Dëshmia - “Kostandini hapi derën dhe qëlloi me një plumb në zemër, Edisonin, ndërsa pas tij ishte Enea. Të dy ranë në tokë, në krah të kundërt. Edhe pasi ata ishin shtrirë në tokë, Kostandini i qëlloi të dy me plumba në kokë”
Gjakftohtë - “Të gjitha veprimet i bënte me një gjakftohtësi që nuk e kisha parë ndonjëherë. Pa thënë asnjë fjalë. Ai thjesht qëllonte me pistoletë pa pushim. Në këtë kohë ndërhyri Andoni, punonjësi i sigurisë”
“Kostandin Xhuvani u qeras me xhin dhe shveps nga tavolina e 2 viktimave. Dhe ky ua ktheu reston”. Kështu shprehet për gazetën “Shqip”, një nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, që mundi të shikonte vrasjet direkt, si dhe të fiksonte të gjithë dinamikën e ngjarjes. Personi me inicialet A.Z, për shkak të rrezikshmërisë së ngjarjes dhe hetimit të dosjes, nuk pranon të identifikohet, por rrëfen me saktësi atë që ndodhi atje brenda. “Një masakër e vërtetë, nuk e marr vesh se sa me qetësi i vrau Kostandini ata njerëz, pa thënë një gjysmë fjalë, pa u zënë me asnjeri”, rrëfen personi në fjalë. Në dëshminë për gazetën thotë se “Edisoni, Kostandini, Enea, Arbëri, Eraldi dhe Albano erdhën rreth orës 01.30 në lokal. Dy shokët nga Berati, Edisoni dhe Enea u ulën në një tavolinë më vete, kurse 4 të tjerët nuk ishin me ta”. Sipas këtij personi, dëshmia e të cilit është administruar zyrtarisht nga Policia e Tiranës, mes dy tavolinave ka pasur shkëmbime miqësore bisedash të shkurtra, në momentet kur ndërpritej muzika. “Dukeshin sikur nuk kishin asnjë problem mes njëri-tjetrit dhe Arbëri shkonte te tavolina e Eneas dhe Edisonit. Gjatë gjithë natës, për ato rreth 2 orë e gjysmë, miqtë dukeshin në paqe.
Nuk dëgjova ndonjë zë të ngritur si nga tavolina e Kostandinit ashtu edhe nga ajo e Edisonit”, shton personi në fjalë. Si për të vërtetuar këtë harmoni mes miqve shërben edhe një moment, kur Edisoni është qerasur me xhin dhe shveps nga tavolina e Kostandinit. Ky i fundit ia kthen reston, duke e qerasur Edisonin dhe Enan me xhoni dhe birra “Peroni”. Sipas dëshmitarit, nata kaloi pa asnjë konflikt mes të rinjve, deri në mbërritjen e orëve të para të mëngjesit, kur gjakrat nisën të nxehen, por gjithsesi në heshtje të plotë. Sipas dëshmitarit okular në vendin e ngjarjes, në një tavolinë tjetër ndodhej i ulur shtetasi italian Paolo Azola, 60 vjeç dhe Arben Shuaipi, bashkëshorti i këngëtares, Maja, i cili ishte një ndër bashkëpronarët e lokalit, por asnjë prej tyre nuk pati ndonjë sherr me asnjërën nga të dyja tavolinat e tjera. Të pranishëm në lokal ishin edhe 2 balerinat, kamerieret, banakieri dhe badigardi Andon.B, ish-efektiv policie, i cili ishte personi që lajmëroi i pari policinë. I gjithë stafi përbëhej nga 9 persona.
Minutat fatale, në të cilat u zhvillua kjo ngjarje e rëndë, dëshmitari i mban mend shumë mirë, për shkak se kishte parë nga afër gjithçka ndodhi. “Nuk e mbaj mend fiks orën se kur ndodhën të shtënat, por këngëtarët dhe orkestra kishin ikur gjysmë ore para se të ndodhte ngjarja. Diku rreth orës 4 të gjithë po bëheshin gati për të dalë, kur Kostandini me Edisonin shkëmbyen fjalë me zë të ulët. Arbëri kishte dalë pak para Kostandinit”, thotë dëshmitari. Nga ana tjetër, personi që kishte parë të gjithë dinamikën e vrasjeve tregon se Edisoni dhe Enea ishin duke dalë nga lokali, kur te dera i priste Kostandini me Arbërin që ishte prapa tij dhe që mbante edhe ai një pistoletë në dorë. “Kostandini hapi derën dhe qëlloi me një plumb në zemër, Edisonin, ndërsa pas tij ishte Enea. Të dy ranë në tokë, në krah të kundërt. Edhe pasi ata ishin shtrirë në tokë, Kostandini i qëlloi të dy me plumba në kokë. Të gjitha veprimet i bënte me një gjakftohtësi që nuk e kisha parë ndonjëherë. Pa thënë asnjë fjalë. Ai thjesht qëllonte me pistoletë pa pushim.
Në këtë kohë ndërhyri Andoni, punonjësi i sigurisë, i cili u përpoq të parandalonte ndonjë gjakderdhje të mëtejshme, por Kostandini i mbaroi plumbat dhe doli menjëherë jashtë”, rrëfen dëshmitari. Sipas tij, njërës nga kameriereve i ra të fiktë sapo pa plagët e rënda në kokën e Edisonit, i cili ishte qëlluar me 5 plumba në kafkë, e vërtetuar edhe nga Mjekësia Ligjore. “Unë u përpoqa të shpëtoja jetën time dhe nuk pashë se ç’ndodhi më tej. Nuk di të të them sesi u vra italiani dhe Arbëri”, mbaron dëshminë e tij për gazetën “Shqip” personi me inicialet A.Z. Në total, Policia e Tiranës shoqëroi 22 persona, të cilët kishin lidhje me ngjarjen, të cilët dhanë dëshmitë e tyre, në lidhje me atë ç’ka kishte ndodhur. Prokuroria e Tiranës konfirmon se dyshimi i parë është që 4 vrasjet janë kryer nga Kostandin Xhuvani. Ndërkaq, të ndaluarit për vrasjet nuk kanë pranuar të flasin për policinë dhe orët në vijim priten të dhëna rreth versionit që ata do të paraqesin pranë grupit hetimor.