“Autorët i pashë pasi dëgjova krismat. Drejtori nuk më tha se ndiqej”
Shoferi i Artan Santos është pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore për të mësuar më shumë mbi lëvizjet ditore të bankierit, nga banesa në zyrën e tij, në zonën e Bllokut në Tiranë. Shoferi është pyetur më shumë rreth lëvizjeve të dyshimta të motorit të vrasësve ditën e ngjarjes, pasi policia ka publikuar disa fotografi ku shihet se për një moment, motori është shumë afër Mercedez-it të viktimës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Prokuroria thotë se vrasja është kryer me paramendim.
PJESË NGA DËSHMIA
Çfarë mund të na thoni për vrasjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës “Credins”, itinerarin e lëvizjes suaj paraditen e datës 26 qershor?
Unë kam shkuar rreth orës 08:00-08:30 në banesën e zotit Santo, ku e kam pritur për disa minuta për ta transportuar në punë. Këtë detyrë e bëj prej kohësh, pasi jam i punësuar. Rreth orës 09:10 Drejtori ka dalë nga banesa dhe më ka kontaktuar që të nxirrja automjetin. Ai ka hipur pas makinës dhe më pas lëviza në drejtim të bankës. Dua të theksoj se banesa e zotit Santo është në zonën e Liceut Artistik dhe më tha ta dërgoja në zyrën e tij, në Bankën ‘Credins’, ku dhe është Drejtor i Përgjithshëm. Unë kam lëvizur në drejtim të Televizionit Shqiptar, para Ambasadës Italiane dhe më pas jam drejtuar në drejtim të Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Kam kaluar kryqëzimin midis hotel ‘Rogner’ dhe Kryeministrisë dhe më pas kalova para Kryesisë së Kuvendit, për të përfunduar në godinën e Bankës ‘Credins’, në destinacion. Drejtori më tha ta lija te dera kryesore, nga rruga e Bllokut dhe pasi zbriti unë do të shkoja të parkoja automjetin. Por, në këtë çast kam dëgjuar disa të shtëna, ku e para është bërë ndaj mjetit. Jam shtangur dhe jam ulur në sedilje instinktivisht dhe kam parë që dy persona kanë sulmuar Artan Santon, ku e kanë qëlluar nga pas. Gjithçka ka zgjatur vetëm pak sekonda ku autorët janë larguar në drejtim të Librit Universitar, ndërsa unë kam dalë jashtë automjetit dhe kam parë të shtrirë përtokë Drejtorin e bankës. Aty pranë ka ardhur edhe rojat e bankës dhe pasi lajmëruam policinë, pamë se Artani kishte ndërruar jetë”.
Zoti Santo lëvizte gjithmonë me automjet apo edhe në këmbë?
Në disa raste, lëvizte edhe në këmbë. Preferonte që rrugën nga banesa në drejtim të Bankës “Credins” apo në ndonjë institucion tjetër, ta bënte në këmbë. Por, në shumicën e rasteve, më telefononte dhe e dërgoja me automjet në bankë. Përveç shoferit që isha unë, nuk kishte asnjë truproje.
A keni vënë re ndonjë lëvizje të dyshimtë të motorit të autorëve gjatë rrugës nga banesa e zotit Santo, te Liceu, e deri te zyrat e Bankës “Credins”?
“Nuk kam vënë re asnjë gjë të dyshimtë. Nuk kam parë asnjë motor gjatë kohës që ecja me automjet. E kam parë motorin vetëm në momentin që kam dëgjuar të shtënat dhe autorët janë larguar.
Po para ngjarjes, a keni parë ndonjë motor të ngjashëm që e ndiqte automjetin që drejtoni?
Nuk kam vënë re asnjë gjë të dyshimtë, por edhe asnjë motor. Në rrugën që kaloja për në punë, kishte shumë motorë dhe nuk u kam kushtuar rëndësi këtyre detajeve.
A ju ka treguar ndonjë shqetësim zoti Artan Santo?
Kontaktet e mia me zotin Santo ishin në rolin e drejtorit dhe vartësit. Nuk më kishte shprehur ndonjë shqetësim për sigurinë fizike.
Vrasja
Gjithçka ka zgjatur vetëm pak sekonda ku autorët janë larguar në drejtim të Librit Universitar, ndërsa unë kam dalë jashtë automjetit dhe kam parë të shtrirë përtokë Drejtorin e bankës. Aty pranë kanë ardhur edhe rojet e bankës dhe pasi lajmëruam policinë, pamë se Artani kishte ndërruar jetë
Dëshmitari
Shoferi është një nga katër dëshmitarët okularë të kësaj ngjarjeje, krahas policit rrugor, rojës së sigurisë dhe dy shitëseve të luleve pranë vendit të ngjarjes. Të gjithë kanë parë motorin dhe autorët vetëm pasi kanë dëgjuar të shtënat, ndërsa kanë përshkruar edhe personat në motor