Deshmia e Sinanajt fundos biznesmenin qe dyshohet se e urdheroi te ekzekutoje Pirro Baren

Deshmia e Sinanajt 'fundos' biznesmenin qe dyshohet se e urdheroi te ekzekutoje Pirro Baren

Biznesmeni i hidrokarbureve, Ilir Karçini, rrezikon më shumë se 10 vite burg, pasi Prokuroria ka filluar hetimet, krahas veprës penale të sigurimit të mjeteve për të kryer vrasje, edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Madje, akuza pohon se ka prova se Karçini e ka kryer veprën penale në bashkëpunim dhe për rrjedhojë, masa e dënimit rritet edhe më tepër. “Frikës” se biznesmeni që kishte urdhëruar eliminimin e konkurrentit të tij do të dënohej maksimalisht me pesë vite burg, Prokuroria e Krimeve të Rënda saktëson se veprimet e tij konsiderohen si pjesë e të gjithë procedimit penal, pra pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Burimet shtojnë se, dëshmia e Sinanajt duket se ka “fundosur” biznesmenin Karçini, pasi ai ka rrëfyer se e ka takuar personalisht, madje katër herë, ndryshe nga rrëfimi i biznesmenit, që pretendonte se nuk kishte takuar asnjë nga të proceduarit e tjerë. Por, hetuesit e çështjes, krahas dëshmisë, shtojnë se kanë të tjera fakte, të cilat nuk preferojnë t’i bëjnë publike, për shkak të sekretit hetimor.

Hetuesit pohojnë se dëshmia e Sinanajt është më se e vërtetë, pasi ai ka pohuar se do të merrte 120 mijë euro për ekzekutimin e biznesmenit Pirro Bare, i cili është pronari i firmës “Romano Port”, që ka ekskluzivitetin e ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm.

Vrasësi me “kontratë” ka shpjeguar për hetuesit e çështjes se e ka takuar katër herë biznesmenin Ilir Karçinin, ndryshe nga deklarata e këtij të fundit, si dhe e avokatit të tij. “Klienti im nuk i njeh të pandehurit e tjerë, madje nuk i ka takuar kurrë”, do të pohonte në gjykatë avokati Theodhori Sollaku, ndërsa nga ana tjetër, hetuesit i kanë servirur gjykatës edhe dëshminë e Julian Sinanajt.

“Jam takuar me Ilir Karçinin katër herë. Një nga takimet ka qenë në zyrën e biznesmenit”, ka rrëfyer Sinanaj, teksa ka shpjeguar se ndërmjetës ka qenë një nga kushërinjtë Mëhillaj, pikërisht Genis Mëhillaj. Mësohet se takimet e tjera janë bërë në disa lokale të Tiranës, ku Sinanaj ka rrëfyer të gjitha detajet e bisedave apo edhe porosive të Karçinit.

Gjatë takimeve me biznesmenin e hidrokarbureve, Sinanaj pohon se ka marrë edhe një paradhënie të majme, pikërisht nga Ilir Karçini.

“Biznesmeni më ka dhënë personalisht 50 mijë euro. Pjesën tjetër do ta merrja pas ekzekutimit të Pirro Bares”, ka pohuar 31-vjeçari. Për të vërtetuar këto dyshime, prokuroria u ka kërkuar bankave të nivelit të dytë lëvizjet e llogarive bankare të Karçinit, pikërisht ditën që ka paguar edhe 50 mijë eurot. Rrëfimi i Julian Sinanajt është ndalur edhe te momenti që ka marrë në dorë fotografinë e objektivit, Pirro Bare. “Në një nga takimet, Ilir Karçini më ka dhënë personalisht një fotografi të Bares. Në foto ishte edhe Karçini”, ka vijuar i penduari, ndërsa më pas ka filluar gjurmimin e biznesmenit. Ai ka studiuar vendet që frekuentonte Pirro Bare, si dhe oraret e lëvizjeve në banesë.

“Kam mësuar disa detaje nga lëvizjet e Bares, por edhe miqtë që frekuentonte. I kam bërë disa fotografi në një lokal në Tiranë, pikërisht afër kodrave të liqenit. Doja të isha i saktë në këtë ekzekutim dhe të mos kisha asnjë dyshim për personin”, ka shpjeguar Sinanaj, ndërsa pohon se vrasja do të kryhej më datë 25 shkurt në Tiranë. Në prokurori ka dëshmuar edhe biznesmeni Pirro Bare, i cili ka thënë se ka pasur konflikte edhe me Karçinin. Të gjitha këto prova kanë “detyruar” hetuesit që t’i shtojnë akuzat ndaj biznesmenit Karçini.

Dëshmia

“Në një nga takimet, Ilir Karçini më ka dhënë personalisht një fotografi të Bares. Në foto ishte edhe Karçini”, do të deklaronte vrasësi me pagesë, dëshmi e cila do të fundoste Karçinin


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama