Deshmitari i procesit Hajdari me dokumente antiterrori serbe

Deshmitari i procesit 'Hajdari', me dokumente antiterrori serbe

Petrit Çakrri, personi që u njoh si një prej dëshmitarëve në procesin ndaj vrasësve të Azem Hajdarit është arrestuar ditën e djeshme nga policia e Durrësit. 44 vjeçari tropojan është prangosur teksa ka tentuar t`i japë lekë një punonjësi policie për të mos i bllokuar mjetin, meqë Çakrri po udhëtonte pa patentë dhe pa asnjë dokument të mjetit. Tropojani ka paraqitur para punonjësit të policisë tre dokumente profesioni për t`i treguar efektivit se ai është një person që punon për Anti-mafien, për anti-terrorin, për një tjetër agjensi të huaj hetimi dhe zbulimi, ndërsa polici ka vendosur që jo vetëm mos të marrë parasysh shumën e ofruar por as dokumentet që posedonte tropojani. Pas shoqërimit në komisariat është saktësuar se në fakt mjeti nuk ishte i pajisur me asnjë lloj dokumentacioni dhe se drejtuesi i tij është mbajtur në pranga paraprakisht për dy akuza, të cilat e lënë në qeli tropojanin, pavarësisht çfarëdo lloj e vërtetë të posedojë ai me makinën e tij. Policia e Durrësit saktëson aktualisht ndaj tij rëndojnë dy akuza, ndërsa po hetohet intensivisht në lidhje me mjetin dhe tre dokumentet e identifikimit të cilat i janë gjetur me vete, njëra në gjuhën serbe. Arrestimi Zyrtarisht Policia e Durrësit bëri me dije ditën e djeshme se ka arrestuar një 44-vjeçar nga Tropoja pasi ka tentuar të korruptojë efektivët e policisë.

Petrit Çakrri, fillimisht është ndaluar pasi ishte pa dëshmi drejtimi dhe pa asnjë dokument mjeti. Sipas policisë, gjatë një kontrolli që ai po i nënshtrohej nga policia e rendit dhe qarkullimit rrugor tentoi të korruptonte punonjësit. Tashmë ndaj 44-vjeçari rendon edhe akuza e korrupsionit aktiv. Gjatë shoqërimit të tij iu bllokuan dy dokumente njëri në gjuhët Shqip-Anglisht dhe tjetri në gjuhën Serbe të cilët dyshohen se janë të falsifikuara me mbishkrimet "Antimafia", " Antiterror".  Referuar të dhënave të besueshme të policisë së Durrësit bëhet me dije se makina me të cilën udhëtonte tropojani ishte me targa të huaja dhe fakti që nuk kishte asnjë lloj dokumenti po punohet për të verifikuar të dhënat e sakta në lidhje me mjetin. Në policia i ndaluari ka treguar se makina është e tij dhe se i kishte harruar dokumentet në shtëpi, por sipas burimeve, mjeti nuk figuron në pronësi të asnjë personi në vendin tonë. Njëkohësisht janë sekuestruar dokumentet e policisë të cilat do të verifikohen pasi dyshohet se janë false dhe përdoreshin nga ana e tij për t`ju bërë presion efektivëve të policisë.

 Drejtues të policisë së Durrësit, kanë hedhur edhe dyshime të tjera në lidhje me aktivitetin e këtij personi, pasi mjeti tip Benz dyshohet se është i vjedhur. Njëkohësisht policia dhe prokuroria po hetojnë nëse kjo makinë është e përdorur në ndonjë ngjarje, ndërsa Çakrri është mbajtur në pranga për akuzën e korrupsionit aktiv dhe të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Tropojani, njihet për dëshminë e tij në procesin për atë që u konsiderua si ngjarja e shekullit, ndërsa në vitin 2009, ai u rikthye sërish si personazh, kur u arratis nga burgu i Shënkollit për tu arrestuar rreth katër muaj më vonë. Aso kohe, u tha se Çakrri kishte marrë leje për disa ditë nga burgu dhe më pas nuk ishte kthyer, derisa u vu në pranga nga policia.     


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama