Është në humor si gjithnjë Didier Deshamp. Buzëqeshja që shfaq përpara shtypit në vigjilje të finales së "Euro 2016"-ës është e karikuar me energji. "Është entuziazëm, jo tension", siguron trajneri i Francës. "Por ky është një rast unik dhe në këtë nivel vlen vetëm po ta fitosh".
E sotmja do të jetë finalja e tij e dytë e një Europiani: të parën, si futbollist, ai bëri të qajë Italinë në vitin 2000, ndërkohë që këtë herë "DD" do të jetë i veshur më elegant. "Janë emocione të tjera. Si trajner, ndonjëherë jam i shqetësuar, sepse do doja të hyja në fushë dhe t'u jepja djemve një dorë. E urrej krahasimin e brezave të futbollistëve, sepse janë epoka të ndryshme. Kush është këtu sot e ka merituar. E shkuara i takon historisë dhe tani për portugezët dhe francezët vlen vetëm kjo ndeshje".
Vetëm çlodhje
Deshamp do kishte preferuar një ditë më tepër pushimi në dispozicion, duke qenë se portugezët kanë luajtur 24 orë përpara bluve: "Por në rregull edhe kështu. Do të jetë ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime? Nuk mund të shoh pas në këto momente. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen për këtë brez lojtarësh në kombëtare.
Tani duhet të mendojnë se janë të privilegjuar që mund ta luajnë finalen e Europianit në Paris. Kishte shumë presion ndaj nesh në fillim. Dukej sikur pas dy ndeshjeve të para do të shkonim në finale. Por ne punuam në drejtimin e duhur deri në miqësoret e fundit.
Thoni që mbrojtja është përmirësuar gjatë turneut? Koshielni është një prej lojtarëve me më shumë eksperiencë ndërkombëtare, ndërsa e dija se Umtiti do të rikthehej i dobishëm. Është i ri, por ka personalitet dhe është shumë më i pjekur se shumë lojtarë të tjerë mbi 30 vjeç".
CR7 dhe Grizman
Sot, Franca nuk do të jetë vetëm në fushë: përballë është një Portugali sigurisht jo favorite, por gjithsesi e frikshme. "Kundërshtarët tanë nuk kanë ardhur rastësisht këtu. Janë të organizuar dhe solidë. Pastaj është Kristiano Ronaldo, një lojtar klasi i mrekullueshëm. Do të jetë e vështirë bllokimi i tij veçanërisht në cilësitë ajrore. Luan 'Topin e Artë' me Grizmanin? Këto janë gjëra që u interesojnë gazetarëve...
Kristiano është në këto nivele prej shumë vitesh dhe di ta ndihmojë skuadrën veç individualitetit. Antuan është i ri dhe ka bërë një sezon të madh. Por, është e vërtetë: që kur kam ndërruar formacionin, po luan një rol që u përshtatet shumë karakteristikave të tij, por unë duhet ta aktivizoj gjithnjë në pozicionin që sipas meje, mund të ndihmojë gjithë skuadrën".
PËRGATITI: ANDROKLI DRALO