Deshira per te qene i rritur

Deshira per te qene i rritur
Kjo është tendenca e ditëve të fundit: të rinjtë që duan të duken të rritur, ndërsa prindërit adoleshentë. Sipas sociologëve, kjo metodë nuk ndihmon asnjërën nga palët. A është normale për një adoleshent që dëshiron të jetë i rritur? Pediatrit, psikologët, sociologët të gjithë janë dakord me këtë fakt. Megjithatë arsyet dhe motivet e kësaj dëshire janë nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha pasqyrojnë realitetin socialo-kulturor në të cilin jetojnë.

Liria dhe autonomia

Një studim që është bazuar te zakonet dhe mënyra e jetesës së adoleshentëve nga mosha 12-14 vjeç, ka marrë në konsideratë edhe një faktor tjetër, që në këtë rast është mosha: më shumë se 40 për qind e meshkujve dhe 50 për qind e femrave dëshirojnë të duken më të mëdhenj në moshë nga ç’janë. Arsyeja kryesore e kësaj dëshire të çuditshme lidhet me lirinë dhe autonominë, si për shembull nëse një adoleshent do të ishte më i madh në moshë do të kishte më shumë liri, do të ngiste makinën, do të dilte nga shtëpia sa herë të kishte dëshirë, nuk do t’u kërkonte leje prindërve për të bërë diçka. Deri këtu gjithçka është në rregull sipas parashikimeve, por duke u bazuar te përgjigjet e të anketuarve vihet re një fakt tjetër shumë interesant: përqindja e atyre që dëshirojnë “të duken më të mëdhenj” (por që faktikisht nuk janë) është 10 herë më e lartë në krahasim me treguesin e atyre që dëshirojnë të duken vetëm pak fare më të rritur (pra të kenë një ose dy vite më shumë, që konkretisht janë 51% e meshkujve dhe 60% e femrave).

Të dukesh më i madh

“Të qenët më i madh” mund të ketë avantazhet e veta si në aspektin e lirisë ashtu edhe të autonomisë, por fjalët “vetëm pak” nuk janë edhe aq të qarta. Në fakt është logjike që nuk mund t’i jepet patenta një vajze ose djali vetëm sepse duket më i/e madh/e. Por cila është arsyeja e kësaj dëshire “për t’u dukur” më të mëdhenj nga ç’janë në të vërtetë? Sipas një sociologu, kalimi nga adoleshenca te mosha e rritur karakterizohet nga zgjedhje që përcaktohen, për shembull si ‘dalje nga familja’, marrjen në dorë të situatës ekonomike, krijimin e një bërthame të re familjare dhe sjelljen në jetë të fëmijëve. Sot ‘adoleshentët e rritur’ janë të prirur t’i shtyjnë edhe më shumë në kohë këto zgjedhje, duke qëndruar për vite me radhë në një adoleshencë të tejzgjatur. Të privuar nga këto komponentë të rëndësishëm, rituali i kalimit nga adoleshenca në moshë madhore, mund të kapërcehet lehtësisht nga adoleshentët e sotëm, sepse, sipas tyre, duke u dukur më të rritur, jo vetëm që në të vërtetë nuk janë, por nuk marrin as përgjegjësitë që i takojnë një të rrituri.

Prindërit, modeli i të rriturve?

Ndërkohë që në të kaluarën adoleshentët kishin si model prindërit, sot për herë të parë në historinë e familjes prindërit përpiqen të imitojnë adoleshentët, jo vetëm në mënyrën e të sjellit, por edhe në të veshur, në të folur e kështu me radhë. Nëse dikur ishte vajza që kishte dëshirë të vishte rrobat e nënës, sot janë mamatë që përpiqen të “futen” me çdo kusht në xhinset ose bluzat e bijave. Në cilën shtëpi nënat zihen me vajzat për kompjuterët? “Unë çatoj një natë po dhe një jo, sepse netët e tjera çaton mamaja ime. Tani kemi vendosur që të blejmë dhe një kompjuter tjetër që të mos e shqetësojmë më njëra-tjetrën”, thotë një 13-vjeçare. Mos u habisni, sepse shembuj të tillë ka pafund. Por cilat janë pasojat e kësaj sjelljeje. A do të kenë adoleshentët një model të mirëfilltë nëse prindërit sillen si fëmijë? “Prapa sjelljeve ‘të rritura’ të adoleshentëve nuk ka asgjë të veçantë, por është një lloj mburoje për të fshehur brishtësinë e tyre të madhe. Një individ i brishtë, që përveç të tjerash duhet të përballojë një situatë të vështirë siç është futja e tij në shoqëri, rrezikon të thyhet që nga vështirësitë e para që jeta i ofron, që mund të jenë nga më të ndryshmet, për shembull nga dështimi në shkollë, te refuzimi i vajzës ose djalit që i pëlqen”, thekson sociologu.

Familja

Familja dhe shkolla duhet të jenë vendet më të përshtatshme dhe të mbështesin adoleshentët në këtë fazë delikate të kalimit nga një moshë në tjetrën. “Edhe pediatrit me kompetencat e tyre duhet të jenë një pikë e rëndësishme referimi, sepse janë të aftë të dallojnë shenjat e mërzitjes që një adoleshent mund të shprehë. Një nga shenjat më të zakonshme që vërehet tek adoleshentët gjatë ‘tranzicionit të moshës’ është çrregullimi ushqimor që mund të shkaktojë anoreksi ose bulimi, patologji gjithnjë e më të shpeshta në adoleshencën e ditëve të sotme, që tashmë janë bërë karakteristika të një epidemie të vërtetë sociale”, përfundon sociologu.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama