Misteri kaplon Skënderbeun. Lojtarët janë në "ajër", pasi jo vetëm kontratat po u skadojnë, por nuk dinë se kur do të nisin përgatitjet. Edhe pse klubi njoftoi zyrtarisht se grumbullimi do të niste më datë 15, pra dje, kjo nuk ka ndodhur.
Kur kjo datë ka kaluar tashmë, bardhekuqve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojnë me pushimet, të paktën deri në momentin që nga klubi do t'u vijë telefonata e shumëpritur. Të kontaktuar nga gazeta, shumica e lojtarëve bëjnë me dije se nuk kanë asnjë lloj informacioni. Ata shpjegojnë se nuk i ka lajmëruar kush për nisjen e grumbullimit. Edhe pse jo fort të sigurt, futbollistët thonë se po presin KAS-in.
Por edhe këtu ka dyshime të mëdha, pasi klubi ende nuk ka depozituar asnjë kërkesë për të apeluar dënimin. Kjo shtyrje të bën të mendosh se diçka nuk shkon. Dhe në rast se vendimi i Apelit mbetet në fuqi, atëherë logjikisht pritet që edhe stërvitja të nisë më vonë se zakonisht.
Situata
Mbetet në hije të plotë çështja "Skënderbeu". Apelimi ende nuk është bërë dhe ky fakt u konfirmua nga vetë KAS-i për "Panorama Sport". Në të tilla kushte vendimi i dalë nga Apeli mbetet në fuqi. KAS-i në e-mailin e dërguar në postën elektronike të gazetës, sqaroi se asnjë dosje nuk është depozituar deri më tani mbi dënimin e dhënë nga UEFA për pezullimin 1-vjeçar nga kompeticionet europiane.
Kjo ka qenë përgjigjja zyrtare e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv që hedh dritë mbi këtë çështje. Askush nga drejtuesit e Skënderbeut nuk dëshiron që të japë sqarime, madje momentalisht ata janë duke shijuar Europianin nga Franca. Çudia ndodh pikërisht me kundërshtimin e çdo fakti që zbardhet, madje edhe kur bëhet fjalë për vetë UEFA-n.
Pikërisht kjo ka ndodhur edhe një ditë më parë. Në konfidencë të plotë zyrtarët e klubit bardhekuq kanë bërë me dije se e-mailet e dërguara nga KAS-i nga vetë mediat, nuk mund të merren për bazë. Por ndoshta edhe kjo është një formë për të "mbuluar" stepjen e klubit për të bërë apelimin.
Llazi Saro