Trajneri i Francës, Didier Deshamp, ka gjetur fajtorin për paraqitjen e dobët të disa futbollistëve të tij sidomos gjatë pjesës së parë të ndeshjes kundër Shqipërisë. Sipas tij, shkak për këtë paraqitje ishte gjendja e dobët e terrenit të stadiumit "Velodrome", me shkaktar kryesor grupin muzikor AC/DC.
Lojtarë si Marsial dhe Zhiru rrëshqitnin herë pas here dhe sipas Deshamp, për këtë situatë duhej të cilësoheshin fajtorë zyrtarët e stadiumit të cilët kishin lejuar që në impiant të zhvillohej një koncert i kësaj bande muzikore vetëm një muaj më parë.
"Është e tmerrshme por nuk është asgjë për t'u çuditur. Nëse zhvillon një koncert të AC/DC vetëm një muaj para Europianit, atëherë do të të duhet të ndryshosh barin, ta vendosësh të ri", ishte shpjegimi i tij pas ndeshjes.
I pyetur për këtë situatë, trajneri De Biazi e komentoi gjithçka me humor. "Unë mendoj se rrëshqitjet zgjidhen me një palë këpucë të mira sportive", tha ai mes të qeshurave në sallën e konferencave pas takimit.