Auditori A103 në godinën e fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës ndryshe nga zakonisht ditën e djeshme ishte i zbrazët. Studentët e vitit të dytë të degës Financë kishin braktisur auditorët për t’i dhënë lamtumirën e fundit studentes 22- veçare Iris Belba, e cila u nda nga jeta në mënyrë tragjike duke u vetëhedhur nga tarraca e “Sky Toëer”. Në hollin e godinës së Ekonomikur në një ekran të madh shkruhej: “Fakulteti Ekonomik dhe studentët ngushëllojnë familjarët dhe gjithë të afërmit për humbjen tragjike të studentes së degës së Financës Irisi Belba. I përjetshëm kujtimi i saj”.
Në shkollë, me të ëmën
Nëpër korridoret e këtij fakulteti të gjithë flisnin për vetëvrasjen e Iris Belbës, por shumë pak prej tyre e njihnin. Në auditorin A205 ku zhvillonin mësim studentët e vitit të tretë të degës financë kishte pllakosur heshtja. Ata treguan për gazetën “Shekulli” se Irisi ka qenë në një grup me ta gjatë vitit të dytë, por ngaqë nuk kishte marrë disa provime po përsëriste vitin e dytë. Vetëm pak ditë më parë ajo kishte dhënë disa prej provimeve të mbartura. Studentët hedhin poshtë aludimet se Irisi është vetëvrarë pasi nuk kishte marrë një provim. Ata tregojnë se performanca në mësime e Irisit nuk ka qenë aspak e mirë dhe ajo ka pasur disa provime të mbartura. Studentët tregojnë se Iris Belba nuk e frekuentonte rregullisht shkollën dhe madje për shkak të mungesave nuk ishte futur në disa provime.
Asnjë prej studentëve nuk mund të na thotë se si ishte Irisi jashtë auditorëve pasi ajo nuk kishte shoqëri me askënd. Ata tregojnë se ajo rrinte e veçuar nga të tjerët dhe nuk ishte tip social. “Kemi tentuar disa herë t’i flasim dhe të afrohemi me të, por ajo vendoste barriera. Shpesh kur i flisnim përgjigjej vrazhdë dhe ne nuk tentonim t’i flisnim më”, - u shpreh një nga studentet e vitit të tretë të financës. Ata tregojnë se vetëvrasja e saj nuk ka lidhje me pedagogët apo me ngeljen në një provim pasi Irisi nuk shprehte ndonjë interes të veçantë për shkollën. Ajo rrinte gjithmonë e veçuar dhe në ambientet e fakultetit shihej shpesh e shoqëruar me të ëmën, e cila e shoqëronte në shkollë dhe e priste kur dilte prej saj. Studentët tregojnë se e ëma tregohej shumë e kujdesshme ndaj të bijës dhe madje u kishte kërkuar edhe pedagogve dhe studentëve që kishin kontakt me Irisin të tregoheshin të vëmendshëm karshi saj.
Divorci i prindërve
Mes studentëve të vitit të tretë ndodhej edhe një vajzë e cila ndryshe nga të tjerët e njihte Iris Belbën edhe nga jashtë auditorit. Lajmin e vdekjes së saj ajo e përcolli me shumë dhimbje, prandaj nuk donte të tregonte identitetin e saj. Ajo tregon se me Irisin është njohur që në fëmijëri pasi kanë zhvilluar së bashku arsimin 8-vjeçar dhe atë të mesëm. Ajo tregon për gazetën “Shekulli” se Iris Belba ka qenë një nxënëse e shkëlqyer në shkollë dhe ka dalë e para në disa olimpiada në rang kombëtar. Mirëpo pasi nisi universitetin situata familjare e saj ndryshoi duke i shkaktuar Irisit një tronditje të madhe psikologjike. Me zhvendosjen në Tiranë prindërit e Irisit u divorcuan.
Mikja e saj tregon se procesi i divorcit të prindërve të saj ka qenë i vështirë dhe kjo e ka shtyrë Irisin të bjerë në depresion. Për shkak të problemeve familjare ajo ra nga mësimet dhe ngeli në disa provime aq sa u detyrua që të përsëriste vitin. “Gjendja psikologjike e Irisit ka muaj që është rënduar dhe ajo ishte shprehur disa herë që do i jepte fund jetës”,- u shpreh shoqja e fëmijërisë. Sipas saj megjithëse kishte kaluar kohë nga divorci i prindërve Irisi nuk po e merrte veten nga ana psikologjike. Edhe dështimet e njëpasnjëshme në shkollë kanë shtuar stresin tek ajo duke e shtyrë drejt aktit tragjik. Megjithatë duke e njohur nga afër shoqja e saj shprehet se faktor kryesor për vdekjen e saj ka qenë ndarja e prindërve. Këtë fakt Irisi nuk ka dashur ta pranojë dhe e ka përjetuar shumë keq. E ëma, të afërmit dhe miqtë janë përpjekur t’i qëndrojnë afër, por nuk kanë mundur ta nxjerrin atë nga depresioni i thellë. Mikja e saj tregon se Irisi shoqërohej me një djalë, por kjo marrëdhënie nuk ishte problematike prandaj ajo e përjashton si mundësi që ky fakt të ketë ndikuar në vetëvrasjen e 22-vjeçares.
Mesazhi i shoqes: Të kërkoj falje Iris, edhe unë ndihem fajtore
Ngjarja tragjike e vajzës fierake që humbi jetën pas vetëhedhjes nga kati i 16-të i “Sky Tower” ka shkaktuar shumë reagime në opinionin publik. I veçantë dhe prekëse është mesazhi i njërës prej shoqeve të fakultetit, e cila rrëfen me dhimbje edhe anën psikologjike të Irisit gjatë kohëve të fundit. Ja se çfarë ka shkruar studentja Rajes Esti në profilin e saj në Facebook, vetëm pak orë para se të mbërrinte e mërkura. “Nuk mundem të rri pa thënë dy fjalë për atë ngjarje tronditëse që përjetova sot , për të vetmen arsye sepse e ndjej veten disi fajtore që kurrë nuk e pyeta atë shoqe klase se çfarë e shqetësonte që sillej aq çuditshëm, që kurrë nuk i rashë telefonit të saj për t’i dëgjuar hallet, që kurrë nuk e ftova për një kafe për ta njohur me tepër, që kurrë nuk i dhamë mundësinë të tregonte vetveten, që kurrë nuk e afruam, që kurrë nuk e bëmë pjesë tonën. Irisi ishte një shoqe klase e ardhur në klasën tonë për arsyet e saj.
Ajo që më vret më shumë është indiferenca, mendjemadhësia dhe arroganca që tregojmë krahas shokëve të klasës dhe ambientit që na rrethon. Më ka mbetur peng që nuk pata mundësinë t’i ofroja asaj një shpatull ku të mbështetej; unë njeriu që kurrë nuk resht së ofruari dëgjim, unë njeriu që gjithmonë jam i shoqërueshëm e që vetëm komunikoj. Ku isha unë? Ku ishim ne kur ajo kishte aq shumë nevojë për njerëz? Për çfarë jetojmë dhe cili është funksioni jonë në këtë tokë të mallkuar? Nuk ditëm kurrë ta kuptonim. Me atë mendjevogëlsinë tonë e quajtëm të çuditshme dhe e lamë vetëm në botën e saj, në hallet e saj, pa ditur që ajo vuante dhe i këndonin mbi kokë qindra probleme. Ja kush jemi ne. Ja çfarë jemi ne. Këto qenie të ndyra individualiste që kurrë nuk ditëm të ofronim mirësi. Jam me pengje sepse kurrë nuk dita ta kuptoj atë shikimin e saj që thërriste për dëgjim, mirëkuptim, ngrohtësi.
Ja pra ne njerëzit e 2014-ës! Këto fjalë s’kanë vlerë. Këto pendime s’kanë vlerë. Kjo është një autokritikë dhe një kritikë për shoqërinë mbanë, pjesë e këtij mekanizmi mediokër ku nuk dimë të ofrojmë dashuri. U prefsh në paqe IRIS. Asnjëherë nuk do t’i harroj fjalët që më ke thënë ditën e parë kur shkele në klasën tonë. Isha ndoshta i vetmi person me të cilën ti dëshiroje të shoqëroheshe. Të kërkoj falje unë dhe të gjithë ne që të lamë vetëm në një botë e cila thërriste për ndihmë”.
Lamtumira
Familjarët dhe të afërmit kanë përcjellë për në banesën e fundit 22-vjeçaren që i dha fund jetës mesditën e të martës. Iris Belba është varrosur në Fier, qytet nga i cili kishte edhe origjinën. Nga hetimet e deritanishme thuhet se shkak për vetëvrasjen ka qenë divorci i prindërve. Ajo jetonte në Tiranë me të ëmën ndërsa i ati jetonte në Fier. Pasi kanë marrë vesh lajmin të dy prindërit e saj janë transportuar në spital. E ëma ka pasur luhatje tensioni ndërsa i ati ka pësuar infarkt. Sipas të dhënave që vijnë nga spitali gjendja shëndetësore e tij është e rëndë. Sipas policisë, dëshmitë e marra tek stafi i lokalit kanë treguar se vajza ka ardhur e vetme, ka qëndruar për pak minuta në ambientet e barit e më pas ka dalë dhe askush se ka kuptuar se çfarë veprimi po bënte.
Aktualisht ngjarja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, ku pritet që hetimet e mëtejshme të zbardhin ngjarjen e plotë. Gjithë fotot e profilit në rrjetet sociale të të afërmve të Irisit mbanin në shenjë zie një shirit të zi. Të gjithë kishin shprehur dhimbjen në formën e tyre. Poshtë fotove, njerëz që e njihnin, por edhe ata që nuk e njihnin shprehnin ngushëllime për të afërmit dhe sidomos për familjen. Me anë të fjalëve ata i kërkonin familjes të bëhej e fortë dhe ta përballonte këtë foto të madhe. Si për të dëshmuar ekzistencën e saj ata kishin publikuar foto ku kishin qenë nëpër festa e darka familjare me të. Ajo kudo shfaqej e lumtur dhe e qeshur. Në komente të gjithë e quanin “yll që u shua” dhe “engjëll që u largua në qiell”.