Deshmitari i Doshit i semur mendor

'Deshmitari i Doshit, i semur mendor'

Vrasësi i pretenduar i Tom Doshit, Petrit Çinari, rezulton një shtetas i sëmur mendor. Lajmi u konfirmua nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili sqaroi përmes një konference për shtyp se shtetasi i pretenduar si dëshmitar nga Doshi, është trajtuar si një i sëmur mendor në institucionet e personalizuara të vendit. Çinari u zbulua dje nga Doshi si një ish-oficer i specializuar në snajper.

Luan Rama i cilësoi si një farsë akuzat e deputetit të përjashtuar nga PS, Tom Doshi, i cili pretendon se Petrit Çinari ishte thirrur nga babai i Metës për të kryer atentatin, detyrë të cilën ai nuk e kishte pranuar.

“Rezulton se vrasësi Petrit Çinari, është një i sëmur mendor, i trajtuar si tillë nga institucionet e personalizuara të vendit. Gjithë kjo farsë njerëzish është shndërruar në një parodi qesharake, që duhet të marrë fund sa më shpejt. Është detyra e Prokurorisë të hetojë me konsistencë dhe me paanshmëri, bazuar vetëm në ligj, për ta mbyllur një herë e mirë këtë parodi dhe për të vënë para drejtësisë cilindo që ishte i përfshirë në këtë marrëzi”, deklaroi Luan Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së i kërkoi organit të akuzës të bëjë pjesë të hetimit, faktin e përdorimit të personave të sëmurë.

“Ligji e dënon keqpërdorimin ose përdorimin e të sëmurëve, pasi bie në kundërshtim me atë që përcakton. Prokuroria ta bëjë pjesë të hetimit të vet duke e thelluar dhe tek manipulimi dhe keqpërdorimi i të sëmurëve”, tha Luan Rama.

Protesta e PD-së, Luan Rama: Shteti do reagojë në rast dhune

Luan Rama u pyet edhe lidhur me protestën e Partisë Demokratike, e cila pritet të mbahet ditën e nesërme. Për deklaratën e Edi Palokës, i cili tha se PD nuk mban përgjegjësi se çfarë do të bëjnë qytetarët, sekretari Rama theksoi se në rast dhune, shteti do të reagojë.

“Gjithë qytetarët e këtij vendi, mbështetësit e PD-së, e kanë parasysh faktin që Shqipëria është një vend demokratik, anëtar i NATO-s. Çdo aludim apo përpjekje për të stimuluar dhunë apo për të krijuar terrenin për dhunë, jo vetëm është e dënueshme, por do të gjejë përballë reagimin e organeve të shtetit dhe të qytetarëve. Shqipëria anëtar i NATO-s, është bërë edhe për shkak të kontributit të PD-së. Nuk besoj që Doktori do mund t’iu kundërvihet vullnetit të qytetarëve për të krijuar dhunë. Në të kundërt do ketë përballë reagimin e shtetit ndaj kriminelëve. Reagimi do të jetë siç do shtet ku përball ka keqbërësit dhe shkelësit e ligjit”, përfundoi sekretari Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama