Deshtimi i federates

Dështimi i federatës

JETMIR HALILAJ

JETMIR HALILAJ

JETMIR HALILAJ

Futbolli shqiptar ka marrë goditjen më të rëndë në arenën ndërkombëtare. Kampionët e Skënderbeut zyrtarisht nuk do të marrin pjesë këtë vit në Champions për trukime ndeshjesh.

Pra, shqiptarët anembanë botës mund të krenohen sot me Kombëtaren për atë që bëri në Europian, por njëherazi edhe të turpërohen për faktin se skuadra kampione e vendit të tyre u dënua as më shumë e as më pak, por për manipulim ndeshjesh.

Dhe ky është futbolli shqiptar pa makijazh sot: me Kombëtaren që është si një ishull i veçuar nga realiteti shqiptar dhe me kampionatin vendës të të gjitha kategorive që është molepsur keq në trukime dhe paracaktime rezultatesh.

Megjithatë, duhet të jemi korrektë: Skënderbeu nuk është skuadra e parë shqiptare që përfshihet në trukime ndeshjesh as në Shqipëri dhe as në arenën europiane.

Por, ky klub është i pari që guxoi ta sfidonte UEFA-n pasi kjo e fundit e kishte shpërblyer me 6 milionë euro për ecurinë që bëri një vit më parë.

Mesazhi është i qartë nga UEFA: "bëjmë një sy qorr për ekipet e vendeve me probleme ekonomike dhe pak të zhvilluara si Shqipëria, por deri sa ato luajnë në nivelet e ulëta"...

Nëse guxon të sfidosh institucionin europian të futbollit (që gjithsesi nuk është aspak brilant për etikën apo standardet që përdor), atëherë ndëshkohesh.

Po, ndëshkohesh, sepse nuk mund të marrësh miliona euro nga faza e grupeve (6-fishin e buxhetit vjetor të korçarëve) dhe, më pas, të trukosh edhe ndeshje sipas qejfit.

Por, a është fajtor vetëm Skënderbeu në gjithë këtë? Dyshoj që jo! Sistemi Skënderbeu është thjesht pasqyra e gjithë sistemit mbi të cilin funksionon sot futbolli në Shqipëri. Sistem i certifikuar, për fat të keq, nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Sistem që tejkalon veprimtarinë sportive dhe zhvlerëson "fair play"- in në të gjitha kuptimet e tij. Sepse në futbollin shqiptar mund të dënosh lojtarë për trukime ndeshjesh, por jo klubet.

Sepse në futbollin shqiptar sot mund të biesh nga kategoria se rreh një zyrtar të federatës, por jo sepse bën teatër në mes të ditës para 10 kamerave që transmetojnë "live"... Sepse në futbollin shqiptar një arbitër i pezulluar për ryshfet mund të mbetet jashtë për dy vite, por kthehet si me telekomandë në aktivitet sikur të mos kish ndodhur asgjë.

Sepse vetëm këtu ndodh që një ndeshje trukohet nga minuta e parë deri tek e fundit dhe presidenti i federatës e pranon publikisht këtë, por më pas mburret që ajo "ishte e vetmja e trukuar"...

Rrjedhimisht nuk mund të flitet më për futboll të ndershëm, pikërisht sepse federata ka kohë që e injoron futbollin vendës, pavarësisht çfarë ndodh dhe pavarësisht se njerëzit gjithnjë e më pak shkojnë të mbushin stadiumet.

Skandali i federatës Federata Shqiptare e Futbollit nuk është prononcuar kurrë për rastin e Skënderbeut. As dje! E pabesueshme, por e vërtetë. Institucioni i futbollit, me sa duket, harron që nuk menaxhon vetëm Kombëtaren, por është përgjegjës edhe për gjithë futbollin në Shqipëri.

Duka dhe pjesa tjetër e atyre që e quajnë veten sot "baballarët e futbollit" nuk u kanë thënë shqiptarëve asnjë fjalë se çfarë ndodh me kampionen e vendit të tyre...

Kanë shpresuar gjithnjë se çudia më e madhe tri ditë do të zgjasë dhe do të kalojë edhe kjo... Përpiqen të mbulojnë edhe një skandal të këtyre përmasave me arritjen e Kombëtares, ku shumica e atyre që ishin në Francë nuk ishin produkt i kampionatit tonë, por i Zvicrës. Kjo pra është federata sot.

Dhe, për fat të keq, kur një institucion nuk arrin të reagojë ndaj padrejtësive apo pazareve që bëhen në dëm të një vendi të tërë, ka vetëm dy motive se përse nuk e bën këtë: ose është i kapur fund e krye, ose është i përfshirë edhe vetë në afera.

Federata është organizatorja e të gjitha kampionateve dhe ka përgjegjësi kryesore për mbarëvajtjen e futbollit në Shqipëri. Por, kur UEFA na dënon kampionët për trukime, kur shkelet rregullorja për të ndryshuar strukturën e Kategorisë së Parë pikërisht prej trukimeve, atëherë ky institucion ka dështuar tërësisht në misionin e tij.

Vendimi i djeshëm i KAS-it në Lozanë thjesht i tha gjithë botës që shqiptarët nuk trukojnë ndeshje vetëm në shtëpinë e tyre, por edhe jashtë saj!



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama