Kapiteni i kombëtares franceze Hugo Loris, në konferencën e sotme për shtyp është shprehur se skuadra është çliruar nga emocionet e kompeticionit Europian dhe nuk ka asnjë presion përpara ndeshjes me Shqipërinë.
"Do të jetë një ndeshje tjetër nesër. Ndeshjen e parë nuk e dinim se çfarë të prisnim, kishim më shumë presion se zakonisht", tha ai.
Nga ana tjetër trajneri i "gjelave" Didier Deshamp, është treguar më i rezervuar për ndeshjen e mbrëmjes së nesërme, një takim që për Francën në rast fitoreje përkthehet në një kualifikim të sigurt në fazën tjetër të "Euro 2016".
"Ne duhet ta marrim atë fitore. Kur është e vështirë duhet të tregohemi të duruar. Ata janë të organizuar dhe kanë një trajner italian, kanë cilësi fizike, por edhe cilësi psikologjike", u shpreh numri 1 i pankinës së Francës.
Shqipëria ka një bilanc pozitiv në dy takimet e fundit në miqësore, por finalet e Europianit kanë treguar rezultate krejt ndryshe nga përballjet e kaluara.
Të dy ekipet luajnë nesër për 3 pikë të rëndësishme, kuqezinjtë për të pasur një mundësi më të mirë kualifikimi dhe francezët për ta siguruar kualifikimin që ndeshjen e dytë.