si kozmetikë kualifikimin në Europian, gara e kampionatit zbulon, pa mëshirë, shëndetin e sëmurë të një futbolli që shtiret. Dhe shtirja më hipokrite në derbin e fundit, mëkati më i madh në historinë e derbit të kryeqytetit nuk është dhuna, por... çmimi që i vumë ndeshjes së madhe.
Presidenti i Tiranës, Halili, e ka pranuar publikisht se Skënderbeu do t'i jepte 50 milionë lekë nëse ndalonte Partizanin. Pra, "armiku" më i madh i këtyre dy klubeve, të cilat kanë bërë historinë, guxon t'i blejë "luftën" një beteje që askush ndër vite nuk ka guxuar ta peshojë me para. Në një futboll që krenohet me vesin e shitjes dhe të blerjes, në të gjitha kategoritë e moshave, paraja e fryn dhe e shfryn topin e lojës sa herë të dojë.
Ndaj ka një opinion që kërkon të popullarizohet, se t'i japësh para kundërshtarit për të mundur një tjetër nuk është mëkat, por një kurth i pranuar. Një pyetje për Tiranën e zotit Halili: Po kur luajtën kundër Skënderbeut, ekipit kampion, me të cilin nuk kanë bërë kurrë dashuri, por kanë pasur përplasje të forta në fushë dhe jashtë saj, pse u mungonte inati dhe rebelimi bardheblu?
Edhe kur shënuan golin e Muçës, një gol flagrant, por që i mungonte skenarit dhe u anulua, bardheblutë nuk patën fuqi as për të qarë e as për t'u ankuar. Tani, pas asaj që kemi përjetuar në derbi, mund të pyesim pa frikë: Po ndeshja me Skënderbeun a ka pasur një çmim? Kjo pyetje i kapërcen kufijtë e klubit bardheblu dhe po ta ndjekësh nga pas mbërrin në portat e Federatës.