Dhe Zoti nuk e beri enderr

Dhe Zoti nuk e bëri ëndërr
Një kurorë e fantazisë që kulmon me dramë fantastiken e “Kronikë në gurë” dhe parandjenjat e mnershme tek “Çështje të marrëzisë”

“Bëje, o Zot, ëndërr!”, thoshin ata që mendonin se me hyrjen e gjermanëve në Gjirokastër, në shtator 1943, qyteti do të hidhej në erë. Kjo jo vetëm që s’ndodhi, qyteti jo vetëm që përjetoi kohën gjermanike, po si rrjedhojë ngriti historinë e shpëtuesit më të famshëm të pengjeve, doktor Gurametoja i madhi, mbi misterin e të cilit Ismail Kadare ka ndërtuar subjektin e romanit më të ri “Darka e gabuar”.

I bazuar në një ngjarje të vërtetë për të cilën qyteti ka dhënë në kohë të ndryshme interpretime të ndryshme, me personazhin e doktor Gurametos që më shumë se karakter është një belle epoque, është një njeri kohë, Kadare rimerr takimet me historinë ku i ka lënë me babazotin e “Çështjeve të marrëzisë”, kështu pra nga ajo stuhi otomane tek flladi perëndimor që i fryu Shqipërisë midis dy luftërash.

Kadare nuk është historian, nuk është as shkrimtari që shkruan për njeriun në kuptimin e thjeshtë të fjalës, për karaktere të futur rëndom brenda një dhome shpirtërore dhe sociale herë si në një dhomë parfumesh e herë tjetër gazi. Njeriu i Kadaresë është historia dhe anasjelltas.

“Darka e gabuar” lidh dy njerëz dhe dy kohë historike. Më një anë doktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schwabe, mbajtës i Kruqit të Kuq, në anë tjetër “Shqipërinë gjermanike” me atë komuniste. Kalimi “miqësor” i gjermanëve nazitë në qytetin e jugut lidhet me darkën në fjalë që patën dy miqtë e vjetër të shkollës, dhe që u bë e “gabuar” sepse fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e personazhit.

Idetë për atë kalim miqësor të gjermanëve kishin krijuar dy kampe. Autori ndërton një linjë paralele si të vinte nga zëri i një kronikani të kohës, duke e bërë pjesëmarrjen e tij, si narrator në vetën e tretë, të duket sa më pak subjektive:

“Idetë ndaheshin dysh. Komunistët, siç pritej, kërkonin luftë me shumë zjarrmi e ngut. Kombëtaristët s’ishin kundër, por as zjarrmia, as nguti s’u pëlqenin. Sipas tyre, zjarrmia e tepërt lidhej më shumë me Rusinë se me Shqipërinë. Gjithmonë sipas tyre, Shqipëria s’kishte pse futej në grindje verbtazi, pa parë volinë e saj.

Gjermania vërtet ishte pushtuese, por Rusia e kuqe s’ishte më e mirë. Veç kësaj, Gjermania sillte Kosovën e Çamërinë, kurse Rusia veç kolkozeve nuk sillte asgjë. Madje kishte gjasë që fjalët “Shqipëri etnike”, në fletushkat gjermane, në vend që t’i gëzonin, i kishin acaruar komunistët. Kishte gjasë që edhe padurimi për luftë andej vinte. Dhe kjo ishte e natyrshme, përderisa në krye të tyre kishte dy a tre shefa serbë, për të cilët fjalët “Shqipëri etnike” ishin mortje e shkuar mortjes.”

Në traktet që shpërndante lëvizja qytetase, bijë e lëvizjes për çlirim, bëhej thirrje që “të mos u besohej pushtuesve, se Kosova me Çamërinë, ashtu sikurse lajkat për racën shqiptare nuk ishin veçse hedhje pluhuri në sy, dhe se kombëtaristët dhe mbretërorët po bëheshin gati për besëlidhje me gjermanët”.

Shtresa e padukshme dokumentare e romanit, nëpërmjet zërit të kronikanit, apo shtypit të kohës, përmban shkurtimisht emrat e elitës nacionaliste shqiptare me formim kulturor gjerman ose progjerman që nga Mehdi e Mit’hat Frashëri, tek Karl Gega, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Pater Anton Harapi “figurë e pacënueshme morale”, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica. Nga kjo elitë vjen edhe doktor Gurametoja i madh.

Ja si e përkufizon Kadare situatën e vitit 1943: “Shqipëria pas çlirimit nga rajhu i tretë dhe përmbysjes së zgjedhës së urryer italiane, ishte shpallur më në fund shtet sovran. Ishte krijuar qeveria, me në krye jo Mehdi Frashërin e famshëm, siç shpresohej, por zotninë e nderuar, Biçaku. Ishte krijuar madje Regjenca, me katër anëtarë, një për çdo fe, në pritje me sa dukej, të kthimit tëmbretit Zog I.

Lajmet për kosovën e Çamërinë që i bashkoheshin shqipërisë, ishin me shkronja edhe më të mëdha dhe po i dukshëm ishte njoftimi për rikthimin e flamurit të moçëm shqiptar, atij të vërtetit, të Gjergj Kastriotit, me shkabë të zezë, pa sëpatat e liktorit, kujtim i hidhur i Italisë.”

Qyteti i tij i lindjes, Gjirokastra ku ka vendosur fund e krye ngjarjet e “Darkës së gabuar” (njëlloj si tek “Kronikë në gur” dhe “Çështje të marrëzisë”), është barometër për të matur sjelljen e një minorance shqiptare ndaj luftës dhe më pas ndaj regjimit, me pak fjalë, ndaj historisë. Në thelb, ky roman shfaq vullnetin për një raport të ri me historinë, më të hapur, dhe në njëfarë mënyre del nga marrëdhënia komplekse që shkrimtari ka ndërtuar në veprat e tij të mëparshme me historinë eshqiptarëve.

Ardhja e partizanëve dhe e të quajturës “koha e re”, fillimi i luftës së ftohtë dhe tradhtia e Titos, deri tek vdekja e Stalinit, është një dhjetëvjetësh i dendur, i dhënë në mënyrë sintetike. Drama e doktor Gurametos ka marrë të tatëpjetën. Është nga ato drama që shkakton koha kur merr kosën në dorë. Zoti nuk e bëri dot ëndërr as torturimin e doktor Gurametos së madh me thikat e kirurgut që kishte sjellë me vete nga Gjermania.

“Darka e gabuar” hyn sa jashtë brenda zonës së dy romaneve autobiografikë që ngrihen mbi një botë parahistorike dhe historike të qytetit si vend ku lind dhe vdes njeriu. Është një kurorë e fantazisë që kulmon me dramë fantastiken e “Kronikë në gurë” dhe parandjenjat e mnershme tek “Çështje të marrëzisë”.

Në këtë kuptim “Darka e gabuar” është një libër disa herë i shkruar, thënë ndryshe është letërsia që identifikon një shkrimtar, një të vetëm.

Kadare e ka shkruar në verë dimrin 2007-2008, këtë roman që shtëpia botuese “Onufri” e ka hedhur në qarkullim vetëm dje, duke përmendur se dosja e doktor Gurametos së madh u hap përsëri në praneverën e vitit 2007 kur Bashkimi Europian i kërkoi Shqipërisë dënimin e krimeve të komunizmit.

Së fundi

Në panairin e librit të Tiranës që hapet më 14 nëntor, shtëpia botuese “Onufri” prezanton veprat 9 dhe 10 nga cikli prej 20 vëllimesh i veprës së plotë shkrimtarit Ismail Kadare. E para është një përmbledhje e 19 tregimeve, një pjesë të panjohura, kurse tjetra përfshin romanet “Ura me tri harqe”,, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Breznitë e hankonatëve”. Shumë shpejt vjen edhe “E hyjnueshmja” ebotuar së fundi nga “Fayard” me titullin “Aksidenti”, me përkthimin nga shqipja të Tedi Papavramit.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama