Deshton Karta e Studentit edhe pas nje viti e paperdorshme

Deshton Karta e Studentit, edhe pas nje viti e paperdorshme
Studentët do të nisin vitin e ri akademik pa marrë Kartën e Studentit, nëpërmjet së cilës do të përfitojnë lehtësira. Kjo bëhet e ditur nga Bashkia e Tiranës, e cila thotë se zgjidhja është çështje kohe, pasi ende nuk janë bërë marrëveshjet përfundimtare me subjektet ku do të aplikojnë lehtësirat për studentët. Gazeta “Shekulli” dje u drejtua në sportelet e Bashkisë, për të marrë vesh më shumë se çfarë po ndodh me këtë proces. Ndërsa aty, vërejmë tektuk ndonjë student, i cili pret të mësojë për përfitimet që do të ketë nga karta dhe kohën se kur do të hyjë në fuqi. Gjithçka që na bëhet e ditur nga punonjëset e Bashkisë së Tiranës është se studentët, mund të vazhdojnë të aplikojnë për nxjerrjen e kartës, por shërbimet falas ose me çmim të reduktuar, nuk dihet se kur do të përfitohen.

Aplikimi

Karta e Studentit pritej që të vihej në zbatim gjatë muajit tetor të vitit të kaluar. Tashmë ka kaluar një vit dhe studentët vazhdojnë ende të aplikojnë, pa mundur të marrin përfitimet. Ndërsa Bashkia e Tiranës nuk ka përmbyllur bisedimet me bizneset dhe institucionet, ku do të ketë ulje të tarifave ose përfitime falas. Punonjësit e bashkisë na shpjegojnë se ndryshe nga vitet e kaluara, aplikimi për Kartën e Studentit nuk do të bëhet më pranë rektoratit të universiteteve apo në sekretaritë mësimore, por vetëm në Sektorin e Komunikimit dhe Pritjes së Qytetarëve, në Bashkinë e Tiranës. Deri në përfundim të lidhje së marrëveshjeve, gjithçka mbetet ende në letër.

Karta e Studentit

Përmes Kartës së Studentit, studentët do të kenë lehtësira në shërbimet e ndryshme publike dhe private që ofrohen në Tiranë, që nga bankat, telekomunikacioni, transporti, supermarketet, njësitë e shërbimit kulturor, kinematë, teatrot, sporti etj. Aktualisht, është drejt përmbylljes, marrëveshja me bankat kryesore të kryeqytetit dhe me kompanitë celulare. Deri më tani janë firmosur Memorandumet e Bashkëpunimit me 5 Universitete Publike të Tiranës (memorandume të nënshkruara në praninë e mediave). Bashkia ka firmosur Memorandumi e Bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, me qëllim përmirësimin e jetës social-ekonomike të studentëve; rritjen e frekuentimit të veprimtarive dhe aktiviteteve kulturore-artistike e sportive që ofrohen në kryeqytet etj. Një tjetër bashkëpunim për përfitimin e studentëve është Memorandumi i Bashkëpunimit me Shoqatën Shqiptare të Bankave, me qëllim; edukimin bankar të tyre; përballimin e nevojave financiare nëpërmjet kreditimit të studimeve universitare dhe blerjes së materialeve të nevojshme didaktike. Po kështu, ata do të mund të bëjnë transferta, pagesa financiare dhe depozitimit të kursimeve të tyre.  

Ana Haxhiu: “Kam 1 vit me Kartën e Studentit në xhep, pa e përdorur”

Ana Haxhiu është një nga ato studente që ka 1 vit që ka Kartën e Studentit në xhep, por nuk e ka përdorur asnjëherë. Kur e pyesim Anën se përse nxitoi ta bënte, ajo na u përgjigj se priste që përfitimet t’i merrte sa më shpejt. Por, ashtu si dhe dhjetëra studentë të tjerë ajo mbetet e zhgënjyer dhe është ende në pritje të marrjes së përfitimeve. “Shpejtova ta bëja, me idenë se do të merrja sa më shpejt përfitimet. Ajo që më intereson më shumë është ulja e çmimit të ushqimit në menca, si dhe lëvizja pa tarifë apo me tarifë të reduktuar nëpërmjet transportit urban. Do të doja që të ndiqja aktivitet kulturore, me pagesë të ulët. Dihet që ne nuk kemi shumë mundësi”,- shprehet Ana. Ajo na tregon, se vitin e kaluar në universitetet iu tha, se shërbimet me kosto të reduktuar do t’i merrnin së shpejti. Kjo ishte dhe arsyeja, pse shumë studentë nxituan të aplikonin. Ana shprehet se ka pyetur në sekretarinë e fakultetit, se kur do të mund të fillojnë që të marrin përfitimet, por përgjigja ka qenë: nuk dimë asgjë. Megjithatë studentët janë gjithmonë optimistë dhe presin që këtë vit, të aplikohet karta. “Uroj që këtë vit akademik ta vëmë në funksion Kartën e Studentit. Kemi vite që e dëgjojmë këtë histori, se do të bëhemi si studentët europianë që shumë shërbime i marrin me gjysmë çmimi. Tani shpresojmë që të ndodhë edhe tek ne, në të kundërt do të mbarojmë studimet pa e vënë në përdorim kartën që kemi marrë”,-thotë Ana Haxhiu.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama