Janë ndërprerë sërish dje kërkimet e forcave RENEA dhe polumbarëve për gjetjen e trupit të 18-vjeçarit Erjon Alizoti, ekskursionistin e rrëzuar dy ditë më parë në kanionet e Erzenit. Për shkak të errësirës, kërkimet e filluara dje në mëngjes, u ndërprenë për të rinisur sërish sot. Operacioni i kërkimit për gjetjen e 18-vjeçarit u zhvillua për gati 6 orë edhe pasditen e djeshme, por pa rezultat. Njësia e polumbarëve të RENEA-s, policia lokale, por edhe vetë banorë dhe familjarë nisën në orët e para të mëngjesit të djeshëm kërkimet përgjatë rrjedhës së lumit Erzen. Sipas policisë, kërkimet u fokusuan në kontrollin e rrjedhës së lumit në segmentet e cekëta, ndërsa nëse do shikohet nevoja, do të ketë edhe zhytje të polumbarëve për të parë në thellësi. Forcat RENEA dhe polumbarët ndërprenë edhe pardje kërkimet për shkak të errësirës, pas operacionit të zhvilluar përgati 6 orë, prej orës 14.30 kur humbi i riu, deri në orën 20.00. I riu bashkë me grupin mbi 50 veta ishin organizuar në rrjetin social "Facebook” nga “Rrjeti i Vullnetarëve Shqiptarë”.
Erjoni u rrëzua bashkë me një djalë tjetër, i cili fatmirësisht arriti të shpëtohej nga pjestarët e tjerë të grupit, ndërsa fati i 18 vjeçarit mbetet ende mister. Policia njoftoi se do të procedojë penalisht organizatorët e këtij eksursioni për mos krijimin e kushteve të sigurisë e grupit të të rinjve. Pas dëshmisë së dhënë në komisariat, në një reagim për televizonin “A1 Report”, Gërdupi, organizatori i ekskursionit, mohon kategorikisht faktin se ndodhej në vendin ku ranë 2 të rinjtë, teksa rrëfen edhe çastin kur grupi i dytë është ndarë.
Gjithashtu 18-vjeçari në deklaratën e tij dhënë në ambientet e komisariatit nr.1, pas dhënies së dëshmisë, është lënë i lirë dhe mohon se ai është shoqëruar në polici. "U komunikova që të bashkoheshin me ne, por nuk na dëgjuan. Përgjegjësia ime qëndron vetëm në instruktimet dhe këshillat që u japim atyre që na bashkohen, por nuk mund të marrim dot përsipër lëvizjet dhe dëshirat e të gjithëve"-mësohet të ketë deklaruar Gërdupi. Ndërkaq, pritet që në këtë komisariat të thirren edhe pjesëtarë të tjerë nga grupi prej më shumë se 50 vetësh, për të përcaktuar lëvizjet e secilit, para dhe pas ngjarjes. Kërkimet nga RENEA dhe pëlumbarët, për gjetjen e Eljon Elizotit, mbaruan rreth orës 18.30, për shkak të errësirës, për të vijuar sot.