Deshmite kryqezojne Alikon qelloi i pari thirri Allahu Ekber

Deshmite kryqezojne Alikon, qelloi i pari, thirri: Allahu Ekber

Zbardhen dëshmitë e dy të arrestuarve të grupit të Lazaratit. Përgjegjës kryesor rezulton Arbion Aliko. Ja plani i tij për sulmin mbi policinë dhe armët që përdorën. Malo dhe Selimi tregojnë detajet e ngjarjes së rëndë

 

Sado që u munduan të tregoheshin kokëfortë para hetuesve, duke mohuar gjithçka, përsëri vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, veçanërisht Arbioni, kanë qenë drejtues të grupit që sulmoi me armë policinë, ku mbeti i vrarë oficeri i RENEA-s, Ibrahim Basha.

Dëshmia kryesore është dhënë nga një prej të arrestuarve si pjesë e këtij grupi. Bëhet fjalë për të rinjtë Klodian Selimi dhe Xhuliano Malo, që kanë treguar pozicionin e tij në këtë ngjarje, por indirekt ka vënë përballë përgjegjësisë kryesore Arbion Alikon.

Malo, i rimarrë sërish në pyetje në ditët e fundit, ka treguar se plani i 24 qershorit ku u sulmua me armë policia, është diskutuar fillimisht mes vëllezërve Aliko në janar të 2015-s. I pari që ka shkrehur armët mbi policinë, sipas dëshmive është Arbin Aliko, ndërsa është pasuar edhe nga të tjerët.

“Arbionin dhe Albanin i kam shokë, me Albanin takohesha shpesh. Më tha rreth 6 muaj më parë se së bashku me persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk m’i përmendi, do të qëllonin me armë policinë, ideja e tij ishte që Lazarati të rikthehej siç kish qenë më parë, pa polic dhe që të mbillnim sërish drogë për të fituar. Unë pranova se do fitoja lekë, më pas këtë bisedë s’e kemi bërë më. Më datë 22, rreth orës 05:00, Albani më mori në telefon dhe më tha hajde në Lazarat për muhabetin që kemi folur. Shkova në Lazarat, prindërve u thashë do iki në plazh në Durrës, atje fjetëm në një shtëpi të braktisur mbi xhaminë dhe rreth orës 00:00 të natës duke gdhirë e sotmja shkuam te pika ku kishim lënë të bëhej lufta, vendi quhej “Shkolla e Re, përballë pularisë, atje ishin dhe 8-9 persona të tjerë me maska dhe rroba ushtarake nga të cilët njoha Arbionin, vëllain e Albanit. Në tokë kishte armë, aty unë mora një kallash, ndenjëm rreth 6 orë dhe qëlluam disa herë në ajër. Arbion Aliko, i cili qëlloi i pari, para se të qëllonte thërriti ‘Allahu Ekber’, pas tij thërritëm të gjithë dhe filluam të qëllonim në ajër, unë qëllova 15 plumba. Në mëngjes, vëllezërit Aliko më thanë të shkoja afër qendrës ku ata të dy kishin lënë aty një makinë me çelësa brenda, vajta dhe e mora makinën për ta çuar tek Alikot. Në gjysmën e rrugës më ndaloi policia, në momentin e prangosjes kam dëgjuar të shtëna armësh”.

Kjo ka qenë dëshmia e përmbledhur e Xhuliano Malos, ndërsa të tjerë persona nga të arrestuarit në Lazarat e konfirmojnë si kryetar i grupit të armatosur që la të vrarë efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha dhe plagosi dy kolegët e tij, Jetmir Isa dhe Perlat Hamitaj.

Ndërsa Klodian Selimi, një tjetër i arrestuar, para grupit hetimor tregon se njihet prej kohësh me Arbion Alikon dhe takimi ku u fol për sulmin me armë, është kryer më datë 21 qershor, vetëm tri ditë para se të ndodhte ngjarja.

“Dy ditë më vonë shkova në Gjirokastër, më merr në telefon Arbioni në numrin tim 0699409XX, më mori nga numri i tij që fillon me 06921xxxx dhe më tha të shkoja në fshat dhe ta merrja në telefon. Shkova, e mora në tel, erdhi me Benzin e tij 250, të cilit i kish vendosur targa Tirane, më thirri tek dera e më tha të shihja nëse kish patrulla policie në qendër apo rrugës për në qendër dhe ta njoftoja në telefon. Ai u largua drejt përroit të Selimit, nga ku u kthye rreth orës 24:00, ndërsa unë po rrija jashtë me Mejdan Bashën tek bilardo e Drini Alikos. U afrova tek makina dhe Arbioni më tha: “A do dalësh me grupin të luftojmë sonte? Unë i thashë po. Ai më tha ik tek grupi te depoja e ujit. Pas Arbionit lëvizi edhe Endush Aliko me makinën e tij ‘Smart’. Kur shkova tek depoja e ujit ishin katër veta, ata ishin në këmbë të pamaskuar dhe ishin në pritje t’iu sillnin armët e zjarrtit. Këta persona ishin Dervish Gaba, Elson Kazma, një djalë nga fshati me emrin Dhurim Kazma, Ani Hiri dhe Oltion Proko. Ata më thanë se po presim armët pasi me to do gjuanin policinë. Aty mësova se këta do qëllonin me armë në pjesën e poshtme të fshatit, do të qëllonin rreth orës 03:00 ose 04:00 të mëngjesit. Gjatë kësaj kohe Durimi foli në telefon me Arbionin dhe mësova se fillimisht do qëllohej poshtë, pastaj do qëllohej nga depo e ujit e më pas do bashkoheshim poshtë. Pasi pashë që babai më kish marrë 32 herë në telefon, i frikësuar gjeta një pretekst për të marrë ujë ke dyqani dhe u largova, rrugës takova e Sinan Rabin po s’i tregova për planin. Mbërrita në shtëpi fika telefonin, e rreth orës 05:00 në mëngjes dëgjova të shtëna armësh, fjeta sërish dhe në 10:00 u zgjova. Kur dola në ballkon tek zona e quajtur Pularia, pashë 4 persona të maskuar të armatosur me një maune, ata vendosën makinë kryq në rrugë për të penguar mjetet të futeshin në fshat dhe ikën sërish nga erdhën. Mamaja më tha se ishte goditur një makinë policie, afër oborrit të shkollës pashë 5 persona me maska të ngritura gjer te balli dhe unë i njoha, ishin 10 metra larg, ishin Arbion Aliko, Alban Aliko, Elson Kazma si dhe dy djem nga fshati me mbiemër Boci që po ngarkonin armët në makinën ngjyrë blu Benz 240. Makinën e kam parë në fshat, përdorej nga vëllezërit Boci, armët ishin të ndryshme njëra ishte më e madhe se automatik kallashnikov por se çfarë armë ishte s’e di”.

Në fakt dyshohet se bëhet fjalë për mitralozin, që tashmë dyshohet se është arma me të cilën u vra efektivi Ibrahim Basha.

Gjithashtu, i pandehuri Selimi, që nga dëshmia rezulton se është bashkëpunëtor i vëllezërve Aliko dhe I anëtarëve të tjerë të grupit të zjarrit tregon edhe momentet pas vrasjes së efektivit të RENEA-s.

“Më telefonoi Arbion Aliko, më pyeti se ku isha? I thashë jam në dasëm me familjen, ai më tregoi se u fut policia në fshat, por unë i thashë morëm fund, duke nënkuptuar se do kishim probleme pasi ishte qëlluar policia”.

Ndërsa pavarësisht se policia më parë bënte përgjegjës kryesorë vëllezërit Aliko, përsëri dyshohet se edhe Endush Aliko dhe Asqeri Basha ishin përgjegjës për grupin e zjarrit pranë xhamisë ku pjesëtarë ishin Dervish Gaba, Elson Kazma, Ani Hiri dhe Dhurim Basha. Faza e hetimit është gati në finalizimin e saj, por kërkohen edhe disa prova të tjera shkencore për të shkuar përfundimisht drejt gjetjes edhe të personit që shkrehu armën mbi Bashën dhe kolegët e tij. Aktualisht për ngjarjen e Lazaratit të 24 qershorit janë të arrestuar 12 persona, ndërsa edhe dy të tjerë janë ende në kërkim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama