Prej ditësh kanë nisur të "cicërojnë" zërat e parë të merkatos verore që kanë lidhje me Partizanin. Lajmet e merkatos vijnë si në hyrje, por edhe në dalje, duke lënë të kuptohet se të kuqtë mund të pësojnë një tjetër transformim të madh në verë.
Por, drejtori i Partizanit, Dritan Dervishi, në një prononcim për "Panorama Sport" pohoi se klubi është i fokusuar totalisht tek objektivi që e lidh me 7 ndeshjet e mbetura e jo me merkaton. Madje, Dervishi këto zëra markoje i konsideron si të qëllimshme, për të destabilizuar dhe shpërqendruar ekipin në pikën më të nxehtë të sezonit.
"Merkatoja e Partizanit nuk bëhet me aksione vullnetare apo me dëshira, por me plane, madje të detajuara. Prandaj emrat që po qarkullojnë si hyrje-dalje te Partizani i shikojmë më shumë si mundësi për të prishur harmoninë dhe për të shpërqendruar ekipin në këtë pjesë të mbetur.
Prioritet i klubit, së pari mbetet ruajtja e grupit, gjë të cilën e bëmë edhe në janar e jo të largojmë këto që kanë kontribuar dhe të afrojmë të tjerë. Merkatoja e Partizanit do të jetë konkrete, pasi të kemi mbyllur llogaritë me edicionin aktual. Sa për informacion, asnjë ekip shqiptar nuk mund t'ia marrë lojtarët Partizanit, pasi xhevahiret tanë i kemi të 'prangosur' me kontrata afatgjatë", u shpreh dje drejtori i përgjithshëm i të kuqve, Dritan Dervishi.