Deshtimi i studenteve online ne klase mesohet me shume

Deshtimi i studenteve online, 'ne klase mesohet me shume'
Në shkenca mbeten shumë pas, por një pjesë e mirë kanë probleme edhe me lëndët shoqërore. Të mësosh online duket se nuk është mënyra më e mirë për të fituar dije... Në orën e drekës, Noah Schnacky nuk ka dëshirë të bëjë ushtrimet e algjebrës. I ulur në krevatin e dhomës së tij, 15-vjeçari nga Florida shikon në monitorin e kompjuterit listën e leksioneve që duhet të përfundojë brenda fundit të javës, duke u ndalur veçanërisht te lënda e gjeografisë. Por në vend që të lexojë artikullin e gjatë për pamjaftueshmërinë e lëndëve të para, i mërzitur dhe i lodhur zbret në kuzhinë për të përgatitur një pije. Shkolla e tij, tri orë në ditë online, mund të presë. Falë ligjeve të miratuara në rreth 30 shtete, nga Virxhinia në Tenese, sot në Amerikë janë më shumë se 250 mijë nxënës si Noah, të cilët ndjekin mësimin online, me një rritje prej 40 përqindësh vetëm në tri vitet e fundit. Është një ushtri studentësh që kalojnë gjithë harkun shkollor, nga kopshti deri në gjimnaz, pa shkelur kurrë në klasë, pa folur me një shok, apo pa luajtur në një palestër.

Në Xhorxhia, përmes një aplikacioni dhe risive teknologjike, mund t’i ndjekësh lëndët edhe në “iPhone” personal. Pavarësisht bumit të pashmangshëm, bilanci i këtyre shkollave pa banka dhe dërrasa të zeza, të destinuara mbi të gjitha për të varfrit në zonat rurale, është shkatërrues. Sipas një studimi të “National Education Policy Center” rreth 60 për qind e këtyre studentëve mbetet shumë pas në matematikë, në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre që frekuentojnë shkolla tradicionale, ndërsa rreth 50 për qind ka vështirësi në letërsi. Një e treta nuk diplomohet në kohë, ndërsa shumë të tjerë e braktisin vetëm pak kohë pasi janë regjistruar. Por gjithsesi, mediat më të mëdha në botë nga “New York Times” te “Washington Post” apo “Wall Street Journal”, nuk i dekurajon aspak ‘arkitektët’ e saj. “Objektivi ynë është ta bëjë këtë lloj shkolle publike të prekshme për çdo fëmijë në Amerikë”, deklaron Ronald Packard, 48-vjeçari, ish-bankieri i “Goldman Sachs”, që me Michael Milken, në vitin 2000 ka themeluar aktivitetin më të madh privat të kurseve online të quajtur: K12. Për të siguruar mbështetjen e guvernatorëve dhe të politikanëve republikanë (është e rëndësishme pasi këto shkolla online janë publike dhe varen nga financimet shtetërore) Packard ka emëruar presidentin William Bennett, ministër i Edukimit në kohën e Ronald Reagan. Rezultati është një biznes prej 522 milionë dollarësh në vit (+36% që prej vitit 2010) dhe një rrogë prej 5 milionë dollarësh për Packard.

“Fëmijët vlejnë shumë para”, ironizon “New York Times”, që më pas vijon se “jemi përpara një biznesi të vërtetë që i vjedh kontribuuesve financimet e destinuara për mësimdhënien publike, ngarkon mësuesit me punë dhe ul cilësinë e standardeve edukative”. Sipas së përditshmes, për çdo student të regjistruar, K12 merr rreth 10 mijë dollarë në vit. Por më të zemëruarit janë mësuesit që japin mësim online. “Shpesh kemi deri në 250 studentë në leksion dhe kjo na detyron të jemi më pak rigoroz dhe kërkues”, thonë ata. Ngarkesës së madhe të punës i korrespondojnë rroga të ulëta dhe pamundësia për të verifikuar mashtrimet që janë shumë të përhapura, sipas atyre që e njohin mirë këtë punë. “Fushatat e rekrutimit të K12 nuk janë shumë të ashpra. Spotet e tyre publicitare kanë pushtuar tashmë radiot dhe televizionet dhe personat e zyrës së tyre paguhen në bazë të të regjistruarve”, thotë Jim Buckheit, drejtori ekzekutiv i “Shoqatës së mësuesve” të Pensilvanisë. Nga ana tjetër, Alez Molnar, docent në Universitetin e Kolorados flet për “shkatërrim të mësimdhënies dhe arsimit publik”.

Këto shkolla, thotë ai, qëndrojnë përkundrejt shkollave tradicionale si bankat amerikane gjatë krizës së kredive. Në të vërtetë, shumë universitete sot në botë po mundohen ta përfshijnë këtë alternativë në programet e tyre. Sepse ata që nuk kanë mundësi të vijnë në shkollë, nuk do të thotë se nuk kanë dëshirë për të mësuar. Mësimet online krijojnë shumë lehtësia në lidhje me orarin, kështu që ata që i frekuentojnë, përveç shkollës mund të bëjnë edhe të tjera gjëra, si për shembull të punojnë. Në Amerikë, dihet që pjesa më e madhe e të rinjve punojnë ndaj ky fenomen është shumë i përhapur. Por edhe Europa nuk mbetet pas. Pothuajse të gjitha shtetet ofrojnë mastera, apo universitete që mund t’i ndjekësh përmes kompjuterit. Pastaj se çfarë rezultatesh arrin në fund, kjo mbetet për t’u diskutuar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama