Dervishi akuzon per dashakeqesi Larg duart nga Kukesi!

Dervishi akuzon për dashakeqësi: Larg duart nga Kukësi!

Kukësi vijon përgatitjet për ndeshjen e datës 7 korrik, ku në Nikshiq do të luajë sfidën e kthimit të Ligës së Europës ndaj Rudarit.

gjici-spahija-dervishi-658x371Ndërsa skuadra vijon stërvitjet me intensitet të lartë, drejtori i përgjithshëm i Kukësit, Dritan Dervishi, ka sqaruar situatën e skuadrës dhe bën thirrje për njerëzit anti-Kukës që në mënyra të ndryshme punojnë dhe urojnë që skuadra të dështojë.

Në një prononcim për "Panorama Sport", drejtori Dervishi pohon se këta njerëz duan të destabilizojnë situatën te Kukësi me qëllim që skuadra të dështojë duke mos u kualifikuar më tej në Ligën e Europës.

Ata, nëpërmjet lidhjeve që kanë me disa futbollistë të Kukësit, miqësitë me ta, apo duke punuar edhe në media kundra Kukësit, duan të përçajnë skuadrën.

Dervishi, në emër të klubit, thotë se personat që punojnë kundra dhe në dëm të Kukësit nuk do t'ia arrijnë dot, pasi Kukësi do vijojë më tej në turin e dytë.

Sipas drejtorit, nga Kukësi nuk largohet kurrkush pa biseduar me presidentin Gjicin dhe pa marrë miratimin e tij. Kukësi mund të arrijë gjithçka dhe ka treguar ndër vite se është klub që i trajton mirë lojtarët.

Dervishi- "Kemi vënë re që prej disa javësh, por më shumë gjatë këtyre ditëve, para dhe gjatë pjesëmarrjes së Kukësit në Kupat e Europës, kanë vijuar sulme në mënyrë konstante ndaj klubit tonë. Janë disa persona që tashmë kanë lidhje të tërthorta me Kukësin, që mundohen të destabilizojnë situatën në klub dhe këtë tentojnë ta bëjnë nëpërmjet disa futbollistëve në skuadrën tonë.

I bëj thirrje gjithkujt që nuk ka punë me Kukësin, të mos fusë hundët në çfarëdo lloj mënyre te klubi dhe skuadra kuksiane.

Futbollistët dhe kjo skuadër kanë zot dhe ai është presidenti Gjici. Lojtarët e Kukësit do të vijojnë të jenë më të fortë dhe kjo do duket kur ekipi të kalojë në turin e dytë, pasi jemi të bindur se me kualitetet që kemi në skuadër do ta fitojmë ndeshjen e dytë me Rudarin.

Këta persona po punojnë kundra edhe në media, nëpërmjet lidhjeve që kanë, apo duke vënë kundra tifozët. Por e kanë mjaft gabim, pasi çdo gjë që dëshirojnë të kryejnë, nuk do t'ia arrijnë dot. Sa për lojtarët që përfliten se do të largohen nga Kukësi, nuk është e vërtetë.

Ne tanimë jemi super të përqendruar te ndeshja me Rudarin dhe nuk mendojmë për merkato. Persona të ndryshëm mund të mundohen që të joshin lojtarët tanë, por kjo nuk merret si fakt i kryer.

Nuk do të largohet askush pa miratimin dhe dëshirën e presidentit Gjici, pasi ai dhe Kukësi e kanë treguar se dinë t'i trajtojnë dhe vlerësojnë lojtarët, ky fakt shikohet qartë te pagesat.

Të gjithë ata që e meritojnë do qëndrojnë te Kukësi, pra grupi i lojtarëve që duan dhe japin për klubin do jenë pjesë e tij. Kukësi ka buxhet të mjaftueshëm për të mbajtur lojtarët më të mirë. Jemi të bashkuar dhe të bindur se do kalojmë turin", u shpreh Dervishi.

Thirrja për tifozët- "U bëj thirrje tifozëve që të mbështesin skuadrën. Kuksianët në shekuj janë dalluar për burrëri dhe që nuk i mashtron njeri.

T'i përçmojnë thirrjet apo nxitjet që këto kohët e fundit u kanë futur në mendje kundra klubit. Të gjithë janë kalimtarë në klub, por skuadra dhe emri i F.K Kukësit ngelet.

Ndaj të vijnë të gjithë në Mal të Zi për të përkrahur ekipin e tyre të zemrës. Të gjithë jemi të përkohshëm, Kukësi është i përjetshëm. Forca Kukësi!". Me thirrjen për tifozët, drejtori Dervishi mbyll prononcimin e tij për "Panorama Sport".

SKERDILAID SULOZEQI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama