“Për 20 vite, ikonat dhe të tjera vlera historike janë vjedhur nga kishat ortodokse në jug të Shqipërisë. Në vitin 1990 ka pasur mbi 12000 ikona të inventarizuara. Tani askush nuk e di sa kanë mbetur,” ankohet për DW, profesori i arkeologjisë dhe restauratori Gjergj Frashëri.Kurse Gentian Stratoberdha, drejtor i departamentit të trashëgimisë kulturore në Kishën Ortodokse të Shqipërisë thotë se në vitet e fundit edhe koleksionistë të njohur privatë kanë organizuar ekspozita në Shqipëri, në të cilat janë ekspozuar gjëra të vjedhura në kisha.
Në shkrim thuhet se nuk ka pasur deri më tani një reagim publik ndaj lajmeve për vjedhjen e kishave. Por gjërat ndryshuan pas vjedhjes së afreskeve të Onufrit. Pas reagimeve, Ministria e Kulturës tha se do vendosë kamera në 51 kisha. Por Stratoberdha thotë se edhe ato mund të vidhen dhe mund të dëmtohen. Ai thotë se këto monumente duhen mbrojtur me forca sigurie të armatosura. Paradoksalisht, vëren DW, këto vepra fetare kanë qenë më të mbrojtura gjatë periudhës së komunizmit.Restauratori Hasan Nallbani thotë se sot nuk e çan kush kokën për vlerat kulturore dhe për artin.
“Sot shumë studentë shqiptarë kanë dëgjuar për Onufrin vetëm pas kësaj vjedhje,” thotë ai.
Strateberdha thotë se njerëzit janë indiferentë, pasi mendojnë se nuk kanë lidhje me kulturën ortodokse. Por ai shton se kjo është një humbje për mbarë Shqipërinë, pasi po humbet testamenti i një kulture qindra vjeçare.