Drejtori i Partizanit, Dritan Dervishi, ka qenë mjaft i zhgënjyer për faktin që skuadra e tij nuk arriti të fitonte titullin kampion."Na vjen shumë keq që e mbyllëm pa trofe. Nuk varej nga ne, por ne u munduam deri në javën e fundit dhe kjo ishte bukuria e kampionatit. Nga ana tjetër, gjetëm një Skënderbe që sot (dje) tregoi se i fiton ndeshjet lehtësisht dhe në çdo fushë ku shkon për fitore e kanë atë.
Prandaj ky është kampionati ynë dhe duhet ta pranojmë", u shpreh Dervishi, i cili tha se për të ardhmen duhet të vendosë presidenti Demi. Ndërsa për humbjen me Teutën, Dervishi deklaroi se skuadra e tij bëri atë paraqitje, por lojtarët u demotivuan pas asaj që ndodhi në Vlorë.
"Lojtarët, pasi morën vesh rezultatin e Skënderbeut, dhanë një sinjal që nuk është e mirë që të bëhen ndeshjet si ajo që ndodhi në Vlorë. Një ndeshje stërvitore. Ne pamë rastet e atij takimi dhe nuk ka mundësi që në një ndeshje aq të rëndësishme për 90 minuta të mos merret një karton i verdhë. Bravo Skënderbeu që fitoi kampionatin, ishte skuadra më e denjë së bashku me ne", mbylli Dervishi, duke thënë se Partizani nuk ka mbështetje politike, por vetëm tifozët në krah.