Në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda mbi akuzat për Andon Mëhillajn dhe Julian Sinanajn, përshkruhen me detaje “porositë” e çuara në vend të vrasësit me pagesë dhe kërkesat e “ndërmjetësve”.
Në këtë vendim, renditen me detaje të gjitha momentet e takimit mes vrasësit Sinanaj dhe porositësit Mëhillaj, pazarin e tyre për çdo vrasje, mënyrën e ekzekutimit dhe komunikimin mes tyre pas këtyre ngjarjeve.
Andon apo Erjon Mehillaj ka qenë ai që ka kërkuar ekzekutimin e një biznesmeni nga Vlora kundrejt 35 mijë eurove. Sipas rrëfimit të vrasësit me pagesë, ai nuk e njihte personin që do të vriste.
Në lidhje me vrasjen e mbetur në tentative të Pirro Bares, vrasësi Julian Sinanaj ka treguar se me porositësin Ilir Karçini, e kishte prezantuar Genis Mëhillaj, tashmë në kërkim.
Në dosje, flitet edhe për vendosjen e eksplozivit në banesën e Ardian Kollozit, ku është vendosur një sasi prej 600 gram C4. Gjithashtu edhe për shitjen e dy minave me telekomandë me vlerë 20 mijë euro copa, sipas dëshmisë së Sinanaj, ia ka shitur Andon Mëhillaj, raporton “ABCnews”.