Deshton rritja e taksave te ardhurat ne janar ne pikiate

Deshton rritja e taksave, te ardhurat ne janar ne pikiate

Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat për muajin janar rezultuan më të ulëta se plani i këtij viti dhe më të ulëta se janari i vitit që shkoi. Në total të ardhurat në janar ishin 3.8 milionë dollarë më pak se janari 2013. Rënia më e madhe në tatimet që u rritën, akcizë dhe tatim-fitim

Rritja e akcizës për cigaren dhe karburantet, rritja e tatim-fitimit dhe rikthimi i taksës progresive, të paktën për muajin janar kanë dështuar totalisht. Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave, të ardhurat në muajin janar rezultuan plot 3.8 milionë dollarë më të ulëta se ato të një viti më parë. Financat kishin programuar të mblidhnin 1.1 miliardë lekë të ardhura më pak se një vit më parë, logjikë kjo që nuk para përdoret kur rritja ekonomike është në nivele pozitive. Ky plan në fakt është kaluar me 2 për qind, por në këtë realizim, të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat kanë shënuar vlera shumë më të ulëta se plani i qeverisë.

Rënia

Në muajin janar janë grumbulluar 27.2 miliardë lekë të ardhura, nga 26.7 miliardë lekë të programuara. Plani është tejkaluar me 2.2%, por jo nga kontributi i tatimeve dhe taksave, por nga të ardhurat nga ndihmat. Ministria e Financave raporton se të ardhurat nga ndihmat në janar arritën në 624 milionë lekë, të cilat kanë ndikuar në realizimin e planit. Por se performanca e Tatimeve dhe Doganave në raport me planin duket të jetë shumë e ulët. Në bazë të planit buxhetor, të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat për muajin janar duhet të ishin në nivelin e 17.1 miliardë lekëve, por janë realizuar vetëm 17 miliardë lekë. Një vit më parë, në janar, ku taksat ishin rreth 30 për qind më të ulëta, u mblodhën më shumë nga Tatimet dhe Doganat. Ndërkohë që Ministria e Financave ka programuar që nga rritja e taksave të marrë rreth 20 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, në realitet ka ndodhur krejt e kundërta. Rritja e akcizës hyri në fuqi më 1 janar, ndërsa të ardhurat nga Tatimet kanë qenë 897 milionë lekë më pak se pritjet e qeverisë. Gjithashtu rënie ka shënuar edhe tatim-fitimi me 493 milionë lekë, kur tatimi për kompanitë u rrit në 15 për qind nga 10 për qind që ishte më parë. Taksa progresive ka dhënë një kontribut shumë të ulët me vetëm 69 milionë lekë, ndërsa taksa e banesave ka pësuar një ulje prej 145 milionë lekësh në raport me planin e përcaktuar nga qeveria.

FMN: Nëse taksat nuk kanë rezultat, të ulen

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur dyshim se rritja e taksave do të ketë rezultat në rritjen e të ardhurave buxhetore më 2014. “Nëse rritja e taksave nuk do të japë efekte pozitive, atëherë qeveria mund t’u rikthehet taksave të ulëta”, – është shprehur për mediat shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadem Ilahi, në kohën kur qeveria kishte përgatitur për miratim në Kuvend paketën fiskale 2014. Frika e FMN-së është se kjo mund të ndodhë më së shumti me taksën progresive. Nëse rritja e taksave që po ndërmerr qeveria në paketën fiskale nuk do japë efektet e pritura në ekonomi, shefi i Fondit Monetar thotë se mund të bëhen hapa prapa, tek sistemi i taksave të ulëta që aplikohej edhe nga qeveria paraardhëse.

 

Një nga këshillat e Fondit ka qenë edhe që politikat tatimore të mos ndryshojnë shumë shpesh. “Nëse ekonomia do jetë më e dobët sesa ne presim, atëherë mund të merren disa masa kompensuese që qeveria të lehtësojë politikën fiskale për të ndihmuar ekonominë. Pra, nëse gjërat nuk shkojnë aq mirë, atëherë nuk e bën të gjithë shtrëngimin apo korrektimin fiskal që ke programuar”, – vlerësoi shefi i FMN-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama